top of page

Pragu nuk është numër, është e drejta për të lindur politikisht!



Nga Arian Galdini


Reforma zgjedhore nuk është çështje formularësh, as marrëveshje zyrash ku partitë matin hijen që duan të hedhin nesër mbi Kuvend.


Aty provohet diçka më e thellë se teknika e votës, nëse qytetari shqiptar ka ende të drejtë të krijojë përfaqësim të ri, apo nëse jeta publike do të mbetet pronë e atyre që ruajnë pragun me fjalorin e ligjit.


LRE Rinisja qëndron kundër proporcionalit kombëtar me një zonë të vetme zgjedhore dhe lista të hapura, kur ky model paraqitet si çlirim, ndërsa në kushtet shqiptare rrezikon të bëhet përqendrim më i madh i fuqisë politike.


Një vend i tërë nuk mund të kthehet në një hyrje kombëtare ku kalojnë më parë ata që kanë para, ekran, administratë, patronazh, emër të imponuar dhe makineri të vjetër, ndërsa zërat e rinj gjykohen nga një rregull që nuk lindi për t’i dëgjuar.


Qëndrimi ynë kundër pragut 4% nuk vjen nga frika prej garës.


Gara është nder kur fusha është e lirë.


Por kur media nuk është e lirë, financimi politik nuk është i barabartë, administrata nuk qëndron mbi palët dhe vota rëndohet ende nga frika, nevoja e pazari, pragu i lartë nuk sjell rend demokratik.


Ai e kthen ligjin në roje të hyrjes.


Pragu 4% nuk pyet vetëm sa vota merr një parti.


Ai pyet nëse një qytetar ka ende të drejtë të ndërtojë alternativë jashtë rendit të vjetër PS - PD dhe rrethit që e mban në këmbë.


Pyet nëse pluralizmi do të jetë frymëmarrje e lirë politike, apo leje e dhënë nga ata që e trajtojnë skenën publike si pasuri të trashëguar.


Këtu nis e vërteta e kësaj loje.


Kur Berisha pranon propozimin e Lapajt, ai nuk po hap qendrën.

Po zgjeron hyrjen drejt saj pa ia lëshuar çelësin askujt.


Nuk po ia dorëzon opozitën së resë, po përpiqet ta fusë gjuhën e saj brenda arkitekturës së vjetër.


Mesazhi është i kthjellët, mund të kalosh, por nga dera ime, mund të flasësh për ndryshim, por brenda gravitetit tim, mund të quhesh aleat ose emërohesh “parti opozitare”, për sa kohë nuk bëhesh qendër.


Lapaj, në këtë pikë, prek rrezikun më të madh të çdo force që u paraqit si anti-sistem, të shndërrohet në alibi morale për një formulë që mund të mbytë ata që janë më të vegjël se vetja.


Një lëvizje që thotë se vjen për të çarë rendin e vjetër nuk mund të bëhet pastruesi i tij publik.


Kur e reja përdoret për të mbyllur kalimin e të tjerëve, ajo nuk e prish mekanizmin, i jep fytyrë më të pranueshme.


Shehaj, Qori dhe zërat që e lexojnë pragun si goditje ndaj shumësisë reale kanë prekur pjesën e dukshme të plagës.


Por plaga është më e thellë se një përqindje.


Asnjë garë nuk bëhet e lirë kur disa hyjnë me media, fonde, administratë, lidhje interesi dhe patronazh, ndërsa të tjerëve u kërkohet të mbërrijnë te qytetari me duar bosh dhe të ndalen pastaj nga një rregull i shkruar në emër të stabilitetit.


Pa këtë të vërtetë, reforma bëhet rend i pastruar për përjashtimin.


Lista hapet, hyrja mbyllet.


Qytetarit i jepet më shumë lëvizje brenda një liste, ndërsa i merret mundësia të krijojë një alternativë jashtë së njëjtës arkitekturë që e ka lodhur vendin.


Një reformë që shton zgjedhjen brenda listës, por pakëson lindjen jashtë saj, nuk e zgjeron Republikën.


Ajo vetëm e bën më të rregullt përjashtimin.


LRE Rinisja flet nga pragu më i vështirë dhe më i kthjellët i këtij debati, nga pragu ku një forcë politike me emër, njerëz, ide, dokumente, zë e sakrificë është trajtuar sikur nuk ekzistonte.


Mohimi, bllokimi, përjashtimi dhe heshtja kapilare nuk janë për ne teori mbi sistemin, janë prova jonë e jetuar.


Flasim nga pragu ku kuptohet më qartë se çfarë ndodh kur ligji, pasi humb drejtësinë, merr përsipër të caktojë kush shihet dhe kush lihet jashtë pamjes.


Nuk kërkojmë privilegj.


Kërkojmë fushë të lirë.


Nuk kërkojmë dhuratë.


Kërkojmë që ligji të mos bëhet roje e hyrjes kundër rrënjëve të reja.


Nuk kërkojmë tavolinë pazari.


Kërkojmë Republikë ku çdo zë i ndershëm të matet para qytetarit, jo të ndalet përpara se qytetari ta dëgjojë.


Demokracia nuk mbrohet duke hapur listat dhe duke mbyllur lindjen politike.


Nuk mbrohet duke i dhënë votuesit iluzion zgjedhjeje brenda një forme të kontrolluar, ndërsa hyrja mbyllet për ata që vijnë nga jashtë sistemit.


Pragu nuk është numër.


Është e drejta për të hyrë në Republikë.


Dhe një Republikë që e mbyll këtë hyrje para forcave të reja ( jo thjesht të reja si kohë, por thellësisht të reja si përmbajtje, thelb e mendësi) nuk po reformon zgjedhjet.


Po e vesh me ligj frikën e së vjetrës nga liria.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page