top of page

Poezi: Shtegu i vetmisë!

Apr 19
5 min read


Nga Arian Galdini


Në fillim nuk ishte rrugë,

por kripë,

jo ajo që bie mbi bukë

për t’ia bërë më të durueshme urisë gojën, as ajo që deti lë mbi gur

kur tërhiqet prej vetes,

por tjetra, e fshehta,

e ngulur në mish,

ajo grimë e bardhë që nuk ndriçon,

nuk ledhaton, nuk fal, por ruan,

djeg dhe vulos,

si kujtesa e një loti aq të vjetër

sa fytyra që e derdhi është tretur,

ndërsa djegia e tij jo.


Aty filloi vetmia ime.

Jo kur u pakësuan fytyrat.

Jo kur dera humbi zakonin e trokitjes.

Jo kur mbrëmja u ul mbi çati

si pluhur mbi një ikonë të lënë pas dore.


Ajo filloi kur e kuptova

se gjithçka që kisha thënë për veten

kishte qenë më e lehtë

se pesha ime e vërtetë,

se goja ime më kishte ruajtur

më shumë nga e vërteta se nga bota,

dhe se njeriu,

para se të bëhet emër, bëhet barrë,

para se të bëhet rrëfim, bëhet provë,

para se të lypë sy që ta njohin,

mbetet vetëm me atë

që s’mund ta nxjerrë jashtë vetes pa rënë.


Ecja.

Jo për të mbërritur,

sepse ka mbërritje

që janë vetëm stacione të lodhjes

ku shpirti ulet të marrë frymë

prej gënjeshtrës së vet.


Jo për t’u shpëtuar gjërave,

sepse gjërat e vërteta nuk ndjekin,presin.


Ecja si ai që e ndjen nën shputë

se toka e njeh më herët se goja e shqipton, se çdo hap është më afër gjykimit

sesa udhëtimit,

dhe se dheu, përpara se të jetë dhe,

është peshore,

kujtesë e rëndë

ku njeriu nuk lë vetëm trajtën e vet,

por atë që nuk pranoi të shesë.


Këtë s’ma mësoi as libri,

as burri që e lustron mendimin

që ai të duket më i madh seç është.

Ma mësoi gryka e pusit

që ka parë fytyra të përkulura

e s’ka tradhtuar asnjërën,

ma mësoi ulliri

që e mban tokën

edhe kur stina i futet në damar si hekur,

ma mësoi guri

që nuk kërkon të nderohet

e prapë ruan më shumë drejtësi

se gojët që e përmendin,

ma mësoi buka e ndarë hollë

në sofrën e varfër,

ku dora nuk bëhet më e madhe se uria,

ma mësoi pragu që nuk qëndron nga druri, por nga ai që nuk e lëshon.


Ka një urti të ulët në botë,

më të ftohtë se lavdia

dhe më të rëndë se fjalët,

dhe ajo s’ka nevojë të flasë

që ta dish se është më e vërtetë se ti.


Atëherë e ndjeva se vetmia

nuk fillon kur ikin njerëzit,

ajo fillon kur fjala ngjitet deri në buzë

dhe nuk gjen më botë ku të bjerë,

kur zëri, në vend që të bëhet urë,

bëhet një tingull i vetëm,

i vogël, i ftohtë,

si grimë metali e lëshuar në thellësi,

dhe ai tingull, i varfër e i prerë,

e bën zbrazëtinë më të dëgjueshme

se çdo kambanë,

më të rëndë se çdo britmë,

më të vërtetë se të gjitha rrëfimet

me të cilat njeriu mundohet

t’ia bëjë vetes humnerën më të butë.

Aty nuk humbet vetëm zëri.

Aty bie edhe mashtrimi

se bota ka detyrim të të përgjigjet.


Përballë meje rrinte muri,

jo si mur që mban çatinë,

por si vend ku largimi kishte lënë vulën e vet, një njollë të zbehtë

ku dikur kishte ndenjur nxehtësia e njeriut

e tani rrinte vetëm pesha e mungesës së saj, e ngjitur në gëlqere si kripa në plagë.

Dhe e pashë se sendet,

kur u hiqet dora që i ka prekur,

nuk varfërohen.

