top of page

Sot ka nisur një kohë e re për LRE!

ree

Nga Arian Galdini


Disa ditë i përkasin kalendarit, të tjerat bëhen busull. Kjo është një prej atyre ditëve. Lëvizja Rinisje ka një Kryetare të re dhe misioni vazhdon, jo si përsëritje e së djeshmes, por si hap i ri i së njëjtës besëlidhje.

Brenda këtij çasti rri e mbledhur një e vërtetë e thjeshtë, LRE nuk ka qenë kurrë një skemë fjalësh, por një mënyrë të qenuri së bashku, një komunitet moral, pastaj parti, një mision, pastaj organizim.


Që prej zanafillës e kemi ditur se një e djathtë e vërtetë nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me njeri.


Kjo është arsyeja pse e kemi quajtur veten e djathta humane, liria e personit bashkë me përgjegjësinë, prona bashkë me detyrën, familja si shtylla e karakterit, puna si burim nderi dhe kulturë që i jep formë çdo gjëje.


Nuk kemi kërkuar kurrë të shesim besë, kemi kërkuar ta mbajmë atë.


Në themel të kësaj filozofie rri Neoshqiptarizmi, gjuha si hapësirë e respektit, kujtesa si busull për të ardhmen, kultura si kapital i punueshëm, jo si dekor.


Nuk rikrijojmë kombin përmes rrëfimeve të reja me hije, e ndriçojmë nga brenda me kujdes të përditshëm për fjalën, për familjen, për të mirën e përbashkët.


Në këtë frymë, përqafimi me Perëndimin nuk është modë gjeopolitike, por detyrim moral, të jetosh me standarde që ngrenë njeriun, jo ta copëzojnë.


Shtylla tjetër është Prindërimi Publik, një vendim nuk kalon sepse është i dobishëm për një numër, por sepse është i drejtë për njeriun.


Çdo rregull shihet me sytë e fëmijëve, çdo shërbim peshohet me ndershmërinë e shtëpisë.


Nëse politika nuk e kalon këtë provë, sado të bukur t’i ketë fjalët, do të shkërmoqet në duar.


Dhe pastaj vjen ajo fjalë që e kemi sjellë në gjuhën e jetës sonë, dalëzotësia.


Me të kuptojmë atë kujdestari të qetë që nuk lejon të shkelet mbi të pambrojturin, atë durim që nuk dorëzohet, atë guxim që nuk kërkon dritat e skenës.


Dalëzotësia nuk ka zë të lartë, ka shpinë të drejtë.


Ajo s’e përçmon ligjin, e mban gjallë ndërgjegjen e tij.


Me zgjedhjen e Kryetares së re Kristina Nano, LRE dëshmon një pjekuri që e kemi ëndërruar, vazhdimësi me fytyrë të re.


Nuk është ndërrim kostumesh, as fotografi protokolli.


Është provë se besa mund të udhëtojë nga njeriu tek institucioni pa u humbur në rrugë.


Themeluesi ruan busullën, drejtuesja e re mban ritmin.


Njëri kujdeset për atë “pse” që na mblodhi, tjetra i jep formë “si”-së që na çon përpara.


Kjo simetri e frenon egon dhe rrit institucionin e ndërgjegjes.


Pesë vite na mësuan të mos shikojmë lodrën e momentit.


Stinët e terr-it dhe heshtjes, baltat dhe përbuzjet, nuk ishin thjesht rrugë të vështira, qenë stërvitje.


Tani nis koha e ndërtimit me ritmin e punës, me maturinë e të mësuarit, me qetësinë e gjërave që mbeten.


Ne nuk do të kërkojmë të dukemi të mëdhenj, do të përpiqemi të peshojmë drejt. Nuk do të ndjekim lajmin, do të mbjellim besimin.


E djathta autentike shqiptare që duam, i ka emrat e saj të qartë: Dinjitet, Punë, Besim.


