top of page

Rinisja në kohë zhurme: Si mbahet opozita e drejtë pa u bërë pjesë e lojës?



Nga Gent Sinani

Nënkryetar i LRE - Rinisja


Po jetojmë ditë kur Shqipëria tingëllon si daulle, sa më fort rreh, aq më pak dëgjohet kuptimi.


Lajmi vjen si çekan, turma kërkon menjëherë një fajtor, një hero, një skenë.


Por Republika nuk mbahet me skena. Mbahet me peshë.


Dhe peshën e mban ai që pranon kufij.


Kjo javë është e ndezur, një kërkesë e SPAK-ut që prek një figurë të lartë të qeverisë, një protestë e thirrur për nesër para Kryeministrisë, dhe gara e grupeve të tjera për të zënë vendin e “më të zëshmit”.


Në këtë ajër, tundimi duket i lehtë, të marrësh frymë me zhurmë.


Rinisja zgjedh të marrë frymë me standard.


Besueshmëria nuk ndërtohet me thirrje. Ndërtohet me sistem: rregulla të lexueshme, afate të dukshme, arsyetime të kuptueshme, llogari që hapen.


Kush e do Republikën, e mbron duke e bërë të kuptueshme.


Kur drejtësia ngjitet në majë, shfaqen dy deformime, pushteti përpiqet ta kthejë procedurën në mburojë, ndërsa opozita përpiqet ta kthejë në trofe.

Ne i refuzojmë të dyja.


Drejtësia është drejtësi vetëm kur është e ftohtë në provë, e ngrohtë në dinjitet dhe e qartë në arsyetim.


Për këtë rast dhe për çdo rast, Rinisja mban një standard të thjeshtë, por të hekurt:


• Kuvendi nuk është gjykatë që dënon, as strehë që fsheh. Është filtër procedural. Voton me arsyetim të lexueshëm, pa aktrim, pa hakmarrje.


• Qeveria nuk e përdor procedurën si alibi, as e sulmon drejtësinë, as e shndërron në marketing.


• Opozita nuk e përdor drejtësinë si flamur për të ndezur turmën; e mbron si institucion.


Këtu hyn masa jonë e parë, kufiri.


Jo kufiri gjeografik, por ai që ndan të lejueshmen nga e pahijshmja, interesin publik nga përvetësimi.


Republika sëmuret kur kufijtë e saj kthehen në porta të pasme.


Porta e pasme ka emra të njohur, tenderi i porositur, licenca e shtrembëruar, ligji “kostum”, rruga e shkurtër për miqtë.


Ne duam drejtësi që shpjegon.

Sepse vendimi i lexueshëm për qytetarin është ligj që krijon besim.

Dhe besimi nuk printohet, fitohet.


Protesta është e drejtë.

Por kur protesta shndërrohet në garë pozicionimi, ajo rrit temperaturën dhe ul besueshmërinë.


Sheshi prodhon nerv e ndarje, por jo punë të gjatë, prodhon lëvizje të shpejta, por jo riparime të thella.


Rinisja nuk përçmon protestën.


Rinisja përçmon pazarin me protestën, atë konkurs “kush del më shumë” që e ul qytetarin në rol dekori.


Ne jemi opozitë, por nuk jemi vetëm kundër. Jemi për, për ligj që ka kuptim, për shtet që i shërben punës, për ekonomi që shpërblen meritën, për kulturë që fisnikëron gjuhën dhe sjelljen.


Kush është vetëm kundër, rrotullohet, kush është për, ndërton.


Rinisja e quan politikën prindërim publik. Sepse vendimmarrja që s’e kalon testin e fëmijëve tanë është thjesht teknikë pushteti.


Prandaj ne i kthejmë të mëdhatë në të kuptueshme.

Jo me retorikë, por me alfabet pyetjesh që i vendos kufij abuzimit:


• Si e prek kjo politikë fëmijën në bankë?

• Si e prek prindin në radhë?

• Si e prek të sëmurin në shtrat?

• Si e prek artizanin në punishte?

• Si e prek sipërmarrësin në risk?


Këto pyetje e bëjnë shtetin të lexueshëm; dhe shteti i lexueshëm bëhet i ndershëm. Grabitja jeton në errësirë; prindërimi publik kërkon dritë.


Në Shqipëri, përfitimi shpesh privatizohet, ndërsa humbja socializohet.


Ky është rregjimi i kostove të padukshme, vonesë, pasiguri, arbitraritet, që i paguan qytetari edhe kur s’e kupton faturën.


Ky është tatimi i fshehur që paguajmë çdo ditë, koha e vjedhur, dinjiteti i ulur, besimi i krisur.


Në biznesin e vogël ka emër tjetër, ditë të humbura në zyrë, mall i bllokuar, dosje që rrotullohet, pasiguri që ha fitimin para se të shitet malli.

Në bilanc nuk shënohet. Në jetë ndihet.


Dhe kur ndihet gjatë, ajo kthehet në emigrim.


Rinisja vjen me një ekonomi tjetër, Ekonomia e Punëve të Mira.


