top of page

Trashëgimtarët e një të panjohuri

1 day ago
4 min read

Për Thoma Turtullin dhe familjen e tij


Nga Arian Galdini


Kur Thoma Turtulli financoi bibliotekën e Korçës, në trashëgiminë e tij hynë njerëz që nuk do t’ia njihnin kurrë fytyrën.


Mes tyre do të kishte fëmijë familjesh të varfra, të rinj që kërkonin një udhë tjetër në jetë, lexues që do të gjenin nëpër libra edhe arsye për të kundërshtuar botën e dhuruesit.


Ai kishte paguar për një godinë, brenda saj, të tjerët mund të zhvillonin mendimin e tyre.


Një vend bëhet atdhe edhe përmes këtyre marrëdhënieve.


Dikush merr përsipër një nevojë që nuk mbaron te dera e shtëpisë së tij dhe, prej asaj që zotëron, krijon një mundësi për bashkëqytetarin.


Përkatësia kombëtare merr kështu një përmbajtje që mund të përdoret, një libër, një shtrat spitali, një strehë ku fëmija mund të rritet.


Shqipëria hyn në jetën e njeriut si diçka që e ndihmon të jetojë.


Në Korçën e Turtullëve, kjo përgjegjësi mori trajtë ndërtesash.


Thomai financoi bibliotekën e qytetit dhe rindërtimin e saj pas tërmetit të vitit 1931, si edhe ngritjen e spitalit më 1933–1934.


Bashkëshortja e tij, Athina, bleu kaldajën për ngrohjen e mjediseve të spitalit gjatë dimrit.


Kaldaja zë pak vend në historinë e një qyteti.


Në natën e një të sëmuri, ajo mund të ndihet në gjithë trupin.


Dikush kishte menduar edhe për të ftohtin që do të vinte pas përurimit, për orët kur vizitorët do të ishin larguar dhe në dhomë do të mbeteshin i sëmuri e njeriu që kujdesej për të.


Dhurata arrinte deri aty ku emri i dhurueses mund të mos shqiptohej.


Edhe biblioteka kërkoi kujdes pasi ishte ngritur.


Tërmeti e dëmtoi, Thomai pagoi për ta rindërtuar.


Qyteti kishte ende nevojë për të njëjtën derë të hapur.


Në këtë rikthim te vepra, dashuria për vendin fiton kohëzgjatje, njeriu vazhdon të përgjigjet për atë që u ka besuar të tjerëve.


Erasti Turtulli, e veja e Grigor Turtullit, mori përsipër truallin dhe godinën e re të jetimores.


Brenda një viti, ajo priste fëmijë nga treva të ndryshme shqiptare.


Për fëmijën që hynte aty, vendi merrte fytyrën e njerëzve që do ta prisnin.


Një familje tjetër kishte menduar për jetën e tij.


Thoma, Athina, Erasti.


Emrat duhen mbajtur pranë veprave.


Secili kishte marrë një vendim, kishte dhënë nga pasuria e vetë, kishte mbajtur një përgjegjësi.


T’i shkrish në një lavdërim të përgjithshëm do të thotë të humbasësh pikërisht njerëzit përmes të cilëve e mira ishte bërë e mundur.


Në këtë histori, Shqiptarizmi ka përmasën e një trashëgimie ku mund të hyjë i panjohuri.


Njeriu e njeh bashkëkombësin si dikë për të cilin ia vlen të ndërtojë, edhe kur nuk do të dijë asgjë për jetën që ai do të zgjedhë.


Fëmija i strehuar do të rritet.


Lexuesi do të nxjerrë përfundimet e veta.


I sëmuri do të kthehet mes njerëzve të tij.


Dhurata do të vazhdojë përmes vendimeve të tyre, duke marrë kuptime që dhuruesi nuk mund t’i caktojë.


Kjo liri e përfituesit është një nga frytet më të mëdha të bujarisë.


