top of page

“Shqipëria e Mundimeve” apo Shqipëria e “Mendimeve”?

Updated: 2 days ago



Nga Arian Galdini


Në hyrje të Kryeministrisë, një karrige plastike zbret nga bagazhi dhe ulet në trotuar, e lehtë si një send që s’ka faj.


Një blic i vetëm i huazon dinjitet dhe e vë në qarkullim, sikur syri ta kishte më të lehtë të besonte sesa të pyeste.

Karrigia rri e qetë, ajri përreth mbushet me fjali që kërkojnë të duken.


A mjafton pamja, apo jeta kërkon bilanc?


Për një pjesë të gjatë të kulturës sonë politike, legjitimiteti është kërkuar me thirrje e me shesh.


Kur institucionet janë dukur të brishta, rruga është bërë parlament, kur drejtësia është zvarritur, sheshi është marrë për gjykatë, kur programi është rralluar, fjala e lartë ka provuar të zëvendësojë dokumentin.


Kështu u edukua një shije kolektive, njeriu që digjet në sy vlerësohet më shpejt se njeriu që ndërton në heshtje.


Dhe aty ku shija sundon, vendimi vjen përmes emocioneve, jo përmes provës.


Kjo shije ushqehet me nderin e plagës.


Kujtesa mban mungesë, pushtim, varfëri, përndjekjen e një tranzicion të gjatë, prandaj dhimbja e veshur me flamur duket si rruga më e shkurtër për të fituar zemra.


Dhimbja është e vërtetë, por kur kthehet në titull e nis të sillet si monedhë, plaga del në dritë, letra mbetet në sirtar, qytetari mbetet në radhë.


Te ne, nderi matet shpesh me çfarë dhemb, jo me çfarë rregullon.


Sot “Heroi i Mundimeve” del në dy kostume që i njeh Tirana pa e thënë asnjë emër këtu.


Njëri është i riu, ai që e ka kthyer trotuarin përballë Kryeministrisë në kamp, natë pas nate, dhe kamerën në mushkëri, çadrat hiqen e kthehen, dhe çdo mbrëmje prodhon një “episod” të ri.


Tjetri është ai vetë Doktori. Ai e ka bërë tribunën një mënyrë jetese, dhe që kur një proces penal i profilit të lartë, u hap si gjyq në verën e vitit 2025, ai u përthith menjëherë nga ky ritëm dhe u kthye në dramë politike përditore.


Dy stile, një etje e njëjtë, të mbetet kamera mbi fytyrë.


Pastaj vjen shiu, dhe shiu nuk gënjen.


Palltoja rëndohet, uji rrëshqet në qafë, këpuca mbushet, gishti mpin, zëri çahet jo nga filozofia, por nga të ftohtit.


Njeriu e njeh këtë pamje dhe hap një derë simpatie, sepse askush s’e përbuz të lagurin që rri në këmbë a ulur në karrige.


Dhe pyetja rri, e ftohtë, e drejtë, por për çfarë?


Këtu nis dallimi mes dhimbjes dhe transaksionit.


Dhimbja e sakrifica është e vërtetë, s’ka nevojë të mohohet që të matet.


Por kur dhimbja e sakrifica shfaqet si provë morale pa gjurmë, ajo nis të sillet si leje e heshtur për pushtet: “po vuaj, prandaj më detyrohesh”.


Njeriu e ndjen këtë edhe kur nuk e formulon dot, e ndjen sa herë emocionohet, sa herë fal, sa herë e shtyn për nesër pyetjen e vetme të ndershme.


Shiu dhe i ftohti provojnë trupin, kuptimi provon karakterin.


Kthesa që e zhvesh romantikën vjen pa brohoritje, sepse sendet flasin vetë.


Me kalimin e ditëve, vuajtja merr prapaskenë, rënkimi i një gjeneratori e mban natën të ndriçuar, një dritë e vogël e mban fytyrën në këndin e duhur, një dyshek e bën trotuarin banesë.


Dhimbja s’mohohet, thjesht shihet se edhe sakrifica mund të prodhohet si pamje, e disiplinuar si punë, si zanat, si zeje, si profesion.


Kur vuajtja ka rrymë dhe shtrat, ajo pushon së qeni vetëm durim, bëhet regji.


Prej kësaj regjie, pushteti del si aritmetikë e qetë.


Vuajtja e sakrifica e dukshme prodhon kredi morale, kredia kërkon vend, vendi kërkon post, posti sjell kontroll mbi burime, burimet krijojnë varësi, varësia blen heshtje.


Dhe një ditë, pa zhurmë, vjen kërkesa e shpërblimit si diçka e “natyrshme”, si faturë e prapambetur.


Nëse vuajtja kërkon mandat, atëherë nuk ishte flijim, ishte investim.


Në këtë pikë sheshi nis të ngjajë me kazermë emocionale, alarmi kërkon armik, armiku kërkon besnikëri, besnikëria kërkon turmë, turma kërkon licencë, licenca kërkon post.


Në kazermë, mendimi duket luks, pyetja tingëllon dobësi, qetësia merret për dorëzim.


