Qirifikimi i Dinjitetit dhe Gryka e Gërrnetës!

Nga Arian Galdini
Një shoqëri mund t’ia marrë lirinë njeriut duke ia mbyllur derën.
Mund të bëjë edhe diçka më të hollë, ta lërë derën hapur dhe t’i vendosë një pronar kalimit.
Në rastin e parë njeriu e di se është i ndaluar.
Në të dytin është juridikisht i lirë.
Mund të studiojë, të punojë, të hapë biznes, të kandidojë, të krijojë, të investojë, të botojë, të konkurrojë, të flasë.
Ligji i njeh të drejtën. Institucioni ka formularin. Konkursi ka kriteret.
Tregu ka hyrjen.
Pastaj, diku ndërmjet asaj që njeriu vlen dhe asaj që mund të bëhet, shfaqet një pyetje që nuk është shkruar askund:
Kush të çon?
Aty fillon Gryka e Gërrnetës.
Dhe pikërisht aty merr kuptim edhe një fjalë që pata përdorur vite më parë, Qirifikimi i Dinjitetit.
Dikur shihja qirinjtë.
Sot shoh mekanizmin që i lë të ndarë.
Gryka është pretendimi informal mbi kalimin.
Gërrneta është tarifa që mund t’i kërkohet njeriut për të kaluar.
Qirifikimi është ajo që i ndodh dinjitetit kur njeriu refuzon ta paguajë atë tarifë dhe mbetet vetëm përballë kostos së refuzimit.
Një skenë e thjeshtë e bën mekanizmin më të dukshëm.
Një njeri ka studiuar. E njeh profesionin.
Ka një dosje pune që mund të gjykohet.
Përballë tij ndodhet një konkurs, një kontratë, një skenë, një treg, një vendimmarrje publike.
Ligjërisht, aty duhet të takohen dy gjëra, ajo që ai sjell dhe autoriteti që ka të drejtë ta gjykojë.
Pastaj bie telefoni.
Jo domosdoshmërisht me urdhër.
Mund të jetë vetëm një emër.
Një rekomandim.
Një kujtesë se kush është “njeriu ynë”.
Në atë çast padrejtësia më e madhe nuk është vetëm se kandidati tjetër mund të fitojë.
Diçka më themelore ka ndodhur, një njeri që nuk kishte të drejtë të gjykonte meritën ka hyrë midis meritës dhe gjykatësit të saj të ligjshëm.
Ka uzurpuar juridiksionin.
Kjo është Gryka në formën e saj më të pastër.
Në administratë, kriterin duhet ta gjykojë ligji dhe procedura.
Në treg, produktin duhet ta gjykojë konsumatori brenda rregullave të barabarta.
Në art, veprën mund ta gjykojnë publiku, kritika, koha.
Në profesion, dijen e gjykon profesioni.
Në politikë, qytetarin që kërkon mandat e gjykon votuesi.
Gryka lind kur përpara këtyre autoriteteve legjitime shfaqet një tjetër autoritet, i padeklaruar dhe pa mandat, që thotë, para se të të gjykojnë ata që kanë të drejtë, duhet të kalosh nga unë.
Kjo është më e rëndë se një favor.
Është uzurpim i së drejtës për të vendosur kush mbërrin deri te gjykimi.
Gërrneta nuk paguhet medoemos me para.
Mund të paguhet me bindje, heshtje, votë, firmë, emër, reputacion, përdorshmëri politike, nënshtrim profesional, dorëzim të ndërgjegjes, ndonjëherë me intimitet të kthyer në mjet presioni, ndonjëherë me mirënjohje të zgjatur përtej kufirit të saj moral.
Është emri grotesk i një tarife tepër serioze.
Tarifa që i thotë njeriut, mund të kalosh, por jo krejt i yti.
Korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, patronazhi, oligarkia apo tarafet nuk e shterojnë këtë problem.
Janë forma të mundshme të tij.
Akuza më e madhe është pronësia informale mbi mundësinë.
Sepse kur dikush nuk kontrollon vetëm një vend pune, një tender apo një emërim, por vetë rrugën që lidh aftësinë e njeriut me mundësinë për ta ushtruar atë, ai ka pretenduar diçka nga e ardhmja e tjetrit.
Aty favori mund të bëhet faturë.
Dhe fatura nuk ka pse të vijë menjëherë.