Atdheu pasurohet me jetë që bëhen më të afta për të ecur vetë.


Nën diktaturën komuniste, familja Turtulli pësoi sekuestrim dhe përndjekje.


Athina Aleko Qirici Turtulli, pasardhëse e familjes, rrëfen në një intervistë të dhënë, edhe heqjen e emrave nga godinat dhe shkatërrimin e varrit ku preheshin Thoma e Vangjel Turtulli.


Sipas dëshmisë së saj, familja mbeti pa ditur ku përfunduan eshtrat.


Godinat mund të përdoreshin edhe pasi emrat ishin hequr.


Njerëzit mund të vazhdonin të hynin në to, ndërsa historia e hyrjes së tyre në jetën e qytetit bëhej gjithnjë e më e vështirë për t’u njohur.


Pushteti merrte në dorë edhe rrëfimin e dobisë që të tjerët kishin krijuar.


Pasojën e kësaj fshirjeje e pësonte e gjithë shoqëria.


Shqiptarëve u hiqej nga kujtesa një provë e aftësisë së tyre për të ndërtuar, njerëz që kishin krijuar pasuri, kishin dalluar një nevojë dhe kishin marrë përsipër ta përmbushnin.


Brezat që vinin mund të rriteshin mes veprave të tyre pa mësuar se një përgjegjësi e tillë kishte qenë e mundur.


Një komb që nuk i njeh këta njerëz njeh më pak edhe veten.


Mund të mësojë emrat e sundimtarëve dhe të mos dijë kush ia ngrohu spitalin.


Mund të mbajë mend kush vendoste mbi jetën publike, ndërsa harron kush i dha asaj mundësi të reja.


Kështu pushteti zë në kujtesë më shumë vend sesa puna që e mbajti shoqërinë gjallë.


Shkatërrimi i varrit e çoi dhunën përtej këtij përvetësimi.


Familjes iu mor vendi ku mund të shkonte pa kërkuar asgjë tjetër veç pranisë pranë të vetëve.


Pasardhësit mund të tregonin ndërtesat që Turtullët i kishin lënë Korçës, nuk mund të tregonin ku preheshin njerëzit që i kishin dhënë.


Pohimi se bamirësi jeton në veprën e tij mbetet i paplotë përballë asaj pyetjeje.


Një bibliotekë mund t’i shërbejë brezit tjetër, por nuk mund t’i tregojë një mbese ku të çojë lulet.


E mira që vazhdon të bëjë i vdekuri nuk ia pakëson të drejtën për prehje.


Përndryshe, madhështinë e tij do ta përdornim për t’ia bërë më të lehtë shoqërisë pranimin e dhunës që pësoi.


Pushteti që e kreu mban përgjegjësinë për shkatërrimin.


Të gjallëve u takon të vendosin çfarë do të bëjnë me të vërtetën që kanë marrë, ta ruajnë dëshminë, të kërkojnë dokumentet dhe gjurmët e eshtrave, t’ua mësojnë fëmijëve prejardhjen e institucioneve.


Edhe kur kërkimi nuk ka dhënë përgjigje, pyetja duhet të ketë vend në kujtesën publike.


Korça mund t’ia përcjellë këtë trashëgimi Shqipërisë të plotë, me emrat e dhuruesve, me veprat e tyre dhe me mungesën që ende kërkon përgjigje.


Turtullët na lanë një mënyrë për ta dashur vendin që fillon te zotësia për të bërë dhe arrin te jeta e dikujt tjetër.


Nderimi ynë merr përmbajtje kur kujdesemi që e vërteta e tyre të mbetet po aq e përdorshme për të ardhmen sa dhuratat e tyre.


Në një bibliotekë, një lexues që nuk do ta njohë kurrë Thoma Turtullin mund të gjejë ende diçka për jetën e vetë.


Mes trashëgimtarëve të tillë duhet të mbetet gjallë edhe pyetja e familjes, ku prehet ai?


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page