Porosia e Lasgushit!
- Arian Galdini

- 3 days ago
- 5 min read

Nga Arian Galdini
Më 29 mars 1930, nga Poradeci, Lasgush Poradeci i shkroi Dhimitër Paskos, ndërsa Shqipëria, ende e re si shtet, përpiqej t’u jepte qëndrueshmëri institucioneve dhe formë jetës së vetë publike.
Mbi atë vend të varfër, me analfabetizëm të gjerë e përditshmëri shumë më të ashpër se e jona, ai dallonte “një frymë të rëndë varfërie shpirtërore”, që zotëronte jetën dhe mbyste zërin lajmërues të shpresës.
Letra arrin deri te ne me një shqetësim që buron më pak nga largësia e botës së saj sesa nga afërsia e pazakontë me të cilën ajo fjali vazhdon të na njohë.
Në gati një shekull, breza të tërë i mbijetuan diktaturës, përjetuan hapjen e kufijve, ndërtuan shtëpi e biznese, ngritën shkolla e institucione, u arsimuan, emigruan, u kthyen, rritën fëmijë dhe ia ndryshuan fytyrën vendit.
Ta barazoje Shqipërinë e sotme me atë të vitit 1930 do të ishte pabesi ndaj gjithë kësaj historie.
Pikërisht madhësia e rrugës së bërë e rëndon atë që ka mbetur, sepse poeti mund ta ruajë rininë e vetë prej gjenisë, ndërsa plaga që emërtoi do të duhej të ishte plakur prej punës sonë.
Në shqipen e përditshme jeton një shprehje aq e zakonshme, sa goja e thotë përpara se mendja ta dëgjojë, shtyjmë kohën.
Shtyjmë një takim, një vendim, një punë që kërkon mund, një të vërtetë që kushton, një kthim që dhemb ose një pajtim për të cilin krenaria jonë ende nuk është gati, këto mund t’i zhvendosim në kalendar, ndërsa vitet vijojnë pa pyetur për datën e re që u kemi vënë punëve tona.
Ora ecën ndërsa vendimi mbetet në sirtar, dita mbyllet edhe kur puna nuk nis, fëmija rritet dhe prindi plaket.
Kur kthehemi te ajo që lamë për më vonë, mund ta gjejmë ende aty, por ne nuk jemi më ata që e lanë, kemi më pak ditë përpara, ndërsa disa mundësi kanë ikur përpara kthimit tonë.
Drejtësia ndaj njeriut të lodhur kërkon të shohim familjen që e mat muajin me pagën, prindin që e ka fëmijën jashtë, të riun që sheh favorin të peshojë më shumë se zotësia dhe qytetarin që pret prej vitesh një përgjigje nga ligji.
Ata kanë arsye të zemërohen, dhimbja e tyre është reale dhe ankesa mund të jetë forma e parë e dinjitetit, sepse njeriu që emërton padrejtësinë vazhdon ta kundërshtojë atë.
Varfërimi shpirtëror hyn më thellë, në çastin kur halli, pasi na ka marrë shumë, fiton edhe të drejtën të caktojë çfarë do të guxojmë të provojmë dhe zhgënjimi, nga dëshmi e asaj që na ka ndodhur, nis të sundojë atë që mund të bëhemi.
Kur ankesa, e lindur për të dëshmuar se diçka duhet ndrequr, bëhet vendbanim, politikani shqiptar arrin të flasë aq gjatë për “brezin e ri”, sa brezi i parë që quajti të ri ka kohë të bëhet gjysh.
Ndërkaq, qytetari që betohet se dita i del gjithmonë e shkurtër mban në dorë një aparat që, pa e qortuar fare, i dërgon çdo javë llogarinë e orëve të kaluara duke soditur jetët e të panjohurve.
Edhe ai që shkruan për humbjen e viteve hyn në të njëjtin gjyq, sepse mund ta përshkruajë me saktësi një të keqe për shumë kohë dhe prapë të mos rrezikojë asgjë për të ndryshuar pjesën që varet prej tij.
Çarja duket sapo kalojmë pragun e shtëpisë, sepse brenda saj dimë të jemi ndërtues, kursimtarë, kujdestarë e sipërmarrës, punojmë dy punë, mbajmë prindërit, shkollojmë fëmijët, ngremë një biznes në një gjuhë të huaj dhe, pasi rrëzohemi, nisim përsëri.
