Pse vazhdojnë bashkë?
- Arian Galdini

- 9 minutes ago
- 3 min read

(Kujdes, nuk e kam me Protestën e për Protestën. Nuk e kam me Revolucionin e për Revolucionin. Jo. E kam vetëm me “Ata” e vetëm për “Ata” që unë i quaj Matrapazët e Zemëratës. Respekt e nderim pafund për Qytetarët me Plagë dhe për Protestuesit e sinqertë e të vërtetë në Sheshin e Bulevardin e Protestës. Neveri pafund për Matrapazët e Zemëratës..)
Nga Arian Galdini
Sepse asnjëri nuk e ka trupin vetëm.
Ky është sekreti.
Berisha nuk e zotëron dot, sepse thirrjet anti-Berisha dhe anti-duopol e mbajnë larg pronësisë së plotë.
Mikrofonarët nuk e zotërojnë dot pa e kthyer në aparat.
Ideologët nuk e zotërojnë dot sepse nuk mbajnë kosto në terren.
Diaspora nuk e zotëron dot përditë sepse nuk është trup i përhershëm në shesh.
Qytetari i ndershëm nuk e zotëron dot sepse nuk ka strukturë.
Prandaj krijohet bashkëjetesë e keqe, secili ka pak, askush nuk i ka të gjitha.
Kjo është arsyeja pse shajnë njëri tjetrin papushim kudo e ngado, urrehen e ndërakuzohen mes vedi, e prapë mbeten bashkë.
Ata nuk po bashkëpunojnë si organizëm, po bashkëjetojnë si bashkëpronarë të paqartë të një prone që nuk është e tyre, zemërimit qytetar.
Çfarë duan të fitojnë?
Jo të gjithë duan të njëjtën gjë.
Disa duan rrëzimin e Ramës.
Disa duan “qeveri teknike”.
Disa duan të dalin si përfaqësues të protestës.
Disa duan kontakt me diplomatë.
Disa duan të faktorizohen për zgjedhjet e ardhshme.
Disa duan të pastrojnë biografi.
Disa duan ta përdorin protestën si lavatriçe morale.
Disa duan të thonë nesër: “ne ishim zemra e Revolucionit”.
Pra nuk po luftohet vetëm kundër Ramës.
Po luftohet për trashëgiminë e anti-Ramës.
Pra po tentohet që qytetari të merret hua edhe duke u lavdëruar.
Ndërkohë, Rama po bën pritje aktive.
Ai nuk ka nevojë ta shtypë a sulmojë Protestën çdo natë.
I leverdis që protesta të vazhdojë mjaftueshëm për të treguar liri formale, por jo aq fort sa të krijojë krizë të pakontrollueshme.
Ai po e lë të ritualizohet, ndërkohë që e kundërvendos me “shtetin që punon”: turizëm, evente ndërkombëtare, NATO/BE, ekonomi, imazh.
Çështja Kanye është shembulli më i qartë. Reuters raportoi se Rama mbrojti vendimin për €4 milionë për koncertin, duke thënë se duhej shmangur “turpërimi” i Shqipërisë para rreth 25 mijë vizitorëve nga 80 vende dhe se eventi pritej të sillte të paktën €100 milionë të ardhura.
Pra Rama e kthen akuzën “abuzim me para publike” në “investim imazhi/turizmi”.
Kjo nuk e bën të drejtë, por i jep narrativë për publikun gri: “ata bërtasin, unë sjell botën”.
Çfarë fiton Rama nga dita në ditë?
Fiton kohë, normalitet, mundësi për të parë çarjet e Konglomeratit të Mikrofonit e Prapaskenës së Protestave, dhe mundësi për ta zhvendosur debatin nga Zvërneci/Sazani te kaosi i konglomeratit.
Berisha fiton oksigjen pa e zotëruar protestën.
Për të mjafton që çdo natë të dëgjohet “Rama ik”, “Rama në burg”, “qeveria të largohet”.
Edhe kur e shajnë atë bashkë me Ramën, ai prapë përfiton nga anti-Rama.
Ai nuk ka pse të jetë pronar.
I mjafton të jetë përfitues i temperaturës.
Por ka një kufi, anti-duopoli e pengon.
Protesta që thërret edhe kundër Berishës nuk mund të bëhet lehtësisht instrument i pastër i PD-së.
Pra Berisha fiton nga zjarri, por nuk e merr dot shtëpinë.
Ai do që protesta të mbetet gjallë sa për të gërryer Ramën, por jo aq e pastër anti-duopol sa të lindë një opozitë që e nxjerr edhe atë jashtë loje.
E konglomerati?
Konglomerati po hyn në fazën e pasqyrës.
Secili po sheh te tjetri atë që do të fshehë te vetja.
Mikrofonarët i quajnë kritikët përçarës sepse nuk duan pyetje për mandatin.
Ideologët flasin për qytetarin, por shmangin qytetarin konkret që kërkon njohje të plagës.
Partitë e reja flasin për të renë, por përdorin metoda të vjetra mobilizimi, patronazhimi dhe sulmi.
PD-ja përfiton nga anti-Rama, por nuk do anti-duopol të vërtetë.
Rama flet për shtet-imazh, por ka plagën e pronës, mjedisit, korrupsionit dhe transparencës.
Qytetari i ndershëm rrezikon të mbetet dekor i të gjithëve.
Kjo është arsyeja pse konglomerati nuk ndahet, sepse ende ka mall për të ndarë.
Malli është zemërimi i qytetarëve të ndershëm e të sinqertë.
Kaq
Arian Galdini
.png)



Comments