Poezi: Rinisja jonë!

Nga Arian Galdini
Ruaje emrin kur çmimi i mbërritjes
të kërkojë të arrish pa qenë më ti,
ka lartësi ku njeriu hyn i zvogëluar
dhe humbje para të cilave rritet.
Kur mbetesh vetëm, mos ia fal vetmisë
gjykimin mbi atë që ke për të dhënë,
koha mund ta vonojë çastin tënd,
por jo ta jetojë jetën në vendin tënd.
Është e lehtë ta duash lirinë nga poshtë,
më e rrallë është të mos e sundosh nga lart,
mbaje të lirë edhe fjalën që të kundërshton,
edhe votën që nesër mund të të largojë.
Me emrin të plotë,
me tjetrin të lirë,
me Shqipërinë përtej radhës sonë,
ia rinisim.
Kur bëheni shumë, mos u bëni një gojë.
Shumica është mandat, jo masë e njeriut.
Asnjë numër nuk e pakëson qytetarin,
shqiptar bëhesh më pak po zvogëlove shqiptarin.
Mos e quaj të shenjtë çdo gjë të vjetër,
as të mençur çdo gjë vetëm pse është e re,
koha na la trashëgim edhe dritë, edhe faj,
ruaj të parën, mos ia lër të dytën fëmijës.
Duaje Shqipërinë pa i kërkuar një armik,
Perëndimin pa e ulur shtatin përpara tij,
miqësia e të lirëve nuk kërkon përkulje,
ligji rri mbi të fortin po aq sa mbi të dobëtin.
Kosovën mos e mbaj vetëm në brohoritje,
mbaje atje ku fjala bëhet përgjegjësi e besë.
Krenaria që kërkon urrejtje harxhohet me turmën,
përkatësia që mban detyrim jeton më gjatë se zëri.
Me emrin të plotë,
me tjetrin të lirë,
me Shqipërinë përtej radhës sonë,
ia rinisim.
Ndërtoje të drejtën sikur të mos dije
në cilën anë të saj do të lindte fëmija yt.
Ai nuk është vazhdimi i bindjes sate,
as e nesërmja pronë e brezit tonë.
Dhe prova më e rëndë vjen kur bëhesh i fortë,
kur fjala jote peshon dhe të tjerët presin,
kur mund ta bësh ligjin t’i ngjajë vullnetit tënd
dhe zgjedh që vullneti yt t’i bindet ligjit.
Aty mos bli atë që nuk deshe ta shisje.
Mos kërko për vete atë që dje e quajte padrejtësi.
Lëre Republikën të ketë kufi edhe mbi ty,
lëre votën të jetë e lirë edhe kur të nxjerr jashtë.
Kur të mundesh të rrish më gjatë,
dije edhe artin e largimit në kohën e vetë,
hap rrugë pa kërkuar që historia
ta mbajë përherë emrin tënd në krye.
Atë që ruajte kur ishe vetëm,
atë që mbrojte kur u bëtë shumë,
atë që nuk përvetësove kur u bëre i fortë,
dorëzoja pa frikë atij që vjen.
Jo një Shqipëri pa kujtesë.
Jo një Shqipëri të burgosur prej saj.
Të ruajë atë që e bën të denjë,
t’ia rinisë asaj që nuk duhet trashëguar.
Me emrin të plotë,
me tjetrin të lirë,
me Shqipërinë përtej radhës sonë,
ia rinisim.
Atëherë nuk ke fituar Shqipërinë.
Ke lënë pas teje një shqiptar
pak më të lirë nga frika jonë.
Ia rinisim.
Arian Galdini





Comments