top of page

Sot nuk do të parashikoj asgjë…

Aug 21
3 min read

Nga Arian Galdini


Vijnë mëngjese të tilla kur njeriu përpiqet ta marrë ditën përpara se ajo të ketë ndodhur.


I vendos një emër, i cakton një përfundim, përfytyron njerëzit që do të takojë dhe shkruan në mendje kujtimin përpara se të ketë jetuar ngjarjen.


Këtë mëngjes nuk dua ta bëj.


Ora është ende e hershme.


Tirana po hyn në një të premte të zakonshme për mijëra njerëz që do të shkojnë në punë, do të hapin dyqanet, do të çojnë një prind te mjeku, do të pinë kafenë e mëngjesit, do të presin një fëmijë të kthehet nga jashtë, do të mendojnë për faturat, pushimet, shtatorin.


Diku mes gjithë këtyre jetëve është edhe ora 18:00.


Dhe unë nuk kam të drejtë t’ia marr asaj ore përgjigjen që ende nuk ma ka dhënë.


Prej ditësh kam folur.


Sot dua të respektoj edhe një virtyt tjetër të jetës publike, të mos e shpallësh rezultatin përpara faktit.


Politika shqiptare është mësuar keq me të ardhmen.


Para zgjedhjeve e di fituesin.


Para tubimit e di madhësinë.


Para negociatës e di marrëveshjen.


Para një nisme e quan sukses.


Pas një humbjeje gjen menjëherë një fjalë që ta bëjë të tingëllojë si fitore.


Kështu e ardhmja pushon së qenuri hapësira ku qytetari vendos dhe bëhet skenari që politika ia ka shkruar atij paraprakisht.


Unë nuk dua t’ia bëj këtë 21 gushtit.


Nuk e di sa veta do të vijnë sot.


Nuk e di nëse një njeri që i ka lexuar këto shkrime prej javësh do të vendosë në çastin e fundit të dalë nga shtëpia.


Nuk e di nëse dikush që nuk më njeh do të vijë vetëm nga kureshtja.


Nuk e di nëse një mik i vjetër do të mungojë.


Nuk e di nëse dikush do të më dëgjojë dhe do të largohet më pak i bindur se përpara.


Të gjitha këto janë të mundshme.


Dhe sot dua t’ua lë të drejtën të ndodhin.


Sepse fakti ka një dinjitet që propaganda nuk e duron, nuk bindet.


Mund ta fotografosh nga këndi më i favorshëm, mund ta zvogëlosh nga këndi tjetër, mund t’i vësh sipër një titull, mund ta shpjegosh deri në lodhje, por ajo që ka ndodhur mbetet ajo që ka ndodhur.


Një kulturë politike serioze duhet të fillojë pikërisht nga pajtimi me këtë kufizim.


Në shkencë, një hipotezë që nuk mund të rrëzohet nuk është më provë.


Në drejtësi, vendimi që paraprin dëgjimin është paragjykim.


Në histori, kronika e shkruar përpara ngjarjes është mitologji.


Edhe politika ka nevojë ta rimësojë këtë përulësi të arsyes, të hyjë në një ditë pa e detyruar ditën t’i japë të drejtë.


Prandaj sot nuk do t’ju them se “Shqipëria po ngrihet”.


Nuk e di.


Nuk do t’ju them se “populli ka vendosur”.


Askush nuk më ka dhënë të drejtën të flas në emër të tij.


Nuk do ta quaj këtë ditë historike në mëngjes, sepse historia nuk është dekor që ia varim vetes në kraharor.


Do të shkoj në orën 18:00 atje ku kam thënë se do të jem.


Me emrin tim.


Me të shkuarën time.


Me bindjet e mia.


Me gabimet që më përkasin.


Me ato pak gjëra që kam mundur të ndërtoj dhe me shumë të tjera që ende nuk kam mundur.


Pastaj do të shoh.


Do të dëgjoj.


Do të numëroj pa shtuar.


Do të pranoj pa zbukuruar.


Dhe çfarëdo që të më mësojë kjo ditë, dua të kem ndershmërinë për të mos ia ndryshuar dëshminë në mbrëmje.


Sepse sot më intereson diçka që politika jonë e ka humbur shpesh mes sondazheve, ekraneve, tribunave dhe deklaratave të fitores, e drejta e realitetit për të na korrigjuar.


Edhe mua.


Sidomos mua, sepse sot jam unë ai që ka bërë ftesën.


Ndoshta prej kësaj nuk lind asgjë e madhe.


Ndoshta lind diçka që sot nuk mund ta dimë.


Të dyja mundësitë meritojnë të mos gënjehen.


Në këtë mëngjes të 21 gushtit nuk kërkoj t’i jap ditës një legjendë.


Dua vetëm të jem i denjë për përgjigjen që ajo do të japë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page