Rinisja përballë Rregjimit. Si thyhet Klubi i Pakicave Plaçkitëse pa thyer republikën!
- Arian Galdini

- Nov 8, 2025
- 6 min read

Nga Arian Galdini
Dhe vjen një pikë ku historia e një vendi nuk ecën më me retorikë, as me rrotullim fytyrash në të njëjtën maskë, por vetëm me rikthimin e një mase të thjeshtë që e kemi harruar, pesha morale e gjërave.
Shqipëria sot rri pezull midis dy gravitetesh. Në njërën anë, Rregjimi me teknologjinë e tij të vjetër të lodhjes së ndërgjegjes, ku pushteti jep premtime me zë të lartë dhe fatura me gërma të imta.
Në anën tjetër, Rinisja, që nuk kërkon një lojë të re në fushën e vjetër, por fusha të reja për lojë të ndershme.
Kjo nuk është betejë efektesh, është ndarje metodash, standardesh, botëkuptimesh e parimesh.
Rregjimi përfton realitetin si spektakël.
Rinisja e rikthen si kujdes.
E kemi quajtur klasën sunduese të këtij tranzicioni të gjatë si Klubi i Pakicave Plaçkitëse.
Klub me rregulla për brenda dhe me fatura për jashtë.
Klub që privatizon përfitimin dhe i pason shoqërisë humbjen.
Klub që e ka shndërruar politikën në një treg autorizimesh, ku vota është dekor, e kontrata reale vjen më pas, e shkruar në një gjuhë që qytetari nuk e njeh dot.
Në këtë logjikë, shteti është arkë e përbashkët me çelësa privatë.
Rinisja vjen si mbyllje e kësaj arke dhe hapje e llogarisë publike, jo me fjalë të mëdha, por me një arkitekturë të re të sjelljes, ku ligji nuk kërkon thjesht bindje, por ndërgjegje të matshme.
Dallimi i parë i një republike të shëndoshë është kufiri.
Jo kufiri gjeografik, por ai që ndan të lejueshmen nga e pahijshmja, të përbashkëtën nga përvetësimi.
Republika sëmuret kur kufijtë e saj shndërrohen në porta të pasme.
Rregjimi punon me porta të pasme me tendera të porositur e paracaktuar, licenca e leje të shtrembëruara, legjislacion i shkruar si kostum, etj, etj.
Rinisja ka vizion që nëse qytetarët e bashkohen në besëlidhjen e të mirëve e të merituarve e ia japin asaj shansin të jetë aty ku merren vendimet e zbatojen politikat, LRE e kthen shtetin te arti i kufirit të qartë, as gjakim për “shpejtësi”, as grackë për “efikasitet” pa standard.
Sepse fuqia pa kufi nuk është fuqi, është prishje me ritëm.
Kjo etikë e kufirit nuk bëhet me shpata, bëhet me një kulturë të re të matjes.
Në gjykata, çdo vendim shpjegohet si mësim, jo si urdhër.
Në administratë, çdo shërbim ka kohën dhe arsyen e vet të hapur.
Në financa, çdo shpenzim mban emër, qëllim dhe prova.
Kjo nuk do të thotë burokraci e gjatë, do të thotë qartësi e transparencë.
Kur kufiri rikthehet, klubi tretet.
Rregjimi e ka shpikur historinë si fond dekorativ, me pak folklor për fushata, pak identitet për slogane, e pastaj “marrëdhënie publike”.
LRE me e nën frymëzimin neoshqiptarist nuk e pranon këtë pazar.
Rrënjët nuk janë pretekst për të mos lëvizur, janë garanci që lëvizja nuk na çrrënjos.
Rrezja nuk është joshje për të humbur veten, është horizont ku çojmë kontributin tonë.
Kjo do të thotë, gjuha si shtëpi e respektit, kujtesa si busull, kultura si kapital që punon, jo si mall vitrine.
Moderniteti pa rrënjë është pëlhurë e hollë, rrënjët pa rreze janë mur i verbër.
Shqipëria duhet të bëhet gardh i hapur që ruan ç’është brenda, e mirëpret ç’është e mirë jashtë.
Në vend të forcës që demonstron veten, Rinisja vendos forcën që mban të tjerët.
Dalëzotësia nuk e përzjen kurajën me zhurmën.
Ajo mbron pa spektakël, qorton pa poshtërim, kujdeset pa reklama.
Dalëzotësia është matja e vetes përpara se të matësh tjetrin.
Kur ky virtyt bëhet zakoni ynë civil, nuk ka polic të mjaftueshëm për ta prishur atë rit, as propagandë që ta bëjë të duket e kotë.
Në klubin e plaçkitjes, politika është llogari e ndryshuar shpesh, sot ky, nesër ai, pasnesër askush.
Rinisja synon ta përmbysë këtë logjikën ku politika është kujdestari afatgjatë.
Prandaj Prindërimi Publik është testi ynë vendimtar, ku çdo ligj do të duhet të shihet me sytë e fëmijëve, çdo shërbim të matet me ndershmëri shtëpie, çdo buxhet të lexohet si llogari kujdesi, jo si tabelë zhurme e propagande.
Nuk ka qytet më modern se ai ku gjyshja e kupton planin urbanistik, dhe një nxënës i klasës së parë i kupton pse-të e drejtësisë.
Kjo është demokracia me fytyrë prindërore, e cila e detyron shtetin të jetë i kuptueshëm, pra i ndershëm.
