Rubrika Ditore: Nga Dhjetori 1990 tek Skuthokracia e sotme. 28 Korrik 2025. Dita 34 / 121
- Arian Galdini

- Jul 28
- 2 min read

Titulli: “2013–2014: Humbja që nuk u mendua kurrë”
Analiza
Ka humbje që ndodhin si ndëshkim.
Ka humbje që ndodhin si mundësi.
Dhe ka humbje që ndodhin si ftesë për të menduar e reflektuar thellë me e mbi vetveten.
Partia Demokratike në vitin 2013 humbi gjithçka, por nuk mendoi asgjë.
Fushata e vitit 2013 ishte e zbehtë.
Prej muajsh PD ishte shndërruar në një qeveri pa zë.
Fjalimet e kryeministrit qenë kthyer në monologë.
Përgjigjja e vetme ndaj çdo kritike ishte: “Ne punuam.”
Por pyetja e qytetarit nuk ishte më “çfarë bëtë?”
Ishte: “Për kë jeni më?”
Në vend të një ndërtimi politik të së djathtës,
kishte mbetur vetëm struktura mekanike e një partie që kërkonte të vazhdonte nga inercia, jo nga idea.
Pas humbjes, Sali Berisha dha dorëheqjen.
Jo si akt pendese, por si akt përmbylljeje të një cikli që ai e konsideroi të vetin.
Dhe PD nuk e përdori këtë dorëheqje si moment thelbësor për riformatim, por si kalim të heshtur drejt zëvendësimit pa ndryshim.
Lulzim Basha u zgjodh si kryetar, me përkrahje të pakushtëzuar nga ai që sapo ishte larguar.
Dhe me këtë u vulos se nuk do të kishte kthesë, por vetëm rrotullim.
Viti 2014 kaloi pa asnjë ide të re.
Pa ndërtim.
Pa vetëkritikë.
Pa projekt.
Opozita heshti në mënyrë që të ruante veten, jo për të dëgjuar.
Në vend që të shndërrohej në një hapësirë e re për të djathtën shqiptare, PD u bë kamuflazh i të njëjtës mendësi që e kishte rrëzuar.
Kjo ishte humbja më e thellë, jo ajo e pushtetit, por ajo e vetëdijes.
Dhe një opozitë që humb vetëdijen, nuk mund të fitojë më asgjë tjetër.
Nesër, më 29 korrik: Dita 35, “2014: Një opozitë që mbante mendjen në pushtet”
Do të analizojmë se si, në vend që të rikrijonte një identitet të ri konservator,
opozita e vitit 2014 mendonte ende si qeveri,
por fliste si opozitë, pa dallim, pa frymë, pa vetëdije.
.png)










Comments