top of page

Si e shoh unë LRE prej sot e tutje, pasi të zgjidhet Kryetar i ri!

ree

Nga Arian Galdini


Vijnë të tilla çaste kur një organizatë i afrohet vetes si në një pasqyrë të thellë, ku sheh jo vetëm fytyrën, por edhe arsyen pse është gjallë.


Zgjedhja e Kryetarit të ri për LRE është pikërisht një çast i tillë, jo si thjeshtim i një funksioni, por si provë e asaj që filozofët e quajnë “kushtetuta e heshtur” e një bashkësie, marrëveshja e pashkruar se pse jemi bashkë dhe si e ruajmë flakën, pa u mbyllur brenda saj.


Rrugëtimi që nis sot nuk kërkon ndryshim kursi; kërkon kthjellim busulle.


Rritja e përgjegjësisë nuk pushton hapësira të huaja, hap më tej zemrën e asaj që kemi vendosur të mbrojmë, dinjitetin e njeriut, ndërgjegjen e qytetarit, fisnikërinë e përditshmërisë.


Në këtë dritë, ekzistenca e LRE merr kuptim si prani e gjallë e tre ideve që e kanë shoqëruar mendimin politik, por që te ne marrin trup shqiptar, besa si kushtetutë e heshtur, prindërimi si art i vendimmarrjes dhe dalëzotësia si institucion i karakterit.


Besa e bën të mundur të flitet për politikë si marrëdhënie e ndershme ndërmjet njerëzve, jo si tregti interesash.


Nuk është metaforë folklorike, është ligji moral që i paraprin çdo ligji pozitiv, fjala e dhënë që ruan peshën e vet edhe kur e humb privilegjin.


Prindërimi e kthen shtetin nga aparat, në kujdestar të të brishtit, politika nuk merret me abstraksione, por me fëmijë konkretë që rriten në banka shkollash, me njerëz të sëmurë që presin një shërbim me dinjitet, me punëtorë e sipërmarrës që kërkojnë drejtësi në ngarkesë, jo favor në krah.


Dalëzotësia e ndërlidh virtytin privat me rregullin publik, nuk është heroizëm episodik, por zakoni i qetë i atyre që nuk e lënë njeriun vetëm, madje edhe kur mendojnë ndryshe.


Mënyra si LRE i jeton këto ide dallon rëndshëm nga politika e zakonshme, nuk e koncepton udhëheqjen si pronësi të një zyre, por si besëlidhje.


Burns e quante transformuese atë marrëdhënie ku udhëheqësi rrit njerëzit ndërsa rritet prej tyre; Greenleaf e quajti shërbim, Heifetz e quajti punë të adaptimit.


Te LRE, kjo përkthehet në një ekuilibër të shëndetshëm midis Kryetarit të zgjedhur, që menaxhon formën e funksionimit, dhe Liderit Themelues, që ruan busullën e drejtimit.


Jo dy zëra që zëvendësojnë njëri-tjetrin, por dy role që e mbajnë njëri-tjetrin në përgjegjësi, njëri kujdeset që mjetet të mos i braktisin qëllimet, tjetri që qëllimet të mos i humbin mjetet.


Brenda kësaj simetrie, neoshqiptarizmi, shpesh i keqkuptuar si nostalgji, shfaqet si gramatikë e përditshme, gjuha e pastër si infrastrukturë e besimit ndërmjet njerëzve, kujtesa si busull që orienton, jo si muze që mpin, kultura si kapital i gjallë që prodhon punë të ndershme, jo si dekor ceremonial.


Të qenurit shqiptar nuk shterret te ritmi i flamurit, e ka thelbin te arsimimi i ndërgjegjes dhe te pjekuria e karakterit.


Neoshqiptarizmi nuk kërkon të mbyllë dritaret, kërkon të ndërrojë xhamat e mykur, që drita të hyjë pa u shtrembëruar.


Në ekonomi, kjo mendësi krijon një ekologi të së vërtetës, mbështetje jo për më të zëshmit, por për më të vlefshmit, jo subvecione për statistika, por kushte të ndershme për punë të mira.


Nuk mjafton të flitet për produkt të brendshëm bruto, kërkohet të flitet për produkt të brendshëm të ndërgjegjes, një matës i thjeshtë që pyet, sa rrit ky vendim dinjitetin e punës? Sa e zvogëlon ankthin e padrejtësisë? Sa rrit sensin e përbashkësisë?


Jo shifra pa shpirt e as shpirt pa shifër, veç gjithçka me shpirt.

Kjo është ekonomia e karakterit, treg i lirë që nuk i shërben grykësisë, por i përgjigjet përgjegjësisë.


Në planin e drejtimit, LRE e tejkalon modelin e bartësit të vetmuar dhe e ngre në sistem këshillin e virtytit, hapësirë ku njerëz me profesion të ndryshëm dhe integritet të provuar ushqejnë me mendim të pavarur drejtuesit e ditës.