Një vend pune mund të kërkojë bindje vite më vonë.
Një kontratë mund të prodhojë heshtje.
Një promovim mund të kërkojë firmën.
Një afërsi mund të kërkojë votën.
Një ndihmë e dikurshme mund t’i kërkojë profesionistit të mos shohë atë që profesioni i tij e detyron të shohë.
Krahas biografisë së dukshme lind kështu një tjetër:
Biografia e Detyrimeve.
Nuk shkruhet në CV.
Nuk ka afat maturimi dhe as shumë të përcaktuar.
Por ka kreditor.
Dhe kjo mund të mjaftojë.
Sepse borxhi politik nuk është vetëm borxh ndaj së shkuarës.
Është hipotekë mbi vendimin e ardhshëm.
Njeriu që e di kujt i detyrohet fillon, me kohë, t’ia parashikojë dëshirën kreditorit përpara se të vijë kërkesa.
Borxhi e kursen urdhrin.
Pushteti ka hyrë atëherë në një fazë më të sofistikuar.
Nuk ka nevojë të ruajë çdo portë.
Njeriu fillon ta ruajë portën brenda vetes.
Por Gryka nuk prodhon vetëm klientin që pranon të kalojë.
Prodhon edhe fatin e atij që refuzon.
Këtu Gryka takohet me Qirifikimin.
Sistemi ka dy tarifa.
Gërrneta është tarifa e vartësisë.
Taksa e Pavarësisë është tarifa e refuzimit.
Nëse njeriu pranon të bëhet i përdorshëm, kalimi mund t’i hapet, por një pjesë e së ardhmes së tij rrezikon të mbetet e hipotekuar.
Nëse nuk pranon, nuk është e nevojshme ta ndalojnë.
Mjafton që rruga autonome të kushtojë më shumë.
Dera hapet më rrallë.
Kapitali mbërrin më vonë.
Skena shpërndahet tjetërkund.
Fjala udhëton më pak.
Mundësia vonohet.
Merita vazhdon të ekzistojë, por i kërkohet të udhëtojë me këmbë në një vend ku vartësia lëviz me ashensor.
Këtu dinjiteti del jashtë normalitetit.
Njeriu që ruan karakterin fillon të duket hero.
Ai që nuk kërkon patron, kokëfortë.
Ai që refuzon favorin, naiv.
Ai që nuk e shet fjalën, martir.
Ai që mbështetet vetëm te profesioni, njeri që “nuk di si funksionon jeta”.
Këtu fillon Qirifikimi i Dinjitetit.
Dinjiteti mbetet gjallë, por si qiri, një profesionist këtu, një sipërmarrës atje, një krijues diku tjetër, një qytetar që thotë “jo” edhe kur një “po” do t’ia bënte jetën më të lehtë.
Drita ekziston.
Problemi është se nuk është bërë ende rend.
Një Republikë e shëndetshme nuk duhet t’i kërkojë qytetarit heroizëm që të jetë thjesht i ndershëm.
Njeriu nuk duhet të bëhet martir që të mos shesë bindjen dhe as jashtëzakonisht i fortë që të fitojë sipas rregullit.
Dinjiteti nuk duhet të jetë heroizëm.
Duhet të jetë normalitet.
Një rend politik dështon jo vetëm kur ndalon të mirën.
Dështon edhe kur e bën atë aq të kushtueshme, sa vetëm njerëzit e jashtëzakonshëm mund ta përballojnë.
Qirifikimi ka edhe një pasojë tjetër.
Qirinjtë nuk mbeten vetëm larg qendrave të fuqisë.
Mbeten larg njëri-tjetrit.
Njëri punon në një universitet.
Tjetri në një redaksi.
Njëri ndërton një biznes.
Tjetri shërben në administratë.
Njëri krijon.
Tjetri përpiqet të hyjë në politikë pa patron.
Secili sheh errësirën që e rrethon.
Jo domosdoshmërisht dritën e tjetrit.
Kështu një shoqëri mund të ketë shumë integritet të shpërndarë dhe përsëri të mos arrijë ta kthejë atë në normë të dukshme shoqërore.
Ky është Qirifikimi në kuptimin e tij më politik.
Jo pretendimi se njerëzit e ndershëm janë medoemos shumicë.
Diçka më e saktë, integriteti mbetet i fragmentuar dhe nuk arrin të bëhet rend.
