Ron Yeffet, Kayo, TIMAK, sekreti dhe arma e Republikës

Kontrollet e BKH-së, me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, në banesën e Ron Yeffet dhe në ambiente të KAYO-s kanë futur industrinë shqiptare të mbrojtjes në një provë që është njëkohësisht penale, politike dhe shtetërore.
TIMAK është përmendur në raportimet mbi hetimin, vetë KAYO ka bërë publike negociatat e saj për partneritet me TIMAK.
Fajësinë e vendos drejtësia.
Por Republika nuk mund të presë një vendim penal për të kërkuar llogari politike.
Sepse siguria kombëtare njeh sekret operacional, jo papërgjegjshmëri politike.
I pari mbron Shqipërinë.
E dyta do të mbronte vetëm pushtetin.
KAYO është kompani shtetërore.
Industria e mbrojtjes prek armën, paranë publike, sovranitetin dhe besimin e aleatëve.
Pikërisht për këtë kontrolli demokratik këtu duhet të jetë më i fortë, jo më i dobët.
NATO e vendos transparencën dhe llogaridhënien në zemër të institucioneve serioze të mbrojtjes.
Prandaj qeveria Rama ka një detyrim politik që nuk transferohet te një drejtor, një biznesmen apo një kompani, të shpjegojë arkitekturën që ka ndërtuar, kriteret e partneriteteve dhe mekanizmat e kontrollit.
Pafajësia penale është individuale.
Përgjegjësia politike ngjitet në hierarki.
Shtetbërja nuk kërkon një shtet që fsheh dobësitë pas flamurit.
Kërkon një shtet aq të denjë sa flamuri që mban.
Amerika dhe NATO nuk janë alibi të pushtetit.
Janë standard që e kufizon atë.
Rasti Ron Yeffet - KAYO - TIMAK nxjerr kështu një ligj të Republikës, se sa më pranë armës qëndron pushteti, aq më pranë dritës duhet të qëndrojë llogaria.
Armën e mban shteti.
Llogarinë e jep pushteti.
Arian Galdini





Comments