Pronësia e së Dukshmes!

Nga Arian Galdini
Një popull nuk verbohet vetëm kur i mbyllen sytë.
Ndonjëherë verbohet kur dikush tjetër i zotëron dritën.
Kjo është sëmundja më e hollë e medias në Shqipëri, jo censura me çizme, jo urdhri i shkruar, por varësia e qetë që e mëson redaksinë ta ndiejë kufirin përpara se kufiri të shqiptohet.
Kur pronari i ekranit pret nga shteti një leje, një koncesion, një tender, një status strategjik, redaksia nuk ka nevojë të urdhërohet.
Ajo kupton vetë çfarë duhet zmadhuar, vonuar, lodhur, çfarë nuk duhet parë.
Këtu fjala nuk vritet.
I merret mushkëria.
Goja mbetet hapur, por ajri i jepet dikujt tjetër.
Sipas një analize të Open Data Albania / AIS, të raportuar nga VOA në 2023, pjesa dërrmuese e televizioneve kryesore shqiptare përqendrohej në pak familje e individë, me interesa ekonomike të lidhura me vendime publike.
Vlerësimet e mëvonshme nuk e rrëzojnë shqetësimin, përqendrimi dhe varësitë ekonomike-politike mbeten rreziqe strukturore.
Ky nuk është vetëm problem tregu.
Është problem Republike.
Sepse televizioni nuk është vetëm biznes.
Është organ i ndërgjegjes publike.
Aty qytetari mëson çfarë të shohë, çfarë të harrojë, kujt t’i besojë, kujt t’i druhet.
Kush zotëron ekranin, prek kujtesën, frikën dhe shpresën e qytetarit.
Prandaj beteja nuk është vetëm për lajmin.
Është për perimetrin e së dukshmes.
Kur bregu, laguna, ishulli, investimi, protesta dhe qytetari hyjnë në të njëjtën fjali publike, pyetja nuk është, çfarë ndodhi?
Pyetja është, kush vendos çfarë duket?
Lajmi nuk zhduket, shtyhet pas debatit. Kamera nuk fiket, qëndron pak më larg. Pyetja nuk ndalohet, rrethohet me zëra, sa qytetari harron pse u bë.
Atëherë media nuk është më dritare.
Është perde me ndriçim.
Një popull pa media të lira nuk është thjesht i painformuar.
Është i stërvitur të jetojë me gjysmë-dritë.
Gjysmë-drita është më e rrezikshme se errësira, sepse errësira të thotë se nuk sheh.
Gjysmë-drita të bind se pe mjaftueshëm.
Aty pushteti duket më i butë, biznesi më patriotik, qytetari më i vogël dhe e vërteta më e lodhshme.
Kjo nuk është thirrje kundër medias.
Është thirrje për ta shpëtuar median nga robëria e varësisë.
Nuk është kundër biznesit.
Është kundër modelit ku ekrani bëhet mburojë për interesa jashtë ekranit.
Republika nuk ka nevojë për media që e zëvendësojnë varësinë me urrejtje.
Ka nevojë për media që nuk varen prej pushtetit.
Ka nevojë për pronësi të dukshme, financim të dukshëm, konflikt interesi të kontrolluar dhe redaksi të ndara nga koncesioni.
Sepse qytetari nuk është audiencë për t’u menaxhuar.
Është sovran që ka të drejtë të shohë.
Dhe kur një shoqëri humb dritën me të cilën sheh, nuk i duhet më dikush t’ia mbyllë sytë.
Mjafton t’ia zotërojë dritën.
Në Republikë, askush nuk duhet ta ketë në pronësi dritën me të cilën qytetari sheh.
Arian Galdini
Shënim: Të dhënat i referohen analizës së Open Data Albania / AIS, raportuar nga VOA në 2023
Komisioni Europian, Media Pluralism Monitor dhe RSF vijojnë të theksojnë përqendrimin e pronësisë, pronësinë e kryqëzuar, mungesën e transparencës dhe varësitë ekonomike-politike si rreziqe strukturore për pluralizmin dhe pavarësinë editoriale.





Comments