Pse Shqipërisë i duhet tani Pakti Kombëtar i Urtisë?
- Arian Galdini

- Jan 27
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Para Kryeministrisë, prej kohësh kthehet e njëjta pamje, një thirrje dhe një datë tjetër, sikur ndryshimi të ishte orar, jo rend. Berisha e njeh këtë si rit të vjetër pushteti, Lapaj e sheh si shpejtësi të re, të tjerë i vënë emra të rinj së njëjtës nxehtësi.
Emrat ndërrojnë, por metoda mbetet, grumbullim, fjalë të forta, numërim turmash, shpërndarje, përsëritje.
Dhe kur përsëritja bëhet mënyra kryesore e të bërit politikë, qytetari mëson të jetojë me zjarrin e çastit dhe të mos kërkojë më gjurmë.
Këtu nis lodhja që nuk ndreq, zemërimi kthehet në ritëm, ritmi kthehet në parashikueshmëri, parashikueshmëria kthehet në dhuratë për pushtetin.
E drejta për të protestuar është e ligjshme dhe e domosdoshme, një shoqëri pa të do të ishte e pafuqishme.
Por kur protesta kthehet në industri, ajo prodhon jehonë, jo rregull.
Pushteti që s’do provë do mjegull, sepse mjegulla e bën përgjegjësinë të duket si detaj dhe e bën të vërtetën të duket si “interpretim”.
Në atë mjegull, sheshi humb funksionin e vet moral, kthehet në peizazh të përditshëm, dhe peizazhi, kur bëhet i përditshëm, administrohet më lehtë se rregulli.
Një pushtet i dobët e do këtë, zhurmën e menaxhon, provën e frikësohet.
Në një vend të vogël, sovraniteti matet me një provë të vetme, a guxon t’i kërkojë llogari vetes kur shkel ligjin.
Aty matet.
Një shtet nuk është i lirë sepse flet me zë, por sepse vendos me ligj, një komb nuk ngrihet sepse thërret më fort, por sepse e pranon provën edhe kur djeg.
Kjo është arsyeja pse mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe e Departamentit të Shtetit për institucionet e ligjit në Shqipëri nuk lexohet si “favor”, por si respekt i ftohtë, ligj, procedurë, provë.
Kjo vijë amerikane nuk kërkon duartrokitje, kërkon disiplinë shteti.
Vetë Ambasada e SHBA në Tiranë e ka vendosur publikisht luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut si përparësi, duke e lidhur qartësisht me SPAK dhe BKH.
Dhe ka shenja të prekshme, urimi publik për diplomimin e një hetuesi të SPAK/BKH në FBI National Academy nuk është dekor, është investim në muskujt e provës.
Në këtë frymë, vetë Sekretari i Shtetit Marco Rubio shfaqet si titullar në janar 2026 dhe theksi i Departamentit të Shtetit shkon te rendi, kundër rrjeteve që shesin drogë e blejnë politikë.
Këtu pro-amerikanizmi merr formën e vet dinjitoze, metodë shteti, jo këngë për fuqi.
Do të thotë ligji mbi telefonin, prova mbi rrëfimin e ditës, gara e hapur mbi rrjetin e mbyllur.
Pro-SPAK do të thotë pranim i të njëjtit rregull edhe kur çështja troket te “i yti”, sepse drejtësia që vlen nuk njeh shije kampi.
Shqiptarizmi, në kuptimin e pastër, është barazi para ligjit, dinjitet qytetar mbi privilegj rrethi, parim mbi alibi, nder si sjellje e verifikueshme, jo si flamur që mbulon turpin.
Pikërisht këtu Edi Rama bëhet problem parimor, jo thjesht problem pushteti.
Ai e ka ndërtuar qeverisjen si mjeshtëri alibie: kërkohet firmë përgjegjësie, del konferencë pa firmë, kërkohet llogari, del “stabilitet”, kërkohet dosje, del rrëfim.
Kjo është mënyra si shteti rrëshqet nga shtëpi ligji në strehë interesash pa pasur nevojë të shpallë asgjë, sepse e shpall vetë sjellja, pushteti nuk përgjigjet, arsyeton.
Në këtë klimë, çdo sulm ndaj SPAK-ut dhe çdo relativizim i provës është përpjekje për ta kthyer drejtësinë në skenë dhe ligjin në dekor, që askush të mos paguajë kosto personale.
Dhe këtu vjen e vërteta e pakëndshme për zhurmën opozitare, kur tre-katër grupime e kthejnë sheshin në mënyrë të vetme të të bërit politikë, ata i shërbejnë pikërisht mekanikës që pret Rama.
Në vend të provës, prodhohet ritëm, në vend të llogarisë, prodhohet temperaturë, në vend të pasojës, prodhohet shpërndarje.
Rama fiton dy herë, një herë me regjinë e vet, një herë me peizazhin e parashikueshëm të kundërshtarëve.
Mbi këtë, asnjë qytetar serioz nuk e ndërton dot të nesërmen.
Pakti Kombëtar i Urtisë dhe Kuvendimi Kombëtar i Urtisë lindin si kundër-arkitekturë, as program partie, as garë zgjedhore, por marrëveshje sjelljeje që lidh fjalën me provën dhe pushtetin me pasojën.
Standardi është i thjeshtë e i prerë, fjala kërkon provë, vendimi mban pasojë, nderi matet me sjellje të verifikueshme.
Kuvendimi është trupi i kësaj marrëveshjeje, barazi fjale, masë, dhe një pyetje-busull që i mban të gjithë në dritë: “Ku janë provat?”, që çdo fjali të kthehet te gjurma, jo te turma.
Kështu protesta kthehet sërish në mjet, jo në industri, mjeti hap vëmendjen, rregulli e mban hapur derën.
Këtu hyn Shqipëria Mendonjëse, jo si slogan i butë, por si standard i rreptë.
Shqipëria Mendonjëse e mat fjalën me masë dhe nderin me barazi para ligjit, Perëndimin e merr si metodë, kontroll, standard, meritë, llogaridhënie.
E pranon se ndryshimi matet me pasojë dhe se pasojën e mban vetëm institucioni kur nuk dridhet nga telefoni.
Ajo nuk e mohon zemërimin, e fut në masë, e kthen në vendim, dhe vendimin e lidh me procedurë, që fëmijët të mos trashëgojnë një vend ku britma zë vendin e mendimit.
Unë e mbaj të kthjellët edhe të vërtetën time si themelues dhe ish-Kryetar i LRE - Rinisja, sot anëtar i thjeshtë dhe uroj e shpresoj si shtyllë doktrinore e morale e saj.
Kjo nuk e bën këtë thirrje partiake, sepse kjo udhë nuk lind për poste dhe nuk kërkon vota.
Lind për të kthyer ndryshimin nga zhurmë në rregull, nga thirrje në provë, nga pamje në shtet.
Dhe kur kjo ndodh, skena para Kryeministrisë s’e humb të drejtën e vet; humb monopolin.
Në vend të datës së radhës, mbetet një pyetje që kërkon përgjigje me gjurmë, dhe një shoqëri që, më në fund, nuk e shpenzon energjinë duke u përsëritur, por duke u ndrequr.
Arian Galdini
🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱
.png)











Comments