Politika që nuk të lë të jetosh, nuk të çliron…

Nga Arian Galdini
Një vend mund të jetë politikisht i sëmurë edhe kur njerëzit flasin për politikë nga mëngjesi deri në darkë.
Madje ndonjëherë pikërisht atëherë duhet ngritur dyshimi.
Kur politika hyn në çdo tavolinë, në çdo miqësi, në punë, në familje, në marrëdhëniet mes fqinjëve, kur një lajm të përcakton humorin e ditës, një kryetar të hyn në darkë pa trokitur dhe një konflikt publik vazhdon të jetojë brenda teje edhe pasi ke mbyllur telefonin, njeriu nuk është bërë domosdoshmërisht më qytetar.
Mund të jetë bërë vetëm më i pushtuar.
Prej shumë vitesh Shqipëria jeton me një intensitet politik që nuk është gjithmonë shenjë demokracie.
Emrat janë kudo.
Përplasjet janë kudo.
Kampet kërkojnë përgjigje për çdo gjë.
Duhet të jesh me njërin ose me tjetrin, të reagosh sot, të zemërohesh nesër, të ndjekësh krizën e radhës, të dish çfarë tha njëri për tjetrin, të mbash mend episodin e fundit dhe të jesh vazhdimisht i gatshëm për një betejë që dikush tjetër ka zgjedhur.
Ndërkohë jeta e vërtetë pret.
Një njeri dëshiron të punojë mirë.
Të dashurojë.
Të rrisë fëmijët.
Të lexojë.
Të ketë miq që votojnë ndryshe.
Të kujdeset për prindërit.
Të ndërtojë një zanat.
Të shkojë në kishë a në xhami, ose të mos shkojë askund.
Të ketë një mbrëmje kur emri i asnjë politikani nuk hyn në shtëpinë e tij.
Edhe kjo është liri.
Madje një pjesë themelore e saj.
Një prej gabimeve të politikës moderne është bindja se qytetari më i mirë është ai që mobilizohet pa ndërprerje.
Nuk e besoj.
Një shoqëri e lirë nuk ka nevojë për njerëz që jetojnë njëzet e katër orë në ditë si militantë.
Ka nevojë për njerëz që dinë të hyjnë në çështjen publike kur duhet, të thonë fjalën e tyre, të mbrojnë atë që çmojnë dhe pastaj të kthehen në jetën e tyre pa pasur nevojë t’i kërkojnë leje politikës.
Sepse politika është vetëm një pjesë e njeriut.
Jo njeriu i tërë.
Në traditën europiane të lirisë, kjo ka qenë një fitore e jashtëzakonshme, krijimi i një hapësire ku pushteti nuk ka çfarë kërkon.
Shtëpia.
Ndërgjegjja.
Miqësia.
Besimi.
Krijimtaria.
Koha që njeriu ia jep atij që do.
Puna që bën jo për shtetin, jo për partinë, jo për një fushatë, por sepse dëshiron të bëjë mirë diçka që ia ka besuar vetes.
Kur politika kërkon t’i pushtojë edhe këto, ajo nuk po e zgjeron qytetarinë.
Po e varfëron njeriun.
Kjo më bën të mendoj ndryshe edhe për vetë idenë e angazhimit.
Nuk dua që një njeri të vijë sot dhe prej nesër të jetojë për politikën.
Do të ishte një humbje.
Dua që politika të bëhet aq normale, aq e kufizuar në kompetencën e saj dhe aq e parashikueshme në ligjin e saj, sa njeriu të mos jetë i detyruar të mendojë gjithë ditën për të.
Në një vend të shëndetshëm, qytetari nuk zgjohet çdo mëngjes për të pyetur çfarë do të bëjë sot qeveria me jetën e tij.
Ai e di se ekzistojnë caqe që nuk kapërcehen, institucione që kryejnë detyrën dhe të drejta që nuk varen nga temperatura e ditës.
Pastaj merret me jetën.
Kjo, për mua, është një ambicie politike shumë më e madhe sesa prodhimi i një shoqërie pasosmërisht e parreshtur të mobilizuar.
Të bëjmë politikë aq mirë, sa një ditë të mos kemi nevojë të bëjmë kaq shumë politikë.
Të mos ketë më nevojë që çdo njeri të bëhet ekspert zgjedhjesh për të mbrojtur votën e vetë, jurist për të ruajtur një të drejtë elementare, gazetar për të kuptuar çfarë po fshihet, militant për të mos u shtypur nga militanti tjetër.
Qytetaria nuk duhet të jetë profesion mbijetese.
Ajo duhet të jetë statusi normal i një njeriu të lirë.
Sonte, nuk dua të kërkoj prej askujt një jetë të re rreth politikës.
Nuk dua ta zëvendësoj një lodhje me një tjetër.
Nëse dikush ka ardhur, ka dëgjuar, ka menduar dhe tani dëshiron të kthehet te familja, puna, libri, miqtë apo vetmia e vetë, kjo nuk më duket mungesë përkushtimi.
Më duket arsyeja pse politika duhet të ekzistojë.
Që njeriu të mund të jetojë edhe jashtë saj.
Ndoshta shenja më e lartë e një Republike të pjekur nuk është sa shpesh i thërret njerëzit në shesh.
Është sa pak herë i detyron jeta publike të lënë gjithçka tjetër për t’u mbrojtur prej saj.
Unë nuk dua një Shqipëri ku politika bëhet fe, fis, profesion dhe ajër.
Dua një Shqipëri ku njeriu mund ta ushtrojë qytetarinë e vetë me dinjitet dhe pastaj të kthehet në shtëpi duke qenë përsëri shumë më tepër se vota e tij.
Sepse qëllimi i lirisë nuk është të prodhojë më shumë politikë.
Është t’i kthejë njeriut sa më shumë nga jeta që politika s’ka të drejtë t’ia marrë.
Arian Galdini





Comments