top of page

Shkollat shqiptare

Sep 15
4 min read

Shqipëria, për një komb që mendon..


Më 11 shtator, përpara nxënësve fitues të olimpiadave, Edi Rama e lidhi suksesin e tyre edhe me punën e gjatë për përmirësimin e arsimit.


Fëmijëve u takon nderimi.


Medaljet janë të tyre.


Pushtetit i mbetet pyetja:


Medalja mat majën. Po brezin, me çfarë e masim?


PISA 2025 është matja ndërkombëtare më e freskët që kemi.


Nuk është pasqyrë e plotë, vetë OECD kërkon kujdes për Shqipërinë, sepse një pjesë e shkollave të vogla nuk mori pjesë dhe raportimi është i kufizuar.


Por edhe ajo që shohim mjafton për ta prishur qetësinë.


Vetëm 50 për qind e nxënësve të vlerësuar arritën të paktën Nivelin 2 në lexim, 55 për qind në matematikë dhe 61 për qind në shkencë.


Në lexim, pothuajse asnjë nuk arriti Nivelin 5 ose më lart.


Pas trembëdhjetë vitesh pushtet, Edi Rama mund të tregojë çdo sukses që mendon se i përket qeverisjes së tij.


Por pushteti nuk mund të zgjedhë edhe provat, edhe njësinë e matjes, edhe përfundimin e bilancit të vetë.


Bilanci është brezi.


Dhe brezi nuk është një mesatare që ul më të mirin për ta afruar me të tjerët.


Një vend i mençur duhet t’ia hapë qiellin fëmijës që mund të arrijë majën.


Por drejtësia e tij provohet edhe më poshtë, te lartësia nën të cilën nuk pranon të lërë askënd.


Ta ngrejë dyshemenë pa i vënë tavan askujt.


Dyshemeja nuk është një notë.


As një diplomë.


Është ajo pjesë e dijes pa të cilën liria bëhet më e varur nga të tjerët, të kuptosh atë që lexon, të arsyetosh me numrin, t’i kërkosh provë një pretendimi, të dallosh atë që di nga ajo që vetëm të është thënë, të jesh në gjendje të mësosh përsëri kur ajo që dije dje nuk mjafton më.


Një fëmijë që nuk i zotëron këto nuk ka më pak dinjitet.


Ka më pak mjete për ta mbrojtur atë.


Dhe mungesën nuk e lë në bankën e shkollës.


E merr me vete te kontrata që firmos, te kredia që merr, te ekrani që mund t’ia sjellë gënjeshtrën të veshur si të vërtetë.


Prandaj arsimi nuk është vetëm rrugë drejt punës.


Është infrastruktura e lirisë.


Shqipja duhet t’i japë saktësi mendimit; matematika ta mësojë të mos i nënshtrohet numrit që nuk kupton, shkenca t’i krijojë zakonin e provës, historia t’i japë kujtesë pa ia burgosur të ardhmen, anglishtja t’ia hapë botën pa ia paraqitur largimin si çmimin e dijes.


Edhe inteligjenca artificiale hyn këtu, jo si mendje në vend të mendjes, por si fuqi në duart e dikujt që di të pyesë, të verifikojë dhe të dallojë përgjigjen nga e vërteta.


Shkolla nuk duhet të prodhojë bindje.


Duhet të formojë gjykim: të dish se nuk di, të kërkosh dijen e atij që di më shumë, të kuptosh pse i beson, dhe të kesh lirinë ta ndryshosh mendimin kur prova e rrëzon atë që besoje dje.


Por pikërisht këtu shkolla ndesh një kufi që Republika nuk ka të drejtë ta përdorë si alibi.


Fëmijët nuk hyjnë në klasë nga e njëjta pikë.


Njëri vjen me libra në shtëpi, një tjetër me mungesën e tyre.


Njëri ka pranë shkollën, mësuesin, kursin, qetësinë, tjetri sjell me vete largësinë, varfërinë ose një familje që nuk pati vetë mundësinë të mësonte.


Shkolla nuk mund t’i zhbëjë të gjitha këto.


