top of page

Poezi: Rinisja!

Apr 30
1 min read


Nga Arian Galdini


Nuk e mora këtë udhë për zë mbi turmë,

por si merret buka

kur shtëpia s’ka më ç’t’i japë urisë

veç duarve që rrinë zgjuar deri në dritë.


Unë besoj te ajo që s’bën bujë,

te brumi që goditet

dhe prapë ngrihet,

te njeriu

që nuk e ndërron fytyrën me shkallë,

te fjala që s’pranon pazar,

te ajo pak gjë

që ende s’është prishur

kur gjithçka tjetër

e hollon njeriun nga brenda.


Rinisja,

bukë që piqet ngadalë

për urinë e fëmijës që pret,

besa që nuk shuhet

kur të tjerët i vënë emrin lodhje,

dora që rri te furra

edhe kur nata

ia ha avullin e lëkurës,

që shtëpia të mos mbetet pa mëngjes.


Nëse duhet të mbetem vetëm,

le të mbetem.

Edhe buka ngrihet në heshtje.

Kështu e gjen agimi shtëpinë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page