Politika nuk fillohet duke kërkuar besim… Fillohet duke dhënë arsye për të….
- Arian Galdini

- 2 days ago
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Të premten, më 21 gusht, në orën 18:00, do të jem në Sheshin Skënderbej.
Nuk e di sa njerëz do të vijnë.
Nuk kam sondazh që të ma tregojë.
Nuk kam organizatë të madhe që të më japë sigurinë e numrit.
Nuk kam ekrane televizive që prej javësh t’ua përsërisin shqiptarëve ftesën time.
Prandaj nuk do të bëj sikur di atë që nuk e di.
Di vetëm përse do të jem atje.
Pesë vjet më parë, më 21 gusht 2021, dola me LRE Rinisjen në të njëjtën datë dhe mora përsipër një përgjegjësi publike.
Pastaj erdhën vite të tjera, largime, ndërprerje, beteja, gabime, punë, mendim dhe një kohë e gjatë gjatë së cilës shumë shqiptarë nuk më kanë parë fare.
Disa prej atyre që më lexojnë sot më njohin prej vitesh.
Shumë të tjerë më kanë hasur vetëm këto javë dhe kanë të drejtë të pyesin:
Kush është ky njeri?
Pse po del tani?
Çfarë është Rinisja?
Çfarë kërkon më 21 gusht?
Nuk më shqetësojnë këto pyetje.
Përkundrazi, do të më shqetësonte një politikë që kërkon besim nga njerëz të cilëve nuk u ka dhënë ende arsye të mjaftueshme për ta besuar.
Prandaj ftesa ime për të enjten nuk është:
Ejani sepse duhet të më besoni.
Është më e ndershme se kaq.
Ejani, nëse dëshironi, për të parë me sytë tuaj.
Dëgjoni.
Pyetni.
Kundërshtoni.
Shihni njerëzit që janë aty.
Shihni nëse fjala përputhet me sjelljen, nëse ajo që kam shkruar për qytetarin e lirë vlen edhe për qytetarin që nuk pajtohet me mua, nëse Rinisja është vetëm një emër që po përpiqem ta rikthej apo mund të bëhet përsëri një punë që meriton të vazhdojë.
Sepse Rinisja nuk është Rinia.
Nuk është çështje moshe dhe nuk u përket vetëm të rinjve.
Rinisja do të thotë t’ia nisësh përsëri.
Dhe t’ia nisësh përsëri nuk do të thotë të shpallësh se gjithçka përpara teje ka qenë e pavlerë.
Përkundrazi, kërkon pjekurinë për të dalluar çfarë duhet ruajtur, çfarë duhet ndrequr dhe çfarë nuk duhet t’ia lëmë më trashëgim njëri-tjetrit.
Këtë dua të provojmë fillimisht në një përmasë shumë të thjeshtë.
A mund të takohemi politikisht pa i kërkuar njëri-tjetrit dorëzim?
A mund të jetë demokrati aty pa ma dhënë mua bindjen e vetë?
A mund të vijë një socialist që mendon se Shqipërisë i duhet ndryshim, pa u trajtuar si fajtor për votën e djeshme?
A mund të vijë dikush që nuk më njeh, vetëm për të parë?
A mund të jetë aty edhe njeriu që më kundërshton, pa e humbur dinjitetin sapo merr fjalën?
Nëse nuk dimë ta bëjmë këtë mes disa dhjetëra, disa qindra apo cilitdo numër njerëzish që realiteti do të sjellë, atëherë fjalët tona të mëdha për demokracinë vlejnë shumë më pak nga sa mendojmë.
Sepse Republika nuk provohet vetëm në Kushtetutë.
Provohet edhe në mënyrën si sillemi kur askush nuk na detyron të sillemi mirë.
Këtu hyn për mua Republika Hapet.
Jo si pretendim se unë kam fuqinë ta hap Republikën.
Nuk e kam.
As si shpallje se një takim më 21 gusht do të ndryshojë Shqipërinë.
Nuk e di këtë dhe nuk do ta pretendoj.
Është propozimi im për një kulturë tjetër politike, që ndryshimi të mos jetë kalimi i të njëjtit privilegj nga një dorë te tjetra, që e djathta të mbrojë lirinë edhe kur liria nuk voton për të, që shqiptaria të mos ketë nevojë për një armik për t’u ndjerë e gjallë, që lidhja jonë me Perëndimin të jetë zgjedhje qytetërimore e vendit dhe jo certifikatë personale e një qeveritari, që fëmijëve të mos u lëmë si trashëgimi faturën e ambicieve tona, dhe që kushdo që kërkon përgjegjësi publike të mësojë të pranojë një cak mbi veten përpara se t’ua kërkojë të tjerëve.
Këto janë bindjet e mia.
Nuk ua vendos si kusht atyre që do të vijnë.
Ua vendos përpara që të dini se çfarë po ju ftoj të gjykoni.
Dhe këtu dua të jem veçanërisht i qartë për nismën “Rama ikën”.
Unë besoj se cikli i Edi Ramës duhet të përfundojë përmes ndryshimit demokratik.
Por të kërkosh largimin politik të një kryeministri nuk do të thotë se ke fituar të drejtën të emërosh trashëgimtarin e tij.
As unë nuk e kam atë të drejtë.
Asnjë parti nuk e ka paraprakisht.
Atë të drejtë e ka qytetari me votën e vetë.
Prandaj tri fjalitë që kam zgjedhur nuk janë tre parulla të ngjitura njëra pas tjetrës.
Janë një sekuencë përgjegjësie:
Rama ikën.
Sepse një cikël politik mund dhe duhet të mbyllet demokratikisht.
Republika hapet.
Sepse largimi i një njeriu nuk mjafton nëse mbetet mënyra që e bën shtetin pronë të fituesit.
Qytetari zgjedh.
Sepse pas gjithë fjalëve tona, sovraniteti nuk më përket mua.
Më 21 gusht nuk do t’ju kërkoj të provoni madhësinë time.
Do të vij edhe unë për t’iu nënshtruar një prove shumë më të thjeshtë, nëse ajo që kam shkruar këto javë mund të qëndrojë përballë njerëzve realë.
Nëse mendoni se ia vlen ta shihni këtë provë nga afër, ejani.
Pa detyrim për t’u anëtarësuar.
Pa detyrim për të duartrokitur.
Pa detyrim për të më dhënë besimin përpara se ta meritoj.
Mjafton të vini me gjykimin tuaj.
Sepse ndoshta një Rinisje e denjë fillon pikërisht aty, jo kur një njeri gjen ndjekës, por kur disa qytetarë që nuk i detyrohen njëri-tjetrit asgjë vendosin të takohen dhe të shohin nëse mund t’ia nisin ndryshe.
21 gusht 2026 · ora 18:00 · Sheshi Skënderbej
Arian Galdini




Comments