Por Republika mund të gjykohet nga diçka më e drejtë, sa pak arrin rastësia e lindjes të vendosë në vend të lirisë së njeriut.


Kjo është arsyeja pse dinjiteti i fëmijës nuk fillon ditën kur zbulohet talenti.


Një talent i pazbuluar është një mundësi e humbur.


Por një fëmijë që del nga shkolla pa mjetet themelore për të kuptuar, gjykuar dhe mësuar është diçka më e rëndë se një talent i humbur, është një liri e lënë më të varur nga të tjerët se sa duhej të ishte.


Këtu ndahet drejtësia nga nivelimi.


Republika nuk premton të njëjtin fat.


Nuk premton të njëjtin talent.


Nuk premton të njëjtën lartësi.


Premton se lindja nuk do të jetë dënimi që vjen përpara zgjedhjes.


Shkolla e mban pjesën e saj të këtij premtimi duke ngritur dyshemenë e aftësive.


Mbi të, qielli duhet të mbetet i hapur.


Edhe kufiri i PISA-s na kujton modestinë që i duhet pushtetit.


Një matje mund të jetë serioze dhe përsëri të mos shohë gjithçka.


Prandaj, përpara vetëkënaqësisë, mbetet një pyetje:


Cilin fëmijë nuk po shohim?


Këtë llogari i kërkoj qeverisjes së Ramës.


Jo të zhvlerësojë medaljen.


Të mos e përdorë medaljen për të mbyllur bilancin.


Kurrikula e re ka nisur këtë shtator për klasat I, VI dhe X.


Rezultatet e nesërme nuk mund t’ia kërkojmë sot.


Por sot mund t’i kërkojmë qeverisë të thotë çfarë aftësish synon të rrisë, si do t’i masë, kur do t’i masë dhe çfarë do të ndryshojë nëse ato nuk rriten.


Sepse reforma nuk është pronësia e qeverisë mbi fjalën “ndryshim”.


Është përgjegjësia e saj për pasojën.


Dhe pasoja që ka rëndësi është nëse, vit pas viti, më shumë fëmijë dalin nga shkolla me mjetet për të qenë autorë të jetës së tyre.


Aty arsimi bëhet fuqi kombëtare.


Jo sepse një vend duhet të dijë gjithçka vetë.


Shqipëria duhet të mësojë nga bota, të bashkëpunojë, të marrë teknologji dhe t’u besojë njerëzve që dinë më shumë.


Por të mësosh prej tjetrit nuk është e njëjta gjë me të jetosh gjithmonë me mendjen e tjetrit.


Ky dallim fillon në klasë.


Aty fillon edhe Shqipëria perëndimore, te autoriteti që nuk ka frikë nga pyetja, te fëmija që mëson të japë arsye, të dëgjojë arsyen e tjetrit, të kundërshtojë pa urryer dhe të korrigjohet pa u poshtëruar.


Aty liria nuk mësohet si fjalë.


Ushtrohet.


Dhe njeriu që mëson të jetë i lirë nuk bëhet pronë e Republikës që e arsimoi.


Republika e ka kryer detyrën e saj pikërisht kur ai mund ta zgjedhë jetën pa pasur nevojë t’i kërkojë leje prejardhjes, varfërisë, partisë apo shtetit.


Kjo është madhësia që mund t’i premtojë vetes Shqipëria.


Jo madhësinë e hartës.


As numrin e popullsisë.


Por zvogëlimin, brez pas brezi, të pjesës së fatit që shkruhet për njeriun përpara se ai të mund të shkruajë vetë.


Kjo është Shqipëria Mendonjëse.


Një Republikë që nuk e ngatërron drejtësinë me uljen e majës dhe as meritën me braktisjen e dyshemesë.


Një shkollë që u jep sa më shumë fëmijëve mjetet e lirisë.


Dhe një qiell që mbetet i hapur për secilin që mund të shkojë më lart.


Medalja na tregon sa lart mund të arrijë një shqiptar.


Brezi na tregon sa lart ka arritur Shqipëria.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page