Jo skema pa emër, por zinxhirë të gjallë vlere, prodhim-përpunim-treg, me standard dhe tregues.


Turizëm me identitet që nuk shet peizazhe, por rrëfenjë e mjeshtëri.


Industri krijuese që e kthen kulturën në kapital.


Teknologji që i jep krah punëtorit, jo ia pret.


Këtu, dy mendimtarë konservatorë të dekadës së fundit na ndihmojnë të flasim pa mjegull.


Patrick Deneen na kujton se kur shoqëria shkëputet nga bashkësia, liria kthehet në lodhje.

Për Shqipërinë kjo është fshati që zbrazet, qyteti që ngushtohet, familja që shpërndahet, sepse ekonomia s’ka rrënjë.


Oren Cass e kthen te puna reale, jo te shifrat që duken bukur, por te punëtori që duhet të ketë arsye të rrijë, të prodhojë, të ndërtojë jetë këtu.


Fitimi i ndershëm nuk është i vogël, është i pastër.


Dhe fitimi i pastër ndërton shtresë të mesme, pra ndërton republikë.


Rinisja nuk vjen si piramidë bindjeje, por si rrjet besueshmërie.


Rregjimi jeton me qendra graviteti që thithin gjithçka, ne ndërtojmë nyje drite që ndriçojnë njëra-tjetrën.


Prandaj na duhet Atlasi i Meritës Publike, tregues të njëjtë për të gjithë, kohë, cilësi, ndershmëri, në çdo zyrë.


Na duhet Regjistri i Shërbimit të Hapur në bashki, ku qytetari sheh afatin, standardin, koston dhe krahason.


Na duhet Buxheti i qytetarisë, ku komuniteti vendos realisht për një pjesë të fondeve.


Ta bëj konkrete, një herë e mirë, në një bashki pilot, “Atlasi i Meritës” do të thotë që qytetari e sheh online kohën mesatare të një shërbimi, arsyet e refuzimeve, tarifat reale, numrin e ankesave dhe mënyrën si janë zgjidhur.


Një bashki tjetër krahasohet.

Një drejtues vlerësohet.

Një abuzim shfaqet.

Një nder shpërblehet.


Kështu thyhet klubi pa u thyer Republika, me rregulla që i sheh kushdo, me masa që nuk poshtërojnë askënd, por i vendosin kufi abuzimit.


Me dalëzotësi, forcë që mbron pa spektakël, qorton pa poshtërim, ndërton pa reklama.


Ta them pa zbukurim, edhe ne e kemi tundimin e zhurmës.


Në ditë si këto, sheshi duket si rruga më e shkurtër drejt vëmendjes dhe heshtja duket si humbje.


Edhe ne e kemi gabuar herë pas here, duke e ngatërruar fjalimin me punën.


Por dallimi ynë është ky, ne nuk e fshehim gabimin pas turmës.


E vendosim përpara peshoreve.


Vendimi ynë është i prerë, të mos e blejmë dukjen me çmimin e shpirtit.


Të mos e kthejmë drejtësinë në këngë lufte. Të mos e kthejmë protestën në fe.


Të mos e kthejmë kundërshtimin në profesion.


Prandaj, në ditët në vijim, Rinisja do të vendosë mbi tryezë tri propozime të shkruara e të lexueshme, një paketë standardesh për transparencën e shërbimeve publike, një model të ekonomisë së punëve të mira me tregues të matshëm, dhe një kornizë të prindërimit publik në vendimmarrje.


Arian Galdini i dha kësaj Lëvizjeje atë që në Shqipëri është e rrallë, themel moral.


E ktheu vetminë në garanci lirie, pyetjen në metodë, fjalën në provë, shërbesën në kulturë.


Ky është kapitali që nuk konsumohet nga krizat.


Kristina Nano, në krye të LRE - Rinisja, është vijimësi e këtij kursi: maturi, disiplinë, kërkesë prove, gjuhë e pastër, vëmendje te njeriu konkret.


Në një javë si kjo, roli i saj është i thjeshtë dhe i vështirë, ta mbajë Rinisjen peshore të Republikës, jo instrument të zhurmës.


Sot shumë kërkojnë të fitojnë ditën.

Rinisja kërkon të fitojë karakterin e nesërm. Nëse drejtësia troket, ne nuk e bëjmë daulle, e bëjmë provë.


Nëse protesta thërret, ne nuk e bëjmë fe, e bëjmë të drejtë me masë.


Nëse rregjimi ushqen mohimin “të gjithë njësoj”, ne e prishim me një fjalë që s’plaket, provë.


Sepse në fund, matja nuk bëhet as me sondazhe, as me decibelë.


Bëhet te sporteli, te banka e shkollës, te shtrati i spitalit.


Aty vendoset çdo ditë, në heshtje, nëse shteti është peshore apo skenë.


Rinisja zgjedh peshoren.

Një udhë që fillon nga ndërgjegjja dhe përfundon në sistem.


Gent Sinani

NënKryetar i LRE - Rinisja

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page