Republika provohet kur askush nuk të sheh…
- Arian Galdini

- 3 days ago
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Mund të shkruash programin më të bukur dhe të mbetesh i njëjti njeri.
Mund të flasësh për demokracinë, të betohesh për ligjin, të kërkosh largimin e një qeverie, të denoncosh arrogancën e saj, madje të kesh të drejtë në pothuajse gjithçka që thua, dhe përsëri të mos kesh ndryshuar asgjë në mënyrën si e kupton politikën.
Sepse prova e parë nuk vjen kur kundërshton pushtetin.
Vjen kur ke përpara një njeri që nuk të duhet.
Një njeri pa emër të madh, pa ndikim, pa miq që mund të të hapin dyer, pa ndonjë dobi të dukshme për ty.
Çfarë vlere ka ai atëherë?
Për mua, këtu ndahet politika që njeh qytetarë nga politika që njeh vetëm përdorime.
Shqipëria është lodhur jo vetëm prej njerëzve që kanë pasur shumë fuqi, por prej një zakoni shumë më të thellë, njeriun e kemi mësuar ta çmojmë sipas dobisë që mund të na sjellë.
Në administratë bëhet dosje.
Në parti bëhet votë.
Në fushatë bëhet numër.
Në televizion bëhet audiencë.
Në biznesin e lidhur me politikën bëhet kontakt.
Në ditën e zgjedhjeve bëhet sovran për disa orë, pastaj mund të kalojnë vite derisa dikujt t’i kujtohet përsëri se ai kishte një emër.
Kjo nuk është Republika që besoj.
Një njeri nuk bëhet më i vlefshëm kur na mbështet dhe më pak i denjë kur na kundërshton.
Nuk fiton dinjitet kur hyn në shumicën tonë.
Nuk e humbet kur voton kundër nesh.
Dhe nuk duhet të ketë nevojë të dëshmojë besnikëri ndaj askujt që shteti t’i japë atë që i takon me ligj.
Këtu, për mua, fillon edhe kuptimi më i thellë i së Djathtës Humane.
Liria nuk është favor që i bëjmë njeriut pasi kemi verifikuar nëse na pëlqen zgjedhja e tij.
Prona nuk është shpërblim për afërsinë.
Sipërmarrja nuk është privilegj i atij që njeh derën e duhur.
Familja nuk është material elektoral.
Bashkësia nuk është repart që pret komandën nga qendra.
Përpara shtetit qëndron personi.
Dhe përpara interesit të partisë duhet të qëndrojë e drejta e tij për të mos qenë i saj.
Prandaj më duket e pamjaftueshme të kërkojmë vetëm një qeveri tjetër.
Nëse pas çdo ndryshimi qytetari duhet të gjejë përsëri se cilit kamp t’i afrohet, cilin numër telefoni të ruajë, kujt t’i kërkojë një fjalë, nga cili pushtetar të mos duket armik, atëherë kemi ndërruar administruesit e pasigurisë së tij.
Dhe unë nuk dua t’ia rinisim kështu.
Të premten, më 21 gusht, nuk pres prej askujt të vijë për të më dhënë një dëshmi besnikërie.
Nuk kam as të drejtën t’ia kërkoj.
Kush vjen, mund të mos jetë dakord me mua për shumëçka.
Mund të jetë demokrat, socialist, i paparti, njeri që më njeh prej vitesh ose dikush që më ka parë vetëm këto ditë në ekranin e telefonit.
Mund të vijë me besim, me dyshim, me kureshtje, mund edhe të largohet duke menduar se nuk e binda.
E drejta e tij për të gjykuar nuk është pengesë për atë që po përpiqem të ndërtoj.
Është kushti i saj.
Sepse nëse një nismë nuk duron dot njeriun e lirë përpara se të ketë ndonjë fuqi, nuk ka arsye të besohet se do ta durojë pasi të ketë fituar më shumë prej saj.
Këtë dua të provoj së pari mbi veten.
Jo me premtime për një të ardhme që nuk e zotëroj.
Me mënyrën si e pres njeriun që vjen.
Si e dëgjoj atë që nuk pajtohet.
Si e tregoj numrin pa e stolisur.
Si e respektoj atë që nuk vjen.
Si e pranoj se një ide mund të jetë më e madhe se forca që kam sot për ta mbajtur.
Dhe si vazhdoj të punoj pa ia faturuar qytetarit mungesën e suksesit tim.
Nëse politika shqiptare do t’ia rinisë ndonjëherë vërtet, ndoshta një prej fillimeve të saj më të vështira është pikërisht ky, të mos e pyesim më njeriun “i kujt je?” përpara se t’i njohim të drejtën të jetë vetvetja.
Më 21 gusht, ora 18:00, në Sheshin Skënderbej, unë do të jem aty.
Me bindjet e mia, pa pretenduar se janë të tuat.
Me historinë time, pa të kërkuar ta trashëgosh.
Me Rinisjen, pa të kërkuar të bëhesh pronë e saj.
Sepse Republika nuk hapet ditën kur të gjithë mendojmë njësoj.
Ajo fillon të bëhet e mundur kur mund të qëndrojmë në të njëjtin vend, të ndryshëm e të lirë, dhe askush të mos ketë nevojë të ulë kokën që tjetri të ndihet më i madh.
Arian Galdini




Comments