Sot, 5 vjet LRE. një dritë që nuk u fik, një besë që u rrit
- Arian Galdini

- Oct 24
- 4 min read

Sot, 5 vjet LRE. një dritë që nuk u fik, një besë që u rrit
Pesë vjet më parë, kur zbrazëtia dhe cinizmi sundonte e paradoksi plagoste, një telefon dhe një faqe e thjeshtë u bënë dritare për pyetje e frymë për shpresë.
Aty lindi Lëvizja e Re.
Aty nisi besëlidhja e të mirëve dhe të merituarve, një besëlidhje e vogël që mori zemër, u rrit si komunitet moral dhe sot quhet Rinisje.
Këto vite s’maten me kalendar, por me peshën e së vërtetës që kanë mbajtur, prova e sprova të qeta, standarde të ngulitura, njerëz të mirë që erdhën jo vetëm me duar, por me zemra.
Metafora e anijes sonë qëndrestare në dok është e vërtetë sa historia vetë.
Rezistenca në dok s’ishte pritje, as pezullim, ishin kohë mësimi e përvoje dhe sprova karakteri për të gjitjë ne, dhe doku ishte për ne kantier i qetë ku mpreheshin vegla dhe qartësohej busulla.
Aty e shtruam trupin e lëvizjes mbi kopelet e hekurt, jo për ta mbajtur, por për ta përmirësuar, nyje pas nyjeje, vijë pas vije, duke kalibruar velat me erën e realitetit dhe kompasin me yjet e parimeve.
Mbi kuvertë s’u bënë spektakle, u bënë prova të heshtura, rregullore të brendshme, ritme shërbimi.
Hartat s’u varën si piktura, u ripunuan me rrugë reale, me thellësi, me stinë.
Ekuipazhi s’u filmua e nuk u duartrokit sepse nuk po bënte spektakël për audiencë, por u rrit në besim, në sintoni, në përgjegjësi.
Kështu pritja u kthye në përgatitje.
Doku na mësoi ritin stoik të qetësisë, durimit dhe vetëpërmbajtjes, na mësoi se gjuha bëhet e vërtetë kur e ndriçon prova, se shërbesa është forma më e lartë e politikës e pushtetit, na mësoi se balta nuk vret farën, veç e mbulon për pak, derisa fara çan tokën dhe del më e fortë.
Ishte koha kur laboratorët e sistemit klononin surrogatë, ndërsa ne mbillnim fara që nuk kopjohen, dinjitet, besë, vepër.
Nga kjo kujtesë del edhe harta jonë e brendshme, Harta e Dinjitetit Njerëzor, që dmth, mos e zhbëj dinjitetin tënd e as të tjetrit, mos bëj politikë për të kapur veten, por për të kapur kohën e humbur të këtij vendi.
Por doku është vetëm gjysma e tregimit. Anija rri në dok sa të mësojë instrumentin, pastaj del në det që instrumenti të kthehet në muzikë.
Këtu fillon kalimi i butë nga retrospektiva tek vizioni programatik i të sotmes dhd shikimit nga e nesërmja e Rinisjes pas këtij 5 vjetori, nga provat e brendshme te politikat e jashtme, nga qëndrimi te veprimi i matur.
Së pari, prindërimi publik si etikë vendimmarrjeje. Taksa, shkolla, spitali, buxheti, diplomacia, të gjitha të shihen nga Rinisja, me sytë e fëmijëve tanë.
Për këtë kemi menduar të propozojmë, Shkollën e Prindërimit Publik, për formim të përhershëm për drejtues, ligjvënës, administratorë, që teknika të mos kthehet në ritual dhe rituali në boshësi, një alfabet i thjeshtë pyetjesh themelore, si prek kjo politikë fëmijën në bankën e shkollës, prindin në radhë, të sëmurin në shtrat, artizanin në punishte, sipërmarrësin në risk?
Së dyti, masa si art i punës së mirë: Ekonomia e Punëve të Mira 2.0.
