top of page

Pse Alfabeti i njohjes?

Aug 5
2 min read

Sepse:


Unë nuk jam në media.


Nuk kam asnjë mundësi ta shpërndaj qartë e në mënyrë të organizuar e strukturuar mesazhin tim, ngase kam vetëm Rrjetet e mia Sociale si të vetmen Platformë Komunikimi.


Por Rrjetet Sociale kanë 3 kurthe të mëdha.


1. Njerëzit të ndjekin kryesisht shumë përciptazi e sipërfaqësisht. Njerëzit në shumicë dërrmuese nxitojnë të të njohin, përcaktojnë, përkufizojnë, përmbledhin dhe të të gjykojnë ose me postimin e parë që u del para syve, ose me një bashkim të rastësishëm postimesh që mund të të kenë parë, dëgjuar apo ndjekur krejt shkarazi kur u ka dalë rasti. Ama, jeta dhe mendimi i njeriut nuk përmblidhet dot në stacione periferike… Jeta e njeriut është e skalitur nga udhëtime të plota dhe destinacione. Rrjetet Sociale janë të pamundura për njerëz si unë që mungojnë në media.

Sepse, unë nuk komunikoj për vëmendje, komunikoj për mendim. Po të doja vëmendje, nuk humbisja kohë fare të sqaroja askënd me pyetjen: A më njihni?

Dua mendim. E mendimi nuk kalon, aty ku të gjykojnë pa të njohur.

Njerëzit janë mësuar ose me “figura publike” e “politikanë” që kanë në Rrjetet Sociale vazhdimin e “bisedave” që bëjnë në media.

Ndërsa unë jam krejt nisje e një bisede e mënyre të re të menduari, e kush nuk më ndjek në plotësi, e kush refuzon të më njohë e ka të vështirë të më kuptojë, sidomos kur nxitohen të më fusin në “klishetë” e zakonshme të Botës Virtuale, Publike e Mediatike.


2. Shumica dërrmuese e njerëzve, nëse nuk të njohin, të skualifikojnë pa provuar edhe të të njohin, në momentin që e shohin që ti nuk je në “kampin e tyre”…


Pra nëse janë me X parti a bindje politike, dhe menjëherë e kuptojnë në fjalët e mia, se unë nuk jam me “taborin e tyre”, vetvetiu më konsiderojnë të anës e palës tjetër. Të njëjtën gjë bëjnë edhe ata që janë me Y parti a bindje politike, të gjithë me radhë.

Dmth, kur ti nuk je as me X e as me Y e me asnjërën, njerëzit nuk të kuptojnë, të refuzojnë pa të lexuar e pa të dëgjuar fare, sepse sipas tyre ti je “Armiku” i krahut tjetër.


3. Parti e Mëdha e të vjetra dhe Partitë e Reja, janë në Sistem sepse janë në media. E të gjitha bashkë kanë mundësi e fuqi të orientojnë mendim negativ me “militantë të porositur apo ndërzyer” kundër dikujt që e kanë “bezdi” e “halë në sy”. Mos të harrojmë se këta kanë përveç ushtrive me militantë edhe “milici virtuale vreri”, “trollitantë”, callcentera, me pafundësi profilesh negative… Sulmi e balta e tyre dhe disinformimi e keqinformimi që ata bëjnë e ndosin çdo mesazh e çdo emër njeriu të mirë.


Kësisoj, jam i detyruar të ndjek një strategji minimale riprezantimi, që në mundsha, të gjej kanal komunikimi me atë masë qytetarësh, aq sa janë, pak apo shumë, e që mendojnë si unë e ndihen të përfaqësuar nga zëri im.


Paqe🇦🇱🫶

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page