Pushteti fiton jo sepse drita mungon.
Fiton kur dritat nuk arrijnë të bëhen ambient.
Fëmijës i thuhet të mësojë.
Ai dëgjon të rriturit të pyesin: “Kë njeh?”
Studentit i thuhet se diploma hap rrugë, por ai sheh edhe shpejtësinë e telefonatës.
Sipërmarrësit i thuhet të ndërtojë produktin, ndërsa ai mëson se qasja te vendimmarrja mund të ketë vlerë më të madhe se një përmirësim tjetër i produktit.
Krijuesit i thuhet se vendos publiku, por ai sheh se rruga drejt publikut mund të ketë ndërmjetës.
Dalëngadalë ndryshon pyetja me të cilën njeriu hyn në jetë.
Nga:
“Çfarë dua të bëhem?”
te:
“I kujt duhet të bëhem?”
Aty Gryka nuk shpërndan më vetëm privilegje.
Fillon të edukojë.
Sepse një shoqëri nuk edukon vetëm me atë që predikon.
Edukon edhe me atë që shpërblen.
Nëse puna shpërblehet, investohet te puna. Nëse zotësia jep rezultat, investohet te zotësia.
Nëse ideja mund të mbërrijë vetë te prova e saj, njerëzit investojnë te ideja.
Por kur lidhja jep kthim më të shpejtë se aftësia, një pjesë e energjisë zhvendoset nga mjeshtëria te marrëdhënia.
Kur hyrja te vendimmarrësi vlen më shumë se përmirësimi i produktit, kapitali largohet nga laboratori dhe afrohet te paradhoma.
Sistemi atëherë nuk vjedh vetëm pasurinë që është krijuar.
Ndryshon çfarë ia vlen të krijosh.
Ia ndryshon shoqërisë çmimin e dijes, të punës dhe të karakterit.
Këtu merita pëson transformimin e saj më të rëndë.
Në një rend të hapur ajo nuk është “sovrane” mbi gjithçka.
Demokracia nuk është provim teknik, arti nuk ka një komision absolut, konsumatori nuk detyrohet të zgjedhë produktin që eksperti e shpall më të mirë.
Por çdo fushë ka autoritetin e vetë të ligjshëm.
Publiku mbi veprën.
Votuesi mbi mandatin.
Ligji mbi të drejtën.
Profesioni mbi kompetencën profesionale.
Konsumatori dhe konkurrenca e ndershme mbi produktin.
Problemi nis kur ky juridiksion uzurpohet.
Kur dikush që nuk është publiku kontrollon nëse vepra mbërrin te publiku.
Kur dikush që nuk është konsumatori kontrollon kush hyn realisht në treg.
Kur dikush që nuk është ligji vendos nëse ligji do të funksionojë për ty.
Kur dikush që nuk është qytetari vendos kush do të ketë mundësinë reale të arrijë deri te qytetari.
Në atë çast, merita nuk është thjesht e penguar.
Bëhet aplikante para një gjykatësi që nuk ka juridiksion mbi të.
Ky është një nga deformimet më të rënda të Grykës.
Ajo ndryshon jo vetëm rezultatin.
Ndryshon pyetjen, kush ka të drejtë të vendosë çfarë vlen?
Talenti nuk ka pse të shkatërrohet.
Përkundrazi, mund të jetë tepër i dobishëm.
Sistemit i duhet profesori që di, mjeku që shëron, sipërmarrësi që prodhon, artisti që tërheq publik, gazetari që gëzon besim dhe politikani që merr vota.
Problemi nuk është domosdoshmërisht aftësia.
Është ajo që aftësia mund të prodhojë përtej vetes:
pavarësi.
Prandaj forma më e sofistikuar e Grykës nuk e vret meritën.
Përpiqet ta bëjë të varur.
Edhe virtytet mund të futen në këtë ekonomi.
Miqësia, besa, mirënjohja, familja dhe solidariteti nuk janë sëmundje shqiptare.
Shpesh kanë mbajtur njeriun gjallë pikërisht atje ku institucioni ka munguar.
Por një institucion që dështon gjatë mund t’i rekrutojë ato për funksione që nuk u përkasin.
Miku bëhet administratë.
Familja kanal hyrjeje.
Mirënjohja zgjatet derisa ngjan me kredi politike.
Besa përdoret për të mbrojtur atë që drejtësia duhej ta gjykonte.