Ndërkohë që Rregjimi përdor flamurin për të mbuluar mungesat, Rinisja e përdor si masë ndërgjegjeje teksa ngre pyetjet, a e nderojnë vendimet, veprimet, fjalët e shembullzimet tona dhe të zyrtarëve dhe ofiqarëve e qeverisësve të shteti shqiptar dinjitetin e shtetasit?
A e rrisin aftësinë shoqërore, pra kompetencën kolektive për të bërë gjëra të mira bashkë?
A e fuqizojnë besueshmërinë mes nesh?
Kombëtarizmi i matur nuk kërkon armiq imagjinarë, kërkon paqe të vështirë, në gjuhë, në buxhet, në qytetari.
Kjo paqe nuk prodhohet në studio televizive e media, por rritet në punishten e zakoneve e traditave.
Vizioni ynë si LRE sjell tri ligjet e ekonomisë së ndershmërisë:
Ligji i parë, Shërbimi sjell fitim të qëndrueshëm. Kur një biznes ndërton vlerë reale, nuk i duhen fasada.
Kur një model fitimi ushqehet me afërsi me pushtetin, ai duket i shpejtë, por është bosh në rrezatim, nuk jep dritë për askënd tjetër.
Ligji i dytë, Konkurrenca pa kosto të fshehur prodhon rritje që rri.
Rregjimi krijon “kosto të padukshme”: vonesë, pasiguri, arbitraritet.
Ekonomia e punëve të mira i heq këto kosto, dhe befas shohim se fitimi i ndershëm nuk është i vogël, është i pastër.
Ligji i tretë, Besueshmëria është valuta e padjegshme. Tregu ynë do të rritet kur vetë produktet tona të bëhen kartë identiteti, kur malli i mirë flet vetë, shërbimi i mirë nuk ka nevojë për mik, firma e mirë nuk e lë veten në dorë askujt.
Politika e mirëmbajtjes.
Si bëhet reforma që mbetet?
Rinisja nuk ka në vizionin e saj premtime për kthesa të menjëhershme.
Rinisja beson tek rritjet e qëndrueshme.
Kjo kërkon një politikë të re, politikën e mirëmbajtjes.
Jo “mirëmbajtje” si status quo, por si disiplinë për të mos lënë të rrjedhë asgjë që u ndërtua me mund.
Kjo politikë punon me tri instrumente:
Kujtesë operacionale, ku çdo përmirësim që funksionon dokumentohet si manual i thjeshtë, republika mëson nga vetja, nuk e shpik veten çdo katër vjet.
Kufij inflamacioni, ndërsa ndalojmë normën e “urgjencave të përhershme”.
Çdo emergjencë që përsëritet është teknikë justifikimi, jo aksident.
Kartografi e së mirës së përbashkët, me hartë të qartë të kontakteve mes shtetit, tregut dhe komunitetit, ku secili ka rolin, kufirin dhe pikat e dorëzimit.
Pa këtë hartë, gjithçka bëhet bisedë, me të, biseda bëhet punë.
Kur themi Perëndim, nuk kërkojmë leksione, kërkojmë aleanca që mbrojnë njeriun, jetën, lirinë, besimin.
Miqësia me Shtetet e Bashkuara dhe aleancat me Bashkimin Europian nuk janë thjesht vizita protokollare e as show mediatik, por janë ushqimi i përditshëm i një republike që do që do të rritet pa u zhbërë.
Pse Rinisja është alternativë e vërtetë, jo variacion?
Rregjimi dhe Klubi i Pakicave Plaçkitëse e kanë ndërtuar lojën mbi lodhjen morale, mbi idenë e rreme se “të gjithë njësoj”.
Rinisja e prish këtë mohim duke e zëvendësuar me provë.
Alternativa nuk provohet me kujtimet e fjalimeve, provohet me njësi të vogla të së mirës që shumohen, me një gjykatë që flet qartë, një bashki që mban afate, një shkollë që rrit nxënës, një klinikë që respekton dinjitet, një biznes që nuk blen radhë, një ministër që e justifikon secilin nen.
Këto janë qelizat e shëndetit publik.
Kur qelizat shumohen, sëmundja humbet.
Rinisja vjen si skemë gjeometrike e shpresës jo piramidë e bindjes, por rrjet i besueshmërisë.
Rregjimi jeton me qendra graviteti që thithin gjithçka.
Rinisja ndërton nyje drite që ndriçojnë njëra-tjetrën.
Kështu e thyejmë monopolizimin pa e thyer republikën.
Zgjedhja është e kthjellët. Ose një vend që e fshin me rregull gjurmën e vet çdo katër vjet, ose një vend që e gdhend me durim karakterin e vet çdo ditë.
Ose një ekonomi që rrit volumin e zhurmës, ose një ekonomi që rrit peshën e mirësisë.
Ose një politikë që kërkon duartrokitje, ose një politikë që kërkon njësi të matshme të kujdesit.
Rinisja është palca e kësaj zgjedhjeje.
Ajo nuk vjen për të ndezur sallat, vjen për të ulur temperaturën e pasionit bosh dhe për të rritur temperaturën e punës me ndërgjegje.
Sepse Shqipëria nuk ka mungesë talenti, ka mungesë mase.
Dhe kur masa rikthehet, zhurma humbet. Kur pesha rikthehet, fitorja nuk duket më e madhe, bëhet më e vërtetë.
Arian Galdini
.png)










Comments