Qetësohuni, ju lutem
- Arian Galdini

- Sep 21
- 3 min read

Qetësohuni, ju lutem.
Kam dhënë dorëheqjen.
Nuk jam më në politikë.
Jam kthyer në askundin tim, në asgjënë time, në Askushin e Madh.
S’ka më arsye të më turrni ushtri virtuale mllefi e vreri, për të vazhduar kaq ligësisht e vrazhdësisht ende të më shani e mallkoni papushim.
Nuk jam në garë, nuk jam mëtonjës, nuk jam as në “perceptimgarë” e as si “perceptimmëtonjës”.
E kam lënë mënjanë çdo drejtim që mbajta…
E kam dorëzuar LRE…
E kam dorëzuar angazhimin e përfshirjen politike e çdo lloj e formë loje politike..
LRE mbetet mision e frymë, por jo më nën emrin tim, apo prej emrit tim.
Unë vetë jam vetëm thjesht një njeri i zakonshëm në vetminë e tij tashmë.
Jam kthyer në askushërinë time.
Nëse prej vitesh keni shpenzuar propagandë, baltë e shpifje për t’u thënë militantëve tuaj, e gjithë trushkulurve e trushplarëve tuaj, se Arian Galdini është mashtrues, delirant, i pavlerë, njeri “kot”, ja ku ju erdhi edhe koha e dita për ta dhënë provën tuaj se vërtetë e besoni atë që ua keni injektuar për vite, tuajve.
Më shpërfillni e më braktisni në vetminë time.
Më lini në paqe e qetësi.
A mundeni?
Nëse jam askushi, mos u merrni me mua.
Nëse jam i pavlerë, më lini në pavlerësinë time.
Nëse jam kot, më lini në kotësinë time.
Kaq.
Kaq e thjeshtë është.
S’kam borxh te askush.
S’i detyrohem askujt.
Nuk kam qenë kurrë as i suksesshëm, as i zgjedhur, as i emëruar askund, për asnjë sekondë.
Nuk kam patur kurrë asnjë rol, detyrë, ofiq, ap vëmendje publike apo përfillje institucionale apo popullore që të konsiderohem se kam qenë ndonjëherë diku a dikushi sipas kritereve dhe matricave që vlerësojnë njerëzit sot…
Prej ditës që kam nisur të përpiqem për diçka, kam qenë i mohuari i madh, i dështuar sipas atyre arritjeve që njeh sistemi e kultura e formësuar e njeriut, pra me pak fjalë kam qenë e ende jam kampion i dështimeve dhe kampion i dështakëve…
Unë nuk i trembem emërtimit të asgjëje, qoftë edhe sipas rregullave tuaja e kritereve tuaja dhe standarteve tuaj e gjuhes suaj.
Si të doni i emërtojmë gjërat.
Mua nuk më prish asnjë punë.
Sepse nuk kam nevojë për asgjë e asnjë nga ju.
Aq më pak kam nevojë për konfirmimin a vlerësimin e ndokujt….
Kam jetuar si besimtar i vendosur e me luftën e brendshme dhe të ashpër për të qenë besimtar sa më i ndershëm e sa më i vërtetë para Zotit tim. Dhe kjo më mjafton.
Më mjafton besimi im dhe Zoti im.
Jam ndjekës i Jezusit.
Dhe nëse ai u kryqëzua për mua, e për gjithë botën, gozhdët e mohimit tuaj e poshtërimit tuaj, e ultësimit tuaj, mbi mua janë kthyer si gërmime brenda meje që unë të thelloj besimin tim e përkushtimin tim ndaj Zotit tim.
Nuk kam nevojë për asnjë njeri në këtë botë.
Për asnjë.
Më mjafton vetmia ime dhe besimi im në Zot.
Nuk kam asnjë ambicje, asnjë synim, asnjë rrekje për asnjë sukses a famë a pushtet që vjen nga njeriu.
Faleminderit. Nuk kam nevojë.
Tashmë jetoj me hirin e Zotit dhe pranoj veç hirin, bekimin e mrekullinë e Tij.
Prandaj s’e kuptoj pse duhet të vazhdoni së godituri e baltosuri e urryeri e mallkuari, mbi mua, mbi njeriun e pambrojtur, ndërsa ata që ju drejtojnë e qeverisin që ju i quani hajdutë e batakçinj notojnë pa trazim.
Sot jam thjesht një qytetar, një askush i madh, pa asnjë objektiv politik, pa asnjë ambicje, pa asnjë mëtim a pretendim.
Por kjo s’do të thotë se do të hesht.
E drejta e fjalës është e drejta ime kushtetuese, dinjiteti i fjalës është esenca ime njerëzore.
As të drejtën, as dinjitetin nuk i kam për ju, ato janë të mia dhe të së vërtetës.
Prandaj, qetësohuni.
Lëreni askushin të rrijë në skajin e rrugës, jo në mes të saj.
Nëse jam hiç, hiçit s’i duhen tam-tame, e asnjë përfillje.
Më shpërfillni.
Nëse jam hije, hijeve s’u duhen megafonë.
Unë do të flas si njeri i lirë, jo për të lënduar, jo për të konkuruar apo pretenduar, por që e vërteta të mos shitet.
Le të mbetet vetëm kjo frymë, se njeriu mund ta lërë çdo rol, çdo përkufizim a titull, dhe prapë të ruajë fjalën…
Se njeriu mund të jetë një askush i madh, sikundër unë jam, e prapë të mos braktisë ndërgjegjen.
Se njeriu, mund të jetë i vogël para turmës, para syve e në mendjet e botës, dhe prapëseprapë të jetë i barabartë me dritën para vetes.
Qetësohuni.
.png)










Comments