Njeriu nuk e dallon më lehtë nëse po falënderon apo po shlyen, nëse po mban fjalën apo po mbron një padrejtësi, nëse po ndihmon mikun apo po ndërton të njëjtën portë ku nesër do të duhet të trokasë fëmija i tij.
Virtytet nuk zhduken. Rekrutohen.
Cinizmi e mohon virtytin.
Një sistem më i sofistikuar mund ta përdorë.
Për këtë arsye fjala “tërësor” duhet përdorur me kujdes.
Nuk do të thotë se çdo shqiptar është i kapur, çdo kompani klienteliste, çdo artist i blerë, çdo sukses i rremë dhe çdo institucion bosh.
Një logjikë bëhet tërësore kur depërton në mjaft pika të rëndësishme të jetës, sa njerëzit fillojnë ta fusin në llogaritë e tyre përpara se ta kenë ndeshur vetë.
Presin ndërmjetësin.
Parashikojnë koston e kundërshtimit.
Mendojnë sa mund t’u kushtojë pavarësia.
Atëherë pushteti nuk ka nevojë të jetë kudo.
I mjafton të jetë bërë pritshmëri.
Këtu duhen ndarë rigorozisht faktet nga teoria.
Komisioni Europian raportoi në vitin 2025 se Shqipëria kishte bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por se korrupsioni mbetej i përhapur në sektorë të cenueshëm, duke prekur sferën publike dhe private, raporti evidentonte gjithashtu ndikim të kufizuar të kuadrit parandalues dhe mangësi të transparencës në fusha të caktuara.
Freedom House, në raportin 2026, e vlerëson Shqipërinë “Partly Free”, njeh historikun e zgjedhjeve konkurruese, por i konsideron korrupsionin dhe ryshfetin probleme madhore, për efektivitetin e mbrojtjeve kundër korrupsionit dhe për hapjen e transparencën e qeverisjes jep nga 2 pikë në 4. (Enlargement and Eastern Neighbourhood)
Këto janë fakte të raportuara.
Gryka e Gërrnetës është teza ime mbi një mekanizëm që duhet kërkuar, provuar ose rrëzuar në realitet atje ku pretendohet se shfaqet.
Një teori politike nuk bëhet më e fortë duke e shpallur veten fakt.
Bëhet më serioze kur pranon të gjykohet nga faktet.
Prej këtej del edhe standardi politik.
Një qeverisje e gjatë nuk gjykohet vetëm nga pyetja nëse kreu i saj ka urdhëruar personalisht çdo padrejtësi që ndodh gjatë mandatit.
Ekziston edhe një përgjegjësi tjetër politike, çfarë institucionesh lë pas, cilat ndërmjetësime i bën të panevojshme, cilat nuk arrin t’i zhdukë, sa e ul çmimin e pavarësisë dhe sa e rrit fuqinë e qytetarit për të jetuar pa patron.
Sepse kundërshtimi politik humbet kuptimin nëse kërkon vetëm ndryshimin e emrit mbi portë.
Nëse ikën portieri i tyre dhe vjen portieri ynë, rruga nuk është çliruar.
Është ndërruar turni.
Rotacioni, ndryshimi, është kusht i demokracisë.
Nuk është vetvetiu çlirim nga Gryka.
Nëse telefoni vazhdon të vlejë më shumë se kriteri, patronazhi vetëm ka ndryshuar adresë.
Republika hapet kur kalimi humbet pronarin.
Shqipërisë nuk i duhet një revolucion që të ndryshojë listën e njerëzve që japin leje.
I duhet një rend ku leja personale humbet vlerën.
Ku puna mund të gjejë punën pa dorëzanë.
Ku prona mbrohet nga ligji dhe jo nga mbrojtësi personal.
Ku sipërmarrësi fiton ose dështon përballë konsumatorit dhe të njëjtit rregull që vlen për tjetrin.
Ku pedagogu nuk këmben dinjitet me karrierë.
Ku gazetari nuk detyrohet të zgjedhë ndërmjet fjalës dhe mbijetesës.
Ku artisti mund të dështojë sepse vepra nuk bind, jo sepse nuk njeh njeriun që kontrollon hyrjen te skena.
Ku politikani mund të humbasë sepse qytetari nuk e votoi, jo sepse një pushtet informal e pengoi të mbërrinte deri te qytetari.
