Republika provohet te njeriu që nuk është me ne!
- Arian Galdini

- 5 days ago
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Është e lehtë të duash lirinë kur ajo mbron mendimin tënd.
Më e vështirë është ta mbrosh kur prej saj flet njeriu që nuk të voton, nuk të ndjek, nuk të beson dhe ndoshta nuk do të të besojë kurrë.
Pikërisht aty dua ta vendos sot pyetjen e 21 gushtit.
Jo te madhësia e një takimi.
Jo te fotografia që mund të dalë prej tij.
Te njeriu që, edhe po të ndryshojë qeveria, duhet të zgjohet të nesërmen po aq shqiptar, po aq qytetar dhe po aq i mbrojtur nga ligji sa një ditë më parë.
Kam menduar gjatë për këtë, sepse politika shqiptare është mësuar ta shohë humbësin si pjesën e tepërt të demokracisë.
Fituesi merr qeverinë dhe shumë shpejt nis të sillet sikur ka marrë edhe shtetin.
Pastaj ndërrohen emrat në zyra, ndryshojnë miqtë që kanë hyrje, lindin ndërmjetësit e rinj, frika ndërron adresë dhe hakmarrja vishet me fjalorin e drejtësisë.
Në fund, qytetari mëson një mësim të keq, për të qenë i sigurtë, duhet të fitojë pala e tij.
Unë nuk dua një Shqipëri të tillë pas Edi Ramës.
Nuk dua që një socialist i zakonshëm, vetëm sepse ka votuar PS-në, ta presë ndryshimin me frikën se dikush do t’i kërkojë llogari për votën.
Nuk dua që një nëpunës i ndershëm të zëvendësojë teserën e djeshme me teserën e nesërme për të ruajtur vendin e punës.
Nuk dua që një sipërmarrës të fshijë një numër telefoni nga celulari vetëm për të mësuar një tjetër.
Nuk dua që gazetari që sot mund të më shpërfillë, të më kritikojë apo të më trajtojë padrejtësisht, nesër të ketë nevojë për lejen time që të ushtrojë profesionin.
Sepse po ndodhi kjo, nuk ia kemi rinisur.
Vetëm kemi ndërruar njerëzit që përfitojnë nga mënyra e vjetër.
Kjo është arsyeja pse ndryshimi që kërkoj nuk mund të mbështetet mbi urrejtjen ndaj atyre që kanë votuar ndryshe.
Një qeveri mban përgjegjësi për vendimet e saj. Një zyrtar përgjigjet për shkeljen e vetë. Një njeri që ka cenuar ligjin nuk fiton paprekshmëri nga bindja politike.
Por fajësia është personale.
Vota nuk është krim.
Përkatësia nuk është provë.
Dhe drejtësia që fillon duke zgjedhur cilin kamp do të ndëshkojë ka pushuar së qenuri drejtësi përpara se të ketë hyrë në sallën e gjyqit.
Për mua, këtu takohet E Djathta Humane me idenë e Republikës.
Liria nuk është privilegji i atyre që mendojnë si ne.
Prona nuk është e shenjtë vetëm kur pronari na voton.
Familja e kundërshtarit nuk ka më pak dinjitet se familja jonë.
Shteti nuk mund të ketë qytetarë të dorës së parë dhe qytetarë që presin rezultatin e zgjedhjeve për të mësuar sa të drejta do t’u mbeten.
Në historinë tonë kemi paguar shtrenjtë sa herë pushteti e ka ndarë Shqipërinë mes atyre që konsideroheshin të denjë për të dhe atyre që duhej të paguanin për biografinë, prejardhjen, bindjen ose anën ku i kishte vendosur koha.
Një Republikë e pjekur duhet ta ndërpresë këtë trashëgimi pa prodhuar një listë të re njerëzish për t’u përjashtuar.
Kjo më duket një provë shumë më e rëndë sesa të bërtasësh kundër qeverisë.
Sepse kundërshtarit mund t’i kërkosh gjithçka.
Karakteri yt fillon të duket kur vendos çfarë nuk do t’ia lejosh vetes.
Prandaj, kur them “Rama ikën”, nuk po them, tani radha jonë.
Po them se një cikël tepër i gjatë qeverisjeje duhet të mund të mbyllet demokratikisht pa e kthyer Shqipërinë në plaçkën e ciklit tjetër.
Dhe kur them “Republika Hapet”, nuk pretendoj se kam në dorë formulën magjike për vendin.
Po vendos në diskutim një parim që më duket i panegociueshëm, ndryshimi duhet ta bëjë më të sigurt edhe njeriun që humbet.
Më 21 gusht nuk e di sa njerëz do të vijnë.
Nuk do të shtirem sikur e di.
Por e di se çfarë dua të kem guximin të them përpara kujtdo që vjen:
Nëse një ditë kërkojmë besimin e shqiptarëve, le të mos ua kërkojmë për të zëvendësuar frikën e sotme me frikën tonë.
Le t’ua kërkojmë për një vend ku qeveritë mund të ndryshojnë pa qenë nevoja që qytetari të ndërrojë anë për të mbetur i lirë.
Sepse Shqipërisë nuk i duhet vetëm e drejta për të larguar një qeveri.
I duhet siguria se, kur qeveria largohet, atdheu nuk largohet nga askush.
Arian Galdini




Comments