Prej sot, LRE Rinisja hyn në një fazë të re
- Arian Galdini

- 4 days ago
- 2 min read

Nga Kuvendi Programatik i 21 gushtit nuk dolëm me një kurorë për veten, por me disa vendime, detyra dhe objektiva që duhet të marrin jetë në javët e muajt që vijnë.
Hapi i parë është hapja e anëtarësimit në LRE Rinisja.
Çdo qytetar që e ndjen se bindjet, historia dhe drejtimi ynë politik i flasin ndërgjegjes së tij, mund të na kontaktojë dhe të kërkojë të bëhet pjesë e kësaj përpjekjeje.
Ftesa u drejtohet shqiptarëve në çdo qytet e fshat të vendit, si edhe kudo ku jeton mërgata jonë.
Nuk po shpallim struktura që ende nuk ekzistojnë.
Po nisim punën për ngritjen dhe ringritjen e tyre.
Atje ku ka një njeri që dëshiron të marrë nismë, mund të lindë një takim.
Atje ku disa qytetarë duan të njihen me Rinisjen, ne do të përpiqemi të shkojmë, t’i dëgjojmë dhe t’u përgjigjemi pa ceremoni të kota.
Nuk do të presim që një sallë të mbushet përpara se të ulemi me njerëzit.
Një takim me një, tre, pesë apo dhjetë qytetarë ka vlerë, kur prej tij lind njohje e vërtetë, përgjegjësi dhe mundësia për t’u takuar përsëri.
Çdo qytetar mund të marrë nismën për një takim në lagjen, fshatin, qytetin apo vendin ku jeton, duke u lidhur dhe bashkërenduar paraprakisht me LRE Rinisjen.
Nisma “Kafe me Galdinin” do të vijojë pikërisht në këtë frymë, si mundësi takimi të drejtpërdrejtë, njohjeje dhe afrimi me njerëzit që duan të dëgjojnë, të pyesin, të kundërshtojnë apo të shohin nga afër çfarë përfaqësojmë.
Për t’u anëtarësuar, për të organizuar një takim ose për të marrë informacion:
Inbox në Facebook
WhatsApp / telefon: 068 406 0131
Në shtator do të bëjmë publike edhe kriteret, rregullat dhe procedurën me të cilën LRE Rinisja do të përzgjedhë kandidatët e saj për këshillat bashkiakë dhe për drejtimin e bashkive në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Deri atëherë nuk do të ketë premtime private, emërime të parakohshme apo kandidatura të fituara me afërsi.
Kush kërkon të përfaqësojë Rinisjen, duhet së pari të dijë çfarë përfaqëson Rinisja dhe çfarë përgjegjësie merr mbi vete përballë qytetarit.
Më 21 gusht dolëm nga ekrani i live në rrjetet sociale dhe u takuam.
Prej sot duhet të provojmë diçka më të vështirë, se dimë ta kthejmë një takim në punë, një njohje në besim dhe një nismë në vazhdimësi.
Ia kemi rinisur.
Tani fillon përgjegjësia.
Bekime e përqafime,
Arian Galdini
LRE Rinisja




Comments