Përtej portës, ajo energji sikur humbet adresën, rrugën ia lëmë shtetit, shkollën ministrisë, lagjen bashkisë, kulturën artistëve dhe Republikën atyre që më pas i mallkojmë se na e kanë marrë, sikur e përbashkëta të kishte lindur prej një nëne tjetër.
Komunizmi e gjeti këtë prirje të hershme, e ushqeu gjatë dhe i dha formë shtetërore. E tashmja duhej duruar për hir të një së ardhmeje të premtuar nga lart, sakrifica ishte e menjëhershme, shpërblimi banonte gjithmonë në nesër dhe qytetarit i mbetej pritja si marrëdhënie me historinë.
Pas rënies së regjimit, zakoni mund të mbijetojë më gjatë se pushteti që e kultivoi.
Integrimi europian, drejtësia, reformat dhe qeverisja më e mirë janë synime të ligjshme, vartësia rikthehet sa herë presim që dikush tjetër t’i sjellë të përfunduara, bashkë me punën që na takon neve.
Durimi i jep pritjes një kuptim tjetër, ashtu si fara që qëndron nën tokë ndërsa brenda saj jeta punon, një pikëllim do kohën e vetë për t’u zbutur, një mendim piqet ngadalë dhe besnikëria dëshmohet duke i qëndruar provës së ditëve.
Durimi vlen për sa kohë ruan diçka që po rritet, ndërsa pritja zbrazet nga kuptimi kur ditët kalojnë dhe nën to asgjë nuk merr formë.
Përballë gjendjes që sapo kishte emërtuar, Lasgushi i shkroi Paskos pa pritur që Shqipëria të bëhej më parë një vend tjetër dhe e mbylli letrën me fjalët: “Dhimiraq, eja të punojmë, të tretemi, të shuhemi, për të krijuar në mes të vdekjes, një jetë të re.”
Vepra që lind prej një përgjigjeje të tillë mund të jetë një libër që i shton gjuhës frymëmarrje, një orë mësimi ku mësuesi u jep nxënësve kurajën për të menduar, ose një institucion që e trajton qytetarin me dinjitet.
Disa vendime dalin prej jetës sonë dhe vazhdojnë përtej nesh, një shkollë e lënë në mëshirë të improvizimit e zgjat dëmin përtej mandatit të ministrit, borxhi i firmosur sot rëndon mbi qytetarë që nuk morën pjesë në vendim, gjuha që varfërojmë, qyteti që shëmtojmë dhe institucioni që mësojmë t’i përkulet të fortit vazhdojnë të veprojnë pasi arsyet tona janë harruar.
Vitet që na janë besuar nuk mbarojnë krejt me ne, sepse një pjesë e pasojave të tyre hyn në jetën e njerëzve që ende nuk mund të na kërkojnë llogari.
Midis letrës së vitit 1930 dhe nesh, Shqipëria përjetoi monarkinë, pushtimin, luftën, diktaturën e izolimin, pastaj hapjen e kufijve, emigrimin dhe një shndërrim të thellë shoqëror.
Kjo histori na ndalon të fshihemi pas pohimit dembel se asgjë nuk ka ndryshuar, përballë gjithë asaj që është shndërruar, diagnoza e Lasgushit na detyron të shohim çfarë kemi ndërtuar dhe çfarë kemi lënë të ikë bashkë me vitet.
Një ditë, në vitin 2130, një shqiptar që do të na njohë vetëm prej gjurmës sonë mund ta hapë të njëjtën letër.
Ai nuk do të trashëgojë arsyet me të cilat i shpjeguam vetes vonesat, as lodhjen që na dukej bindëse ndërsa e jetonim.
Do të zgjohet në qytetin që i lamë, do të mendojë me gjuhën që pasuruam ose varfëruam, do t’u drejtohet institucioneve që i lamë në shërbim të qytetarit ose të përkulura para të fortit dhe do të jetojë brenda pasojave të vendimeve që morëm shumë përpara se ai të mund të thoshte një fjalë.
Kur ta lexojë atë letër, madhështia e poetit të vitit 1930 do t’i përkasë veprës së tij, mbi ne do të mbetet vetëm pyetja nëse, gjatë viteve që na u besuan, a arritëm më në fund t’ia japim atij të drejtën të bëhej i vjetër.
Arian Galdini




Comments