Një Republikë e tillë nuk premton që të gjithë do të fitojnë.
Premton diçka më modeste dhe më të vështirë, asnjë marrëdhënie private të mos fitojë të drejtën të bëhet doganë mbi një të drejtë publike.
Këtu ndahet liria juridike nga liria e jetueshme.
Ligji mund të të japë të drejtën të thuash “jo”.
Liria provohet nga ajo që të mbetet pasi e ke thënë.
Nëse i thua “jo” patronit, a të mbetet profesioni?
Nëse i thua “jo” pushtetit, a të mbetet fjala?
Nëse i thua “jo” ndërmjetësit, a të mbetet rruga?
Nëse refuzimi të mbyll sistematikisht bukën, tregun, kapitalin, karrierën apo të ardhmen, kemi kaluar përtej një favori të refuzuar.
Kemi hyrë në territorin e sundimit.
Diktatura thoshte:
Nuk kalon.
Gryka mund të thotë diçka më moderne:
Mund të kalosh. Por vetëm i “gërrnetizuar”.
Shqipëria e sotme nuk është Shqipëria totalitare.
Barazimi i tyre do të ishte i pavërtetë.
Por një dallim historik nuk na ndalon të bëjmë një pyetje mbi teknologjinë e lejes.
Në diktaturën komuniste, partia-shtet kontrollonte në mënyrë të centralizuar politikën, punën, arsimin, statusin dhe fusha të gjera të jetës njerëzore.
Në një rend pluralist, rreziku është tjetër, ajuridiksionet informale mund të copëzohen dhe privatizohen.
Jo një portier.
Shumë.
Ndryshimi është kolosal.
Por pikërisht për këtë forma moderne mund të jetë më e vështirë për t’u parë, askush nuk ka nevojë të zotërojë gjithë vendin që të zotërojë një kalim të rëndësishëm.
Këtu Qirifikimi merr kuptimin e tij të plotë.
Qiriu nuk është heroi romantik i kësaj historie.
Është prova e dështimit.
Një shoqëri ku njerëzit duhet të digjen veçmas për të mbajtur gjallë pak dritë nuk duhet të krenohet me numrin e qirinjve.
Duhet të pyesë pse drita ende kërkon sakrificë.
Njeriu i ndershëm nuk duhet të jetë specie heroike.
Profesionalizmi nuk duhet të jetë rebelim. Integriteti nuk duhet të kërkojë martirizim.
Pavarësia nuk duhet të jetë privilegj i atij që mund të përballojë çmimin e vetmisë.
Sepse qiriu ka një tragjedi të fundit, digjet vetëm.
Njëri në universitet, tjetri në redaksi.
Njëri në biznes, tjetri në administratë.
Njëri në politikë, tjetri në art.
Secili sheh pjesën e vetë të errësirës dhe mund të mos shohë se drita ekziston edhe përtej murit të tij.
Kështu një shoqëri mund të ketë njerëz të ndershëm në shumë vende dhe përsëri të mos ketë ende një normalitet të ndershëm.
Ky është triumfi më i hollë i Grykës.
Jo të shuajë çdo dritë.
Ta mbajë të ndarë.
Prandaj Republika nuk fiton kur prodhon më shumë njerëz të gatshëm të digjen.
Fiton kur integriteti nuk mbetet më aventurë individuale, kur ai që refuzon patronin nuk dënohet me një jetë më të vogël, kur favori nuk shkruan vendimin publik, kur merita nuk paraqitet më si aplikante përpara një autoriteti që nuk ka të drejtë ta gjykojë.
Atëherë pyetja:
“I kujt duhet të bëhem?”, humbet kuptimin.
Dhe njeriut i rikthehet pyetja që një shoqëri e lirë duhet t’ia lërë të hapur çdo fëmije:
“Çfarë dua të bëhem?”
Sepse liria nuk humbet vetëm kur mbyllet rruga.
Humbet edhe kur dikush që nuk ka të drejtë mbi të bëhet pronar i kalimit.
Dhe dinjiteti nuk fiton vetëm kur një njeri arrin ta mbrojë duke u djegur.
Fiton kur drita nuk ka më nevojë për vetmi.
Atëherë gërrneta mund të mbetet vetëm muzikë, sepse kalimi ka humbur pronarin dhe drita vetminë.
Arian Galdini





Comments