Jo dekor i moralit, por instrument i tij, ligje të brendshme për etikën, rregull për konfliktin e interesit, refuzim i kultit të individit si shkarje e rrezikshme drejt adhurimit të personaliteteve.


Lideri i nesërm nuk njeh vetëm artin e fjalës, njeh edhe shkencën e kufijve.

Nuk kapërcen vijat e kuqe të besës për hir të një rruge më të shkurtër, nuk ngatërrohet midis rreshtit dhe kryetit kur duhet të mbajë të dyja detyrat.


Në raport me kombin, LRE e lë pas gjuhën e nxehtë të nacionalizmit sentimental dhe ngjit shkallën e kombëtarizmit të mirësisë, dashuri për vendin që përkthehet në cilësi të hapur të shërbimeve, në bashkëpunim pa komplekse me diasporën si prani mendjeje e zemre, në tema të mëdha që i kemi quajtur shpesh, por i kemi jetuar rrallë, dialog i brezave, jo retorikë mbi të rinjtë, aleanca e përditshme e prindërimit dhe shkollës, jo fajësim i ndërsjellë për dështime, krenari e matur, jo shfaqje efemere e vetes.


Kjo është një politikë e mirësisë, fjalë e butë, punë e forte.


Shpesh pyes veten çfarë mat suksesi i LRE-së.


Jo fitore numrash, edhe kur vijnë, e dinë të gjithë se nuk janë fundi i rrugës.


Suksesi matet me metrikën e ndërgjegjes, si ndryshon gjuha e qytetit pas nismave tona, sa pranohet normaliteti i rregullit si vlerë e përbashkët, sa më pak “unë së pari” dhe sa më shumë “ne me masë”.


Ngjan si matje e padukshme, po është më e forta, e ndërton të përbashkëtën pa daulle.


Të tjerët do të shohin kalendarin, ne do të shohim kohën si gjeometri të brendshme, aty ku qenia rrit vlerën e saj duke mos u dorëzuar.


Kjo filozofi e ngjiz edhe një metaforë të re të udhës.

Dikur i thamë vetes se ankori duhej ngritur dhe instrumentet provuar.

Sot e shoh anijen si orkestër, Kryetari i ri mban batonën, seksioni i vlerave mban ritmin, soli i prindërimit hyn aty ku fëmija ka nevojë për një ton më të ngrohtë, kornoja e dalëzotësisë i jep trup melodisë kur fryn erë e keqe.


Muzika që kërkojmë nuk kërkon skenë të madhe, kërkon vesh të mirë.


Nuk tërheq spektatorë për të harruar veten, ngre qytetarë që e gjejnë veten.


Në këtë simfoni, roli im si Themelues dhe roli i Kryetarit të Ri si drejtues përputhen natyrshëm, njëri ruan partiturën, tjetri mban ritmin, njëri vigjilon busullën, tjetri e përditëson hartën.


Rregulli i brendshëm nuk e lejon as kryetarizimin e Lëvizjes, as muzealizimin e Themeluesit.


Fryma mbetet e përbashkët, përgjegjësia shpërndahet me maturi, fjalët peshohen pa ngut, vendimet mbajnë peshë pa frikë.


Në fund, e shoh LRE-në si shkollë të karakterit shqiptar, jo si kulm të ambicieve tona, por si tokë pjellore për zemra dhe mendje që duan të mos e ndotin ujin ku pinë.


Tri metafora më ndihmojnë ta mbaj mendjen kthjellët, besa si kushtetutë e heshtur, garanton peshën e fjalës, prindërimi si art i vendimmarrjes, ruan fytyrën e njeriut në çdo politikë, dalëzotësia si institucion i karakterit, mban në këmbë njeriun kur sistemi lodhet.


Këto nuk janë togfjalësha për t’u stampuar, janë metoda për t’u jetuar.


Prej sot e tutje, pas zgjedhjes së Kryetarit të ri, e përfytyroj LRE-në si një kopsht të durimit, pemët rriten me prera të kujdesshme, uji qarkullon me masë, drita hyn pa u shitur.


Frutat që vijnë nuk kanë të bëjnë me sezonin e modës, lidhen me stinët e ndërgjegjes.


Qytetari që vjen këtu nuk kërkon spektakël, kërkon shtëpi për vlera.


Dhe shtëpia që ndërtojmë nuk e ka gati çatinë, e ka gati themelet.


Nëse mbetet një fjali që e mban të gjitha bashkë, ajo do të tingëllojë kështu, LRE është marrëveshja jonë për ta ngritur Shqipërinë nga brenda, me besë që flet pa u betuar, me mendje që mendon pa u fryrë, me zemër që punon pa u lodhur.

Kjo është rruga.

Kjo është muzika.

Kjo është shtëpia.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page