top of page

Sot, dita ime e fundit si Kryetar i LRE!

ree

Nga Arian Galdini


Në vijën e hollë mes dritës së mëngjesit dhe qetësisë së zemrës, kjo ditë shfaqet si fletë e kthyer me gishtërinj të ngrohur nga përvoja. Nuk ndihet si fund, as si maratonë e mbyllur, më shumë si një pauzë frymëmarrjeje, ku falënderimi zë krejt hapësirën.


Faleminderit, me mirënjohjen më të thellë e më të kthjellët, për pesë vitet që i bëmë bashkë jo si kalendar, por si shkollë karakteri.


Faleminderit për besimin që nuk kërkoi premtime të mëdha, për sakrificat që nuk i panë kamerat, për ecjen e qetë pranë kur rruga dukej vetëm pluhur e lodhje, për dorën që u dha pa zhurmë dhe për fjalën që u mbajt pa bujë.


Kohën nuk e numëruam me muaj, me ju, koha u peshua me dinjitet.


Në zanafillë ishin një telefon, dhe një faqe facebook, si një dritare e thjeshtë dhe një pyetje e gjatë e buçitëse që pësëritej e ripërsëritej me këmbëngulje, a mund të mbahet gjallë një dritë pa sponsorizim të errësirës?


Ju njerëzit e Komunitetit LRE u bëtë familja ime e dytë, u bëtë motrat dhe vëllezërit e mij, sepse ju nuk erdhët prej famës as prej pasurisë a pushtetit tim, as prej premtimeve të mia, ju erdhët me thjeshtësinë e njeriut që kërkon të ndërtojë të mirën me përkushtim, erdhet me fytyra të qeta dhe duar që dinin të mbanin peshë.


Prej asaj nisjeje të LRE plot mirësi e fisnikëri, kur e pashë dhe e jetova dhe e dëshmova se mund të ndodhë, prej krijimit të këtij komuniteti politik moral të mirëfilltë mësova se forca politike nuk buron nga zhurma, as nga tam tamet, as nga mediatizimi, e as nga popullariteti, por nga karakteri i një komuniteti që zgjedh të jetë shembull përpara se të jetë numër.


Që prej asaj ore të parë e deri sot, kemi kaluar bashkë mjegulla e stuhi dyshimesh, tradhëtishë, infiltrimesh, pabesishë, gjakosjeje e perbaltjeje, shpifjesh e sajesash, ndalimesh e pengesash, dhe brigje përbuzjeje, kemi njohur baltën dhe shtypjen e mohimit e shpërfilljes, por vijën e ndërgjegjes nuk e humbëm, e mbajtëm së bashju drejt, me një qetësi që filozofia e quan virtyt dhe jeta e njeh si nder.


Udhëtimi ynë nuk u bë mbi qilim të kuq, nuk pati suksese nga ato që bota quan sukses, nuk pati arritje nga ato që bota i quan tia dalësh, ndaj rruga na ngjau me një kurs të gjatë, ku mësimi vjen nga sprova dhe ku sakrifica nuk quhet sukses për shkak të jehonës, por për shkak të kuptimit.


Mësuam se durimi nuk është pritje e verbër, por muskul që rritet vetëm duke punuar, se përulësia nuk është ulje koke, por inteligjencë e karakterit që e di se e vërteta nuk ka nevojë për duartrokitje, por për rrënjë, se dalëzotësia s’është gjest heroik i rastit, por liturgjia e përditshme e mirësisë, mos e lër njeriun vetëm a pas, as kur nuk je dakord, as kur është e pakëndshme ti rrish pranë.


Në këtë akademi të virtytit civil, prindërimi u kthye nga ndjenjë personale në lente publike, çdo vendim u mat me sytë e fëmijëve, çdo rregull u pa nga lartësia e të pambrojturve, çdo shërbim u peshua me ndershmërinë e shtëpisë.


Ndërkaq, neoshqiptarizmi zbriti nga raftet e fjalëve dhe u bë ajër i përditshëm, gjuhë e pastër e doktrinës dhe mendimeve tona, nga respekti e dashuria për shqiptarizmin e kombëtarizmin, e kujtesë e gjallë jo nga nostalgjia, por nga busulla, kulturë si kapital i punueshëm, jo si dekor për tu dukur.


Shkenca e lidershipit e quan këtë marrëdhënie transformuese, kur udhëheqja rrit njerëzit ndërsa rritet prej tyre, mendimi klasik do ta quante maturi e urtësi të kurorëzuar me guxim, besimi im e ka përkthyer në më të thjeshtën, lidershipi ndodh kur e ndihmon tjetrin të bëhet vetja e tij më e mirë dhe kur komuniteti e ndihmon liderin të mos bëhet pronë.