Dinjitet në fjalën publike dhe në mënyrën si e mbajmë fjalën.

Punë që fisnikëron veten dhe e rrit familjen pa e vjedhur të nesërmen.

Besim që lidhet me prova dhe me rregull, jo me trukun e skenës.


Po të vendosen këto tri shtylla, statistikat mund të pasojnë, përndryshe, asnjë shifër nuk do ta mbushë boshësinë.


Ka nga ata që e shohin të djathtën vetëm si treg; ne e shohim tregun me shpirt.


Fitimi i drejtë vjen nga shërbimi, jo nga abuzimi, konkurrenca e ndershme krijon rritje që zgjat, jo flluska që shfryhen, respekti për profesionin, artizanatin, dijen dhe risinë nuk është luks, por lëndë ndërtuese.


Ekonomia e punëve të mira nuk është slogan, është arkitekturë e thjeshtë, zinxhir vlere që mbron dinjitetin e punëtorit dhe i hap rrugë sipërmarrësit të ndershëm.


Kjo është politika e maturisë.


Në gjuhën e shtetit, kjo do të thotë kujdes i matur, institucione që dëgjojnë, jo që flasin me veten, drejtësi që shpjegon arsyetimin, jo që fsheh teknicizmin, administratë që kursen kohën e qytetarit, jo dinjitetin e tij.


Kultura nuk rri në skenë si dekor, por bëhet ligj i përbashkët i mirësisë, gjuha e pastër, libri i mirë, muzika e denjë, historia e lexuar drejt, të gjithë si pjesë e një ekologjie të së vërtetës.


Zgjedhja e Kryetares së re Kristina Nano, i lëviz këto ide nga fjalori te partitura.


Tani orkestrës i duhet të luajë më pastër, fjala të ketë peshë edhe kur nuk ka mikrofon, vepra të ketë ritëm edhe kur nuk ka duartrokitje.


S’kemi pse të presim mrekulli, kemi pse të ruajmë metodën.

S’kemi pse të kërkojmë heronj të çastit, kemi pse të rrisim karakterin e përditshëm.


Ky është premtimi im si themelues, do të jem aty ku kërkohet fryma, jo aty ku kërkohet duartrokitja.


Do të kujtoj pse nisëm, jo për t’u kthyer mbrapa, por që të mos e humbasim arsye-n tonë në asnjë kthesë.


Kryetarja e re Kristina Nano, do ta mbajë drejtimin me maturi, bashkë do ta ruajmë frymën e Rinisjes, nis nga e vërteta, qëndron me dinjitet, vepron me besë.


Kush e sheh sot LRE-në nga jashtë, le të kuptojë këtë, nuk jemi mbledhje rastësore simpatish, jemi bashkësi me mision.


Nuk kërkojmë numrin e radhës, kërkojmë njeriun e duhur.


Nuk u përkulemi modave, i shërbejmë të mirës së përhershme.


Kjo është arsyeja pse shpresa jonë nuk është astar i fjalimit, por brumë i veprës.


Sot ka nisur një kohë e re për LRE.


Le të hyjë me paqe dhe me përkushtim.


Le të rrisim fëmijë që mendojnë drejt dhe flasin bukur, le të ngremë ekonomi që e mban njeriun në këmbë, le të kemi shtet që matet me kujdesin e tij, le të ruajmë Perëndimin si shtëpinë e vlerave tona dhe Shqipërinë si zemrën që na rreh.


Ka ende shumë punë për t’u bërë, por rruga dihet: Dinjitet. Punë. Besim.


Në fund, një fjali që e ka mbajtur Lëvizjen në këmbë:

Ne nuk ia dalim sepse zëri bëhet më i lartë, ia dalim sepse peshojmë më drejt.


Kjo është muzika që duam të luajmë.

Kjo është shtëpia që duam të ndërtojmë.

Kjo është arsyeja pse sot nuk është thjesht një datë e re, është dita kur misioni merr frymë me një ritëm edhe më të qartë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page