Të thuash të vërtetën në kohë lufte…

Nga Arian Galdini
Në kohë lufte, pyetja e parë që i bëhet njeriut nuk është: «Çfarë pe?»
Është: «Me kë je?»
Pyetja e parë kërkon një dëshmitar.
E dyta kërkon një ushtar.
Dy ushtri mund të kenë armiqësi të vërtetë. Mund t’i kenë shkaktuar njëra-tjetrës plagë, të kenë kujtime që nuk pajtohen, të ëndërrojnë fitore të kundërta.
Por, përballë njeriut që nuk pranon t’ia japë mendjen asnjërës, bashkohen në një dyshim, ai duhet t’i përkasë dikujt.
Nuk pyesin më nëse fjala e tij qëndron.
Pyesin kush ia ka porositur e kërkuar.
Kështu, edhe para se të humbasë e vërteta, mund të humbasë njeriu që kërkon ta thotë.
E fshijnë nga biseda si dëshmitar dhe e shkruajnë në listë si ushtar të armikut.
Unë e di çfarë kërkoj prej kësaj faqeje.
Sot nuk pres të më duartrokasin ushtritë.
Nuk po kërkoj shumicën e zemëruar të çastit.
Po investoj në besueshmërinë e së nesërmes.
Dua që gjykimi im të mbetet me datë, kur fjalët e tjera të kenë ndryshuar sipas fituesit, që nesër të mund të krahasohet ajo që u premtua, ajo që ndodhi dhe ajo që unë paralajmërova.
Dua që, po të kem parë drejt, fjala ime të fitojë peshë.
Po, edhe kjo është ambicie.
Nuk kam pse ta vesh me petkun e një vetëmohimi që nuk e ndjej.
Por sot mund të bëj vetëm njërën pjesë të kësaj pune, të shkruaj çfarë gjykoj.
Pjesa tjetër nuk më bindet.
Nuk mund t’ia marr së ardhmes nënshkrimin përpara se ajo të vijë.
Jam kundër qeverisjes së Edi Ramës.
Dua largimin e saj.
Jam kundër oligopolit PS–PD, që për vite me radhë e ka mësuar qytetarin ta shohë shtetin si diçka që e mban njëri dhe ia merr tjetri.
Nuk e pranoj që kundërshtimi im i Berishës të përdoret si mbrojtje për Ramën, as që kundërshtimi im i Ramës të bëhet arsye për t’ia falur gjykimin kujtdo që kërkon vendin e tij.
Nuk besoj te revolucioni që na shitet nga Flamingot
. E kam quajtur Mashtrimi i Madh.
Te Katovica e Re shoh rrezikun më të vjetër të politikës sonë, të veshur me një emër të ri, një rend që mund t’i humbasë sundimtarët, por të mos e humbasë sundimin.
Një dorë e lëshon çelësin, një tjetër e merr.
Qytetari mbetet përpara derës, duke mësuar emrin e ri të njeriut prej të cilit duhet të kërkojë hyrjen.
Ky është gjykimi im politik, jo rrëfimi i ndonjë marrëveshjeje të fshehtë që pretendoj se kam parë.
Kundërshtarët mund të urrehen sinqerisht.
Mjafton që secili të kërkojë për vete një pushtet që nuk do t’ia pranonte tjetrit.
Prandaj nuk më magjeps fortësia e betimit për përmbysje.
Më intereson ajo që fituesi do të pranojë t’ia ndalojë vetes.
Kush do ta kontrollojë kur të mos ketë më nevojë për turmën?
Kush do të mund t’i thotë «jo» pa humbur bukën, punën, të drejtën?
Fituesi merr mandat, jo shtetin.
Mjafton kjo fjali për të kuptuar pse nuk mund të jem ushtar i asnjërës palë.
Por nuk mjafton për të jetuar me të.
Sepse «Me kë je?» nuk del gjithmonë nga goja e një komandanti.
Mund të dalë nga goja e një njeriu të goditur që kërkon të dijë nëse do ta lëmë vetëm.
Atij i detyrohem me përgjegjësi, jo me një ligjëratë për pavarësinë time.
Nëse shteti ka ushtruar dhunë, duhet të përgjigjet për dhunën e tij.
Nëse ka dhunuar protestuesi, përgjigjet edhe ai.
Plaga e njërit nuk e shuan fajin e tjetrit.
As gënjeshtra që mund të bëhet në emër të një revolte nuk e bën gënjeshtër dhimbjen e atyre që kanë besuar në të.
E kam kundërshtuar atë që quaj Mashtrimi i Madh.
Kjo nuk më jep të drejtën ta quaj mashtrim jetën e çdo njeriu që del në shesh.
Njeriu i lënduar nuk është pronë e udhëheqësit që ia merr zemërimin për flamur.
Nuk është as pengu im, që duhet ta përdor si provë se pata të drejtë.
Ndoshta aty fillon sprova e vërtetë e Mospronësimit.
Jo te fjalia se askush nuk duhet të na zotërojë, por te çasti kur na jepet mundësia të zotërojmë ne një copëz të së vërtetës së tjetrit, dhe heqim dorë.
Në Shqiptarizmin që mbroj, njeriu është trashëgimtar pa qenë pronë e trashëgimisë, autor pa qenë autori i vetëm.
Ai mund të dojë një atdhe pa u bërë pronë e atyre që flasin në emër të atdheut.
Mund të dojë një kauzë dhe të kundërshtojë udhëheqjen e saj.
Mund t’i thotë «jo» mikut, pa e kthyer miqësinë e djeshme në një gënjeshtër.
Por një «jo» e lirë ka edhe një jetë pas shqiptimit.