Nuk e matëm veten me numra, por me flakët që ndezëm brenda secilit, sa herë e mbajtët fjalën pa u kthyer nga unë, sa herë ngritët zërin e së vërtetës pa pritur sinjal nga unë, sa herë e kthyet mirësinë në zakon, jo në reklamë.


Nëse dua të di sa jam rritur, shoh te ju, te ndryshimet e vogla, por të qëndrueshme, që e kanë bërë jetën tuaj personale dhe familjare më të denjë e më të hapur.


Mirënjohja shkon te të gjithë, te ata që udhëtuan nga larg nga fshati a lagjia e tyre, sidomos ata që udhëtuan nga Diaspora, për një takim e u kthyen natën pa u ankuar, te ata që sollën zemra të ngrohta e sinqerta e buzëqeshje kur salla ishte bosh a e përhumbur, plot, entuziaste, e zymtë a e gëzuar.


Mirënjohja shkon te njerëzit që patën guxim të kritikojnë me dashuri, te ata që u larguan e na lanë mësimin e ndershëm se çdo ideal e meriton pyetjen e mirë.


Edhe ata që na deshën pak e megjithatë na ndihmuan shumë, pasi me mospranimin e tyre, na lanë hapësirë për të thelluar arsyet, për të pastruar gjuhën, për të mos u lodhur nga rruga e gjatë.


Sot dorëzoj detyrën e Kryetarit.

Ky akt nuk është fotografi protokolli, por rit i brendshëm i një besimi që është institucion, jo shpërthim.


Prej kësaj dite, LRE, do të ketë një Kryetar të Ri dhe Liderin Themelues.


Roli im ndryshon, lidhja jo, sepse shtëpia nuk e harron gurin e saj themeltar dhe guri themeltar nuk e harron shtëpinë.


Mund ta them me një fjali të thjeshtë, që e di se do të mbetet e vërtetë edhe kur të fiken dritat e asaj salle ku do mblidhemi sot në mbrëmje, se nuk do të vijë kurrë ajo kohë kur Lëvizja Rinisje të jetë pa zërin e Themeluesit, as ajo kohë kur Themeluesi të jetë pa Lëvizjen.


Nuk ka LRE pa Galdinin.


LRE vazhdon me Galdinin.


Galdini vazhdon me LRE.


Jo si pronësi e emrit, por si marrëdhënie e një besëlidhjeje të nënshkruar me punë dhe me dinjitet.


Tani nis kapitulli i ecjes së hapur.


Për vite me radhë provuam instrumentet, kalibruam busullën me yjet e parimeve, lexuam erërat me kujdesin e atyre që ndjejnë përgjegjësi mbi shpresën.


Partitura është gati, dirigjenti i ri do ta ngrejë batonën dhe muzika do të flasë më qartë se megafonët.


Mua më mjafton të jem pranë, me qetësinë e njeriut që e di se koha e së vërtetës punon me ritmin e saj, e vërteta nuk kërkon mbrojtje, kërkon kohë.


Në kohë, e panevojshmja rrëshqet, thelbësorja qëndron, në kohë, tam tamet e ditës shurdhojnë, ndërsa drita e karakterit nuk ftohet.


Para nesh shtrihet një dekadë ku karakteri duhet të peshojë më shumë se retorika, ku puna duhet të vlejë më shumë se poza, ku besimi duhet të jetë më jetëgjatë se premtimi.


Do të ecim së bashku.


Të gjithë ata që kanë dhënë një hap zemre në këtë udhëtim janë pjesë e së nesërmes sonë.


Mirënjohja për ju nuk është mirësjellje fjalësh, është rrënjë.


Prej këtyre rrënjëve u rrit një lis që nuk e shemb era e ditës, degët e tij do të mbajnë fole për shpresat e brezave.


Nëse dikush nesër do të pyesë se çfarë ndodhi, do të mjaftojë një përgjigje e qetë, u përpoqëm të jetojmë si njerëz mirë plot dinjitet, me nder e vlerë, e mbajtëm fjalën, nuk e shitëm integritetin, e deshëm Shqipërinë si shtëpi.


Po e mbyll me një premtim që i ngjan lutjes, do të jemi bashkë, pa kusht e pa kalkulim. Unë do të jem këtu si shërbëtor i frymës që na rriti, si zë që rikujton pse nisëm, si kujtesë që e ruan busullën të kthjellët.


Mes nesh nuk ka ndarje të ftohta, ka vetëm ndarje rolesh që e ngrejnë të njëjtin ideal më lart.


Udhëtimi nuk kërkon heronj, kërkon njerëz të mirë.

Ju jeni ata njerëz.

Unë kam fatin t’ju kem.

Dhe sot, teksa kthehet kjo faqe, një fjali rri e palëvizur si Ylli i Veriut, rruga jonë nis nga ndërgjegjja dhe nuk humbet, as kur qielli vesh re, as kur deti rrit dallgë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page