Receta nuk lexon Buxhetin…

Qeveria Rama parashikon më shumë para për barnat e rimbursueshme dhe zgjerim të listës për vitin 2027.
Procesi është ende në formim, vendimet përfundimtare nuk janë mbyllur.
Prandaj pyetja duhet bërë tani, jo pasi shifrat të jenë kthyer në tabelë, sa nga paraja e shtuar do të mbërrijë te pacienti si trajtim dhe sa barrë do t’i hiqet atij nga xhepi?
Sepse pacienti nuk hyn në farmaci me buxhetin e shtetit.
Hyn me recetën.
Dhe midis recetës që mban në dorë dhe barit që arrin të marrë ndodhet e vërteta e politikës së barnave.
Fondi mund të rritet.
Lista mund të zgjerohet.
Por asnjëra nuk tregon vetvetiu çfarë ndryshoi për njeriun që duhet të mjekohet.
Një bar mund të jetë në listë dhe të mos jetë ai që i duhet pacientit.
Mund të rimbursohet vetëm pjesërisht.
Mund të jetë i mbuluar dhe trajtimi, megjithatë, të mbetet i rëndë për familjen.
Prandaj buxheti dhe sëmundja nuk mbajnë të njëjtën llogari.
Në vitin 2015 hyra publikisht në betejë kundër korrupsionit dhe interesave që denoncova në farmaceutikën shqiptare.
Prej asaj kohe kam një arsye më shumë për të mos ngatërruar kurrë paratë që hyjnë në sistem me kujdesin që mbërrin te pacienti.
Sepse në njërën anë është paraja publike.
Në tjetrën është një njeri që nuk ka zgjedhur të sëmuret.
Kjo ia ndryshon barrën morale çdo vendimi.
Buxheti tregon sa vendos shteti.
Receta tregon çfarë i duhet pacientit.
Politika gjykohet në distancën midis të dyjave.
Dhe pikërisht këtë distancë dua të shoh të zvogëlohet.
Nëse Edi Rama kërkon që rritja e financimit të quhet sukses, atëherë le ta provojë atje ku suksesi ka kuptim, te trajtimi.
Çfarë nevoje mjekësore mbulohet më mirë?
Sa shpenzim hiqet realisht nga pacienti?
A mund ta marrë terapinë kur i duhet dhe ta vazhdojë pa ndërprerje?
Këto nuk janë hollësi pas buxhetit.
Janë arsyeja pse buxheti ekziston.
Shëndetësia publike nuk provohet nga sa para arrin të fusë në sistem.
Provohet edhe nga barra që arrin t’i heqë njeriut prej sëmundjes.
Prandaj zgjerimi i skemës duhet të shoqërohet me një llogari publike që qytetari mund ta kuptojë, çfarë u financua, cilën nevojë mbuloi dhe çfarë ndryshoi në shpenzimin real të pacientit.
Nëse shpenzimi publik rritet dhe barra e pacientit ulet, qeveria duhet ta tregojë dhe kjo duhet pranuar.
Nëse shpenzimi rritet dhe barra mbetet po aty, Edi Rama duhet të shpjegojë ku mbeti përfitimi.
Sepse paraja publike nuk e përmbush qëllimin kur largohet nga buxheti.
E përmbush kur mbërrin te nevoja për të cilën u nda.
Te bari që duhet.
Te njeriu që duhet.
Në kohën kur i duhet.
Shteti mund të numërojë sa shpenzon për barnat.
Pacienti jeton atë pjesë të sëmundjes që sistemi ende nuk ia ka hequr nga shpatullat.
Dhe pikërisht aty duhet gjykuar politika e Edi Ramës, jo nga sa para hyjnë në skemë, por nga sa distancë mbetet midis recetës në dorën e pacientit dhe trajtimit që ai arrin të marrë.
Sepse receta nuk lexon buxhetin.
Ajo pret barin.
Arian Galdini





Comments