Edhe vetë institucionet e kanë treguar këtë temperaturë, përplasje e tym në sallën e parlamentit, mjete simbolike që e kthejnë debatin në spektakël.


Dhe sistemi e do këtë klimë, sepse zhurma mbulon dokumentin, kontratën, buxhetin, përgjegjësinë, gjërat që nuk japin adrenalinë, por e mbajnë vendin gjallë.


Pikërisht këtu, ajo që quhet “Gjykata e Provës” s’ka pse të duket tabelë, vjen si instinkt.


Një njeri i zakonshëm e mbyll telefonin, sheh supën që ftohet, dëgjon fëmijën që kërkon ujë, dhe pa e ditur i del fjalia: “çfarë mbetet nesër?”


Pastaj vjen e dyta: “kush mban emrin?”


Dhe vetëm pas tyre vjen e treta, më e ulët: “ku gjendet letra?”


Korniza e do dritën, bilanci kërkon letrën.


Teoria e njeh këtë tundim. Debord e pa “dukje-n” si mall, Tilly e pa protestën si repertor që ngurtësohet, Weberi e ndau bindjen që shkëlqen nga përgjegjësia që paguan, Arendt kërkoi provën e fundit, botën që mbetet.


Pamja qarkullon shpejt, rendi ecën ngadalë, dhe pikërisht prandaj kërkon mbrojtje.


Në anën tjetër qëndron “Njeriu i thjeshtë i harruar dhe i mohuar i Mendimeve”, jo si sportel-neon, por si bibliotekë që punon.


Ai ka një raft të vogël me shënime në margjinë, një artikull të botuar që s’u hap si lajm, një dorëshkrim doktrinar të rishkruar deri në lodhje, një laps të shkurtër që nuk e lejon fjalinë të gënjejë.


I vjen tundimi i spektaklit, i vjen tundimi i kompromisit, i vjen tundimi i cinizmit, ai i sheh të tre si rrugë të shkurtra që e shesin të nesërmen për një natë të bukur, dhe i lë të kalojnë.


Ai vuan ndryshe, nga mohimi, harresa, shpërfillja, vetmia, shurdhërimi shoqëror, nga tallja “je kot”, nga mos-shpërblimi e mosarritja ngase s’prodhon dramë.


Dhe megjithatë, mendimi i tij s’mbetet moral i pastër, bëhet fuqi politike kur shndërrohet në standard.


Aty ku bota e sheshit kërkon të mbetet pamje, ai e kthen në fjali të lexueshme, aty ku rregulli është i turbullt, ai e bën të qartë, aty ku ndërmjetësi kërkon të bëhet ligj, ai e refuzon.


Një presje e gabuar në një rregull i ha dikujt një muaj jetë, askush s’e sheh, por muaji ikën, dhe ai e di këtë, prandaj rri larg spektaklit.


Përgjegjësia e tij është barrë, jo dekor.


Këtu dilema morale lexohet edhe si ekonomi. Aty ku dukja blihet shpejt, rregulli dobësohet; kur rregulli dobësohet, rritet pasiguria, kur pasiguria rritet, ikja bëhet plan.


Valixhja mbyllet pa zhurmë, dhe prapa saj mbetet një vend që emocionohet shumë e ndërton pak.


Një faturë drite rri mbi tryezë, një qira pret, një radhë s’përfundon, këto janë shenja pa blic, por me kosto.


Dhe ja ku optika zbret, pa zhurmë, nga hyrja e Kryeministrisë te një shtëpi e varfër.


Në atë shtëpi, buka numërohet, dita ndahet me kujdes, dhe një protestë pa gjurmë s’është “ngjarje”, është humbje ore, rrogë e vonuar, shërbim që s’vjen.


Aty ku zgjatet radha, shkurtohet atdheu, aty ku shkurtohet radha, rritet besimi.


Këtu vendoset, pa britmë, cila Shqipëri do të mbetet.


Kur drita fiket, kur shiu pushon, kur ekrani mbyllet, mbeten vetëm dy sende që s’mashtrojnë, sporteli dhe letra.


Dhe letra, edhe kur është një copë e vogël, ka një virtyt që s’e ka asnjë brohoritje, mban mend.


Kë shpërblejmë, atë që na mbush ekranin, apo atë që na mban të nesërmen?


Kë zgjedhim, Shqipërinë e Mundimeve apo Shqipërinë e Mendimeve?


Kujt do tia japim të sotmen e besojmë të nesërmen, “Tregëtarit të Emocioneve” apo “Mikut të Mendimeve”?


Sfida është e jona. Shqipëria që zgjedhim sot, do të jetë ajo që do të kemi edhe nesër…


Arian Galdini


……….


Bibliografi e shkurtër:


Arendt, H. (1958) The Human Condition. Chicago: University of Chicago Press.

Debord, G. (1967) La société du spectacle. Paris: Buchet-Chastel.

Tilly, C. (2008) Contentious Performances. Cambridge: Cambridge University Press.

Weber, M. (1919) ‘Politik als Beruf’. In Gerth, H.H. and Mills, C.W. (eds.) (1946) From Max Weber: Essays in Sociology. New York: Oxford University Press.

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page