top of page

Poezi: Tavolina ku ulemi me botën!



Nga Arian Galdini


Në kuzhinën time ka një tavolinë druri,

njollë kafeje pranë kripores,

një pjatë e çarë që mban zërat e djeshëm,

një karrige e shtyrë pak nga muri,

si vend i ruajtur për dikë që mungon.


Pranë derës qëndrojnë një palë opinga të vjetra,

me baltë të tharë në thembra,

nga fuga e dritares hyn ajër mali

me erë leshi të lagur e të kripur,

dhe në damarë më zgjohet një këngë pa zë

që mban fjalën pas dhëmbëve, jo në gojë.


Në qoshe ndizet ekrani pa u thirrur.

Rreshtat e lajmeve bien mbi bukë,

shkronjat bëhen thërrime e përzihen me bukën,

emri i një fëmije mbetet në fund të ekranit.

Ora shënon 19:43. Ping.

Një dritë blu rri pezull mbi të,

ajo ngjitet në avullin e gjellës në tenxhere.


Dora ime shkon te butoni i fikjes

dhe ndalet në ajër,

si thikë që dridhet mbi bukën e prerë.

Nuk e fik. E lë ta shohë tryezën time.

Nuk e lë ta udhëheqë. Drita blu bie mbi kripore.

Shikoj karrigen bosh, kripën, pjatën e çarë,

një thërrime bie dhe bën zhurmën e vet të vogël,

si kokërr rëre që gërvisht drurin

dhe nuk më lë të fle.


Brenda meje zgjohet kripa e kësaj shtëpie,

më djeg buzët kur ndaj kafshatën

me një emër që s’e mban dot as ekrani,

por rri pezull mbi lugën time.


Dal nga shtëpia me kripën në gishta,

jo me numra në letër,

me sy që e dinë se çdo dere i dhemb pragu

kur bota troket e lodhur në mbrëmje.


Tavolina ime rri gati për botën,

një karrige kërcet lehtë kur e tërheq,

nuk pyet kë do të ulet,

gotën me ujë e vendos në mes,

bukën e pres hollë,

kripën e lë aty ku dora tjetër mund ta arrijë.


Telefonin e vë në skaj, me fytyrën përmbys,

ekrani merr frymë vetëm nga drita e tavanit,

lajmi qëndron në heshtje,

si ujë i ftohtë në gotë,

edhe kur dora e fikjes më dridhet,

dhe unë rri në karrigen time

si gisht që lë kripën në mes për dorën tjetër.


Kështu ulem me botën në tavolinë,

dritë e vogël mbi drurin e nxirë,

gati të ndaj një kafshatë me vuajtjen e saj,

dhe t’i lë errësirës, pas dere, vetëm hapat, kryet e sofrës ia ruaj bukës dhe ujit,

kriporja në mes pret dorën e ardhshme,

jo atë që vjen si njoftim pa emër.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page