top of page

Respekte…

7 minutes ago
3 min read

Nga Arian Galdini


«Respekte», më shkruante dikur një njeri.


E pranoja siç pranohet një përshëndetje, pa e pyetur sa do të zgjaste nëse një ditë nuk do të mendonim njësoj.


Ndoshta e kishte me gjithë zemër.


Pastaj shkrova dy qëndrime politike.


Nga i njëjti emër erdhën fyerjet.


Në jetën time nuk qe zbuluar ndonjë fakt i ri.


Një mospajtim po bëhej biografi.


Ai është i lirë të mos më çmojë më, të gjejë në qëndrimet e mia edhe një karakter që e përbuz.


Kjo nuk e bën dëshmitar të një pagese të fshehtë.


Për pagesën duhen prova.


Përçmimi, sado i sinqertë, nuk është një e tillë.


As përsëritja nuk e bën ngjarje atë që dikush ka nevojë të ketë ndodhur.


Unë kërkoj fundin e qeverisjes së Edi Ramës, jo lejen e Sali Berishës për ta kundërshtuar.


Përpjekjen e drejtimit të Revolucionit të Flamingove për ta marrë revoltën në pronësi e quaj Mashtrimi i Madh.


Nuk ua drejtoj këtë gjykim të rinjve që protestojnë.


Guximi i tyre nuk i përket atij që u prin.


Një revoltë nuk çliron njeri duke ia caktuar pronarin kundërshtimit të tij.


Qëndrimi im mund t’i vlejë një kampi tjetër, përfitimi nuk provon porosinë.


Në gjuhën e rreshtimit, kundërshtimi i një drejtimi opozitar mund të kthehet në mbështetje për Ramën.


Fjalia mbetet me emrin tim, mendimi brenda saj nuk është më imi.


Po t’i shtohet edhe «i blerë», nuk pyetet më nëse ajo që thashë qëndron, por kush më pagoi.


Mendimi për Shqipërinë duhet të presë.


Përpara tij ka dalë emri im, të cilin tani duhet ta mbroj nga një jetë që nuk e kam jetuar.


Brenda këtij rrëfimi, mohimi mund të lexohet si fshehje, heshtja, si pranim.


Të lejohet të përgjigjesh, por përgjigjja e ka marrë kuptimin pa ty.


Vendin në bisedë ta ka zënë një njeri me emrin tënd.


Ia dinë të fshehtat, ia njohin paguesin, ia parashikojnë fjalët.


Ti vetë nuk e njeh.


Sa më shumë përpiqesh të tregosh kush je, aq më gjatë të mbajnë përballë tij.


Edhe njerëzit që nuk e besojnë akuzën mund të presin shpjegime prej të akuzuarit, pa kërkuar prova nga akuzuesi.


Trillimi mund ta marrë drejtimin e bisedës pa fituar besimin e askujt.


Atij i mjafton radha, fillimisht të sqarohet ajo që nuk ka ndodhur, pastaj të flitet për atë që po ndodh.


Akuza mund të rrëzohet, edhe emri mund të pastrohet.


Por dita e marrë nga trillimi nuk kthehet për t’u jetuar ndryshe.


Ndërkohë, pushteti shtetëror merr vendime për ne.


Edi Rama ka institucionet, administratën, buxhetin dhe përgjegjësinë për përdorimin e tyre.


Një drejtim opozitar nuk ka të njëjtat mjete.


Por kur e njeh qytetarin si kundërshtar të qeverisë vetëm pasi ky pranon udhëheqjen e tij, kërkon ta trashëgojë marrëdhënien e sundimit.


Këtë rrezik e quaj Katovica e Re.


Premtohet një vend tjetër, ndërsa qytetarit i kërkohet të mbetet po ai, njeriu që duhet të tregojë kujt i bindet.


Një shoqëri mund të mbushet me përgjigje dhe të mos presë më asgjë prej tjetrit.


T’i ketë gati edhe fjalët e tij, edhe fajin, edhe përgënjeshtrimin.


Në zhurmën e këtyre fitoreve, pushtetit mund t’i kursehet llogaria.


Humbja nuk është vetëm e të përfolurit.


Një njeri i sajuar nuk sjell dot atë arsye që nuk e kishim menduar.


Nuk ka asgjë për të na thënë përtej asaj që i kemi futur në gojë.


Nuk e di nëse ai njeri do të më shkruajë sërish «Respekte».


As nuk ia kërkoj.


Mund të mos pajtohemi kurrë.


Por kur të më kundërshtojë, dua të më ketë përballë mua, jo njeriun që i është dashur të shpikë.


Që në atë bisedë, më në fund, të jemi dy.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page