Rëndohen.


Një tas i nxirë.

Pak hi në cep të tryezës.

Një gotë me buzë të hidhur.

Një peshqir i tharë në tel.

Një palë këpucë te pragu,

me baltën e vjetër ende në thembër.


Asgjë nuk fliste.

Asgjë nuk kërkonte mëshirë.

Asgjë nuk gënjente.


Jashtë, pemët rrinin të përdredhura

si pleq që e kanë parë dimrin

nga brenda

dhe s’i besojnë krejt pranverës.

Uji rrinte i mbledhur në vetvete

si mendim që nuk pranon të shpërdorohet. Një shpend e preu ajrin

dhe nuk u kthye më te dega e parë,

sikur e dinte se jo çdo kthim është shtëpi dhe jo çdo humbje kërkon vajtim.

Ka rënie që ta heqin zbukurimin

dhe

duke ta hequr, ta kthejnë fytyrën.


Pastaj u ça ajo pjesë ku njeriu mban turmën e vet dhe e quan vetvete.

Jo si frikë e zakonshme. Jo si mall.

Jo si dhimbje që lyp emër

për t’u bërë e durueshme.

U ça aty ku duartrokitja i zë vendin shtyllës, ku miratimi i të tjerëve

bëhet patericë e shpirtit,

ku njeriu hollon veten

që të mos bjerë nën peshën e vet.


Vjen një ditë kur ai e sheh

se nuk është përjashtuar nga bota,

siç i pëlqen t’ia thotë vetes

për të ruajtur krenarinë e plagosur,

por është lënë përballë saj,

sy më sy,

pa mburojë, pa përkthyes, pa zbukurim.


Atëherë mbulesa çahet.

Atëherë mishi e kupton

sa pak ka mbetur prej tij

që s’ka hyrë ende në treg.


Aty e mora vesh se gjurma,

kur piqet, nuk lyp sy.

Nuk lyp tribunë. Nuk lyp vulë.


I mjafton pesha.

I mjafton ai kripim i zi

që hyn më thellë sa herë e godet shiu.


Kështu hyn sprova

në njeriun që s’përkulet.

Kështu hyn dimri

në shtëpinë që nuk e shet zjarrin.

Kështu hyn plaga

në gjakun që nuk pranon të bëhet stoli.


Emri, kur s’shitet, kriposet.


Në gjak rri ajo që s’vishet e s’shpallet.

Rri si kripa nën lëkurë.

Po ta nxjerrësh,

del mishi bashkë me të.


Ndoshta për këtë

s’mu afrua asnjë ngushëllim i lehtë.

Më shoqëroi vetëm ajo prani

që e njeh drurin, gozhdën, etjen, plagën, heshtjen e kodrës,

dhe nuk i kërkon mishit të bëhet më i bukur, por më i vërtetë.


Ka çaste kur shpëtimi nuk vjen si fitore,

por si mosikje,

jo si himn, por si qëndrim,

jo si lavdi,

por si refuzim për ta shitur shpirtin

edhe kur gjithçka rreth teje

ta ka mësuar çmimin e tij.


Mbetet mbajtja.

Jo si virtyt që shpallet,

por si peshë që nuk bie prej kockës,

si ajo gjë e padukshme

që e bën shpinën të denjë për barrën e vet.


Dhe në fund nuk mbetet as fjala e madhe,

as drita e stisur për të zbukuruar paaftësinë tonë për të thënë sendin.


Mbetet vetëm ajo shije e ftohtë

që nuk zbukuron asgjë

dhe prapë nuk lë asgjë të prishet.


Mbetet ajo bardhësi e hidhur

që s’ka nevojë të thërrasë,

sepse e njeh mishin më mirë se zëri,

dhe ruan.


Dhe unë,

që dikur e mendoja vetminë si mungesë,

e di tani se ajo është kripa e fundit

e njeriut mbi veten e vet,

ajo shije e prerë ku bien zërat e tepërt,

ku bie madhështia e rreme,

ku mbetet vetëm pesha,

shenja, fryma që nuk shitet,

dhe kjo heshtje e mbajtur

ku njeriu pushon së kërkuari

të shihet dhe, më në fund,

pranon të njihet….


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page