Jo skema pa emër, por zinxhirë realë vlerash, agroushqim i lidhur me përpunimin dhe tregun nëpërmjet laboratorëve të standardit, turizëm me identitet që nuk shet peizazhe, por rrëfenjë e mjeshtëri, industri krijuese që e kthen kulturën në kapital, teknologji që i jep krah punëtorit, jo ia pret.
Në çdo qark, Korridore Vlere me tregues kohe e cilësie, Paga e Dinjitetit si busull fiskale, lehtësim vetëm me kontratë të bardhë, trajnim real, produktivitet të provuar.
Fondi i Besës dhe Punës fton diasporën të investojë dashuri me kthim të dyfishtë, ekonomik për vendin, shoqëror për komunitetin, që shpresa të bëhet infrastrukturë dhe dashuria llogari e pastër.
Së treti, vazhdueshmëria,
shërbim publik me ritëm, jo me shpërthime. Atlasi i Meritës Publike, dymbëdhjetë tregues të njëjtë për të gjithë, mat kohën, cilësinë dhe ndershmërinë në çdo zyrë.
Regjistri i Shërbimit të Hapur në çdo bashki i jep qytetarit aftësinë të shohë afatin, standardin, koston dhe të krahasojë.
Fleta e Dialogut të Buxhetit u jep banorëve të drejtën për të vendosur për një pjesë të fondeve.
Kështu, besimi nuk kërkohet me fjalë, fitohet me prova, qeverisja nuk shpjegohet me spote, dëshmohet me të dhëna, përgjegjësia nuk imitohet, matet.
Kjo linjë e brendshme, Dinjitet, Punë, Besim, është muza e çdo partiture politike që shpalosim.
Dinjitet në fjalë dhe në mënyrën si e mbajmë fjalën, punë që fisnikëron veten e të tjerët, besim që rritet sa herë që e vërteta qëndron pa frikë.
Po, kemi parë lodhje e hije, po, kemi parë ikje, por kemi parë edhe duar që u bashkuan, njerëz që u kthyen, zemra që u ndezën.
Ata që u larguan, i kuptojmë, ata që qëndruan, i nderojmë.
Historia nuk e mat guximin me numra, por me peshën e së vërtetës që dikush mbajti pa u përkulur.
Nesër, 25 tetor, ndezim një stafetë drite, lidershipi kalon nga dora te dora si qiri që nuk shuhet, por shumon dritën.
Nuk është orar zyrtar, është rit i besës.
Salla kthehet në agorë, ku misioni ngrihet mbi titujt dhe përgjegjësia mbi rrokopujat e ditës.
Kryetari i ri nuk zë vend, ai hap udhë.
Ne nuk duartrokasim tituj e emërtime, por shërbesë.
Nuk ngremë kult, por standard.
Dje provuam veten në heshtje, nesër i japim zë asaj heshtjeje që na rriti.
Ky nuk është ndërrim rojesh, është premtim i rinovuar, të mbajmë drejtimin, të rrisim dritën, të ecim më gjatë, të shërbejmë më thellë.
Kursi mbetet i njëjtë, prindërim që edukon vendimmarrjen, masë që nderon punën, vazhdueshmëri që mban shërbimin.
Ashtu si në dok, ku çdo vijë e trupit të anijes kontrollohej me kujdes, edhe në lundrim horizonti nuk na shet iluzione, Rinisja s’është shpërthim çasti, por marshim i qetë e i gjatë.
Nëse dikush pyet pse jemi ende këtu, përgjigjja është e thjeshtë, sepse e vërteta nuk kërkon mbrojtje, kërkon kohë.
Dhe koha, me gjithë vonesën e saj të dukshme, po vjen.
LRE mbush 5 vjet, një dritë që nuk u fik, një besë që u rrit.
Tani velat marrin erë.
Përpara nesh është dekada e Dinjitetit, Punës dhe Besimit.
Shqipëria Perëndimore merr formë kur fjala peshon nga prova, kur ligji mban peshë të barabarta, kur kultura kthehet në kapital, kur prindërimi politik bëhet metodë e shërbimit. Rrugës së dritës i mjafton një drejtim, Rinisje. 🇦🇱
Gëzuar 24 tetorin LRE🇦🇱🫶❤️🙏
Gëzuar 5 vjet LRE🇦🇱❤️🫶🙏
.png)










Comments