Puna ka një çmim para se të japë pagë…

Në gusht, inflacioni vjetor ishte 3,2%.
Grupi i transportit shënoi rritje 12% krahasuar me një vit më parë.
Kjo nuk do të thotë se çdo shqiptari i është shtrenjtuar njësoj rruga për në punë.
Por mjafton për të hapur një pyetje që mungon sa herë Edi Rama na flet për rritjen ekonomike, punësimin dhe pagat:
Sa i kushton shqiptarit ta fitojë pagën që qeveria numëron?
Sepse puna nuk fillon kur njeriu hyn në zyrë, fabrikë, dyqan apo kantier.
Fillon kur mbyll derën e shtëpisë.
Paga ende nuk ka ardhur.
Shpenzimi po.
Njeriu paguan rrugën për të mbërritur te vendi ku do të fitojë të ardhurën e vetë.
Paguan me para, por jo vetëm me para.
Paguan me kohë.
Dhe, kur është prind, një pjesë të asaj kohe e merr nga dita që do të kishte me fëmijën.
Kjo është kostoja e hyrjes në punë.
Nuk shkruhet në kontratë.
Zbritet nga jeta.
Ne jemi mësuar ta shohim punën nga ajo që jep.
Paga, sigurimet, karriera, prodhimi.
Por duhet të mësojmë të shohim edhe çfarë kërkon prej njeriut përpara se t’i japë qoftë edhe lekun e parë.
Sepse një vend pune nuk bëhet mundësi e plotë ekonomike vetëm ngaqë ekziston.
Duhet të mund të arrihet.
Nëse rruga deri tek ai kërkon gjithnjë e më shumë nga të ardhurat, nga koha dhe nga jeta familjare, atëherë statistika e punësimit tregon vetëm gjysmën e së vërtetës.
Paga nominale nuk tregon sa nga puna i mbetet njeriut.
Aty dua ta gjykoj edhe ekonominë e Edi Ramës.
Jo duke i ngarkuar qeverisë çdo çmim që ndryshon në treg.
Jo duke i kërkuar shtetit të caktojë çmimin e çdo litri, bilete apo shërbimi.
Por duke i kërkuar llogari për atë që pushteti mund ta ndikojë: barrën fiskale mbi lëvizjen, konkurrencën dhe një transport publik që duhet ta zvogëlojë koston e hyrjes në punë, jo ta rëndojë atë.
Sepse liria ekonomike nuk është vetëm e drejta për të kërkuar punë dhe për të marrë pagë.
Është mundësia që puna të të bëjë më të pavarur pasi ke paguar koston për të arritur tek ajo.
Këtu ndahem thellë nga modeli politik që e sheh qytetarin kryesisht pasi ai ka nevojë për ndihmë.
Mbështetja publike është detyrim qytetërues ndaj atij që nuk mund ta përballojë barrën vetëm.
Por qeveria nuk mund ta quajë sukses një ekonomi që e bën pavarësinë gjithnjë e më të kushtueshme dhe pastaj e administron varësinë që lind prej saj.
Puna duhet t’i japë njeriut mundësinë të mbajë veten dhe familjen me dinjitet, jo ta çojë te dera e pushtetit për atë që puna e tij duhej t’i kishte dhënë.
Dhe pikërisht familja zbulon një pjesë të kostos që tabelat ekonomike pothuaj nuk e shohin.
Për prindin, largësia nga puna nuk matet vetëm në kilometra.
Matet në orë.
Paraja e shpenzuar lë faturë.
Ora që mungon në shtëpi nuk lë asnjë.
Por edhe ajo është paguar.
Këtu ekonomia bëhet çështje më e madhe se paga.
Bëhet çështje kohe njerëzore.
Një vend mund të rrisë të ardhurat dhe, në të njëjtën kohë, t’ia bëjë njeriut më të kushtueshme rrugën drejt tyre.
Mund të krijojë vende pune dhe t’i vendosë ato aq larg, aq keq të lidhura ose aq shtrenjtë për t’u arritur, sa një pjesë e mundësisë të humbasë përpara se puna të ketë filluar.
Prandaj dua që Shqipëria të fillojë ta bëjë edhe këtë llogari.
Jo vetëm sa është paga.
Por sa kushton hyrja në punë.
Jo vetëm sa njerëz figurojnë të punësuar.
Por sa nga e ardhura e tyre mbërrin vërtet në shtëpi pasi kanë paguar rrugën drejt saj.
Jo vetëm sa orë punojnë.
Por sa kohë kërkon puna prej jetës së tyre përpara dhe pas orarit që figuron në kontratë.
Të dhënat duhet ta provojnë përmasën e problemit.
Nuk kam nevojë ta shpik përgjigjen për ta bërë pyetjen të vlefshme.
Por Edi Rama nuk mund të kërkojë të gjykohet vetëm nga shifrat që fillojnë pasi shqiptari ka mbërritur në punë.
Ekonomia e njeriut fillon më herët.
Te dera e shtëpisë.
Dhe aty duhet të fillojë edhe llogaria e qeverisë.
Sepse paga tregon sa merr njeriu nga puna.
Një ekonomi njerëzore duhet të dijë edhe sa prej njeriut kushton ajo punë.
Arian Galdini





Comments