top of page

Rama ikën… 21 gushti dhe shumica që mungon!

Aug 9
3 min read

Nga Arian Galdini


Kemi parë qartë se nuk janë pak e ndoshta janë shumica ara shqiptarë që mendojnë se koha politike e Edi Ramës duhet të mbarojë, por nuk pranojnë që, bashkë me këtë gjykim, t’u kërkohet edhe firma për njeriun që duhet të vijë pas tij.


Pikërisht te kjo hapësirë e pambushur qëndron, sipas meje, një pjesë e sekretit të jetëgjatësisë së pushtetit të sotëm, qytetarit i është kërkuar tepër shpesh të vendosë njëherësh jo vetëm nëse do ta mbyllë një qeverisje, por edhe cilit kryetar, cilës parti dhe cilës të shkuar duhet t’ia dorëzojë të nesërmen.


Partia Demokratike ka njerëz, strukturë, histori dhe peshë që askush serioz nuk mund t’ia mohojë.


Sali Berisha është pjesë e këtij realiteti dhe përjashtimi i tij do ta cungonte çdo bashkim opozitar.


Por kur largimi i Ramës lexohet paraprakisht si rikthim automatik i Berishës, Rama rifiton një aleat që nuk ndodhet brenda PS-së, frikën e qytetarit që nuk e dëshiron më qeverinë, por nuk dëshiron as të kthehet në zgjedhjen e vjetër.


Protesta e vazhdueshme ka kryer një funksion tjetër, ka penguar mpirjen e kundërshtimit.


Megjithatë, një pushtet trembëdhjetëvjeçar mund të mësohet edhe me protestën, nëse pas mikrofonit nuk shfaqet një bashkësi më e gjerë që ndryshon llogarinë e njerëzve jashtë saj.


Prania dëshmon se pakënaqësia jeton, nuk mjafton vetvetiu për ta kthyer pakënaqësinë në shumicë politike.


Më 21 gusht dua të vë në provë një ide tjetër, shumicën e hapjes.


Jo një shumicë që ka zgjedhur paraprakisht qeverinë e ardhshme, por një bashkim të përkohshëm njerëzish që mund të votojnë nesër kundër njëri-tjetrit dhe sot bien dakord se qytetari duhet ta rifitojë të drejtën për të zgjedhur pa një përfundim të paracaktuar.


PD-ja mund të sjellë forcën e vetë, protestuesit përvojën e qëndresës, partitë e reja energjinë e tyre, LRE Rinisja nismën, askush nuk përjashtohet dhe askush nuk merr në dorë rezultatin.


Virtyti përfundimtar i kësaj shumice është pikërisht se nuk kërkon të mbetet shumicë pasi e ka hapur zgjedhjen.


Kur gara bëhet e lirë, ajo duhet të kthehet në pluralizmin prej të cilit lindi, ndryshe do të kishte bashkuar vendin vetëm për t’i dhënë një qendër tjetër.


Kjo ndryshon edhe mekanikën e pushtetit.


Kur socialisti kritik nuk ka pse të zgjedhë Berishën për të kërkuar largimin e Ramës, kur qytetari i qendrës nuk e sheh ndryshimin si kërcënim, kur administrata kupton se shteti vazhdon dhe kur një qeveri mund të ndryshojë pa ndryshuar përkatësia europiane e Shqipërisë, kostoja e vazhdimit nis të rritet edhe brenda strukturave që deri dje e konsideronin Ramën zgjedhjen më të sigurt.


Rënia politike fillon kur kjo llogari ndryshon edhe te njerëzit që e mbajnë pushtetin, jo vetëm te ata që e kundërshtojnë.


Por mbrojtja më e thellë e një qeverisjeje të gjatë është koha.


Gjithmonë mbetet një ende, ende jo, sepse Europa, ende jo, sepse reforma, ende jo, sepse kundërshtarët nuk qenkan gati.


Suksesi kërkon kohë për t’u përfunduar, dështimi kërkon kohë për t’u korrigjuar dhe, në të dyja rastet, pushteti i kërkon vendit edhe pak prej vetes.


Aty qëndron arsyeja ime për 21 gushtin.


Nuk pretendoj të caktoj ditën kur Rama largohet, pretendoj të sfidoj të drejtën e tij të pashkruar për të caktuar vetë se kur Shqipëria qenka gati të jetojë pa të.


Dhe po të kërkoj këtë kufi për Ramën, ai vlen edhe për mua, fakti që marr përgjegjësinë e nisjes nuk më jep asnjë të drejtë mbi kohën që vjen pas saj.


Rama fillon të bjerë kur humbet jo vetëm mbështetjen, por privilegjin për t’i thënë Shqipërisë se ende nuk ka ardhur koha të jetojë pa të.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page