Dikush mund të humbasë vetëm ftesën për një darkë.
Dikush tjetër vendin e punës.
Nuk është e njëjta humbje.
Nëse për të mbajtur mendimin tënd duhet të vësh në rrezik bukën e fëmijëve, Republika të ka lënë vetëm në një çast kur duhej të të mbronte.
Guximi i njeriut nuk duhet të jetë zëvendësuesi i ligjit.
Kjo është arsyeja pse E Djathta e Dinjitetit nuk mund të kënaqet me rrëzimin e portierit politik.
Përtej derës duhen mundësi për të punuar, për të krijuar, për të konkurruar pa u përulur. Një rregull i drejtë nuk prodhon vetvetiu një ekonomi të gjallë; një ekonomi e gjallë mund të mbetet e padrejtë nëse shërben si shpërblim për bindjen.
As shteti nuk duhet t’ia shkruajë njeriut jetën.
Por as nuk duhet ta detyrojë të zgjedhë ndërmjet lirisë së vet dhe jetesës.
Më vjen ndër mend vitrina e shitësit për të cilin shkroi Václav Haveli.
Ai vendoste një parullë, jo medoemos sepse e besonte, por sepse duhej të shihej se ishte bindur.
Sot vitrina është shpesh ekrani që mbajmë në dorë.
Nuk kërkohet gjithnjë të gënjesh me një fjali të gjatë.
Nganjëherë mjafton ta shpërndash fjalën që të tjerët presin prej teje.
Në fillim e bën për të mos u veçuar, më vonë, për të mos të të mbetur asgjë për të pyetur.
Të thuash të vërtetën në një kohë të tillë nuk është të bëhesh njeriu që ka gjithmonë një «jo» gati.
Edhe ai që kundërshton çdo gjë vetëm për të mbetur ndryshe e ka lënë turmën të vendosë për të.
Pavarësia kërkon diçka më të vështirë: t’i thuash «po» një të vërtete që vjen nga kundërshtari dhe «jo» një gënjeshtre që do t’i sillte fitore mikut tënd.
E di çfarë mund të fitoj, nëse ky gjykim i sotëm qëndron.
Një fjalë që i ka rezistuar kohës mund të marrë një peshë që nuk e merr dot me brohoritje.
Njerëzit mund të kthehen te ajo edhe kur nuk e kanë dashur në çastin kur u tha.
Mund të më dëgjojnë ndryshe në një përplasje të ardhshme.
Ky është kapitali moral dhe intelektual që kërkoj të ndërtoj.
Po e lë këtu fletën time me datë.
Ajo mund të më sjellë besueshmëri.
Mund të më turpërojë.
Kjo ditë nuk do të mund të shkruhet përsëri pasi të kemi mësuar çfarë ndodhi.
Një fletë mund të ruhet për dhjetë vjet.
Dhjetë vjet nga jeta e një njeriu nuk ruhen dot askund.
Ndërsa unë pres të shihet nëse pata të drejtë për Ramën, Berishën, Flamingot dhe Katovicën e Re, një i ri kërkon punë.
Mund ta gjejë këtu.
Mund të largohet i lirë, sepse dëshiron një jetë tjetër.
Mund edhe të largohet sepse këtu nuk iu la një mundësi e ndershme të qëndronte.
Në ato vite ai mund të ketë krijuar familje, të ketë humbur njerëz, të ketë ndryshuar ëndrrat.
Asnjëra prej këtyre gjërave nuk pret që unë të fitoj argumentin tim.
Një ditë, ndoshta, dikush do të më thotë: «E kishe thënë».
Nuk e di si do të tingëllojnë ato fjalë nëse ai që i shqipton ka humbur ndërkohë diçka që nuk mund t’ia kthejë askush.
Mund të kem fituar të drejtën të dëgjohem më shumë.
Por çfarë vendi do të ketë ajo fitore përballë viteve të tij?
Fleta ime do të jetë ruajtur.
Koha e tij do të ketë kaluar.
Këtë nuk e them për ta zhvlerësuar fjalën.
Pa njerëz që flasin para se të dihet fundi, çdo fitues do të mund ta shkruante të shkuarën sipas dëshirës.
E them sepse e vërteta nuk mbaron kur vërtetohet paralajmërimi.
Atëherë, ndonjëherë, fillon detyrimi më i plotë e më me peshë: çfarë bëjmë me atë që tani e dimë?
Nuk kam përgjigje të mbyllur për një të nesërme që nuk ka ardhur.
Kam gjykimin tim të sotëm, arsyet për të cilat e mbroj dhe një faqe që do të mbajë datën e tij.
Shqipëria nuk është e askujt.
As e atij që qeveris, as e atij që premton ta çlirojë, as e atij që mund të ketë pasur të drejtë para të tjerëve.
Një ditë të dyja ushtritë do t’i palosin flamujt.
Do të numërojnë fitoret, humbjet, të vetët.
Njerëzit do të dalin sërish në mëngjes, do të kërkojnë punë, do të çojnë fëmijët në shkollë, do të hyjnë në zyrat ku ligji duhet t’i njohë pa i pyetur për emrin e fituesit.
Dikush do t’u thotë përsëri: «Me kë je?»
Do të doja që atë ditë të mund të përgjigjeshin me atë që kanë parë.
Dhe të mos humbnin asgjë që u takon, vetëm sepse nuk pranuan të bëheshin ushtarë.
Nëse kjo ditë vjen, do të ketë më pak rëndësi se sa herë u citua emri im.
Nëse nuk vjen, nuk do të më mjaftojë të kem pasur të drejtë.
Arian Galdini





Comments