Tregim: Pusi në dokument!
- Arian Galdini

- May 20
- 8 min read

Nga Arian Galdini
Në mbrëmjen e parë që hyra në Mdina, qyteti nuk më dha asnjë shenjë se donte të mbahej mend.
Porta rrinte aty, e rëndë, me atë durim të gurit që nuk e ngatërron hyrjen me pushtimin.
Përtej saj nuk dëgjohej pothuajse asgjë.
Pas një muri mund të kishte një hap të lehtë, një fëmijë që qeshi e u ndal, një grua që mbylli dritaren pa e përplasur.
Hyra ngadalë.
Rrugica u ngushtua menjëherë.
Muret e verdha mbanin dritën e fundit të ditës. Nuk e pasqyronin.
E ruanin brenda poreve të tyre.
Në një qoshe, mbi një dritare të vogël, një bimë dilte nga një vazo dhe varej pak mbi rrugë.
Në sheshin pranë katedrales ndalova.
Aty ku emri i Palit qëndronte mbi gur, m’u kujtua vetëm kjo, dikush del nga deti, i lagur, pa titull, pa mbrojtje, dhe dikush i jep zjarr.
Nuk qëndrova gjatë.
Në një rrugicë anësore gjeta një gur të ulët pranë një muri dhe u ula.
Nuk ishte stol.
Ndoshta kishte qenë pjesë e ndonjë pragu, ndonjë shkallë e lëmuar nga këpucët, ndonjë mbetje e një dere që nuk ekzistonte më.
E preka me pëllëmbë. Ishte ende i ngrohtë.
Aty nisi historia e Mikielit.
Emrin nuk di kush ma dha.
Mikieli kishte qenë shkrues i vogël në vitet kur Mdina nuk e kishte më frymën e parë të pushtetit.
Poshtë, drejt portit, një botë tjetër kishte marrë hov, anije, urdhra, tregti, frikë, gjuhë të huaja, burra që nxitonin sikur koha u përkiste.
Qendra po zbriste nga kodra.
Mdina e kuptoi pa e thënë.
Emrat kishin kaluar mbi të si zotër të përkohshëm.
Guri kishte mësuar t’i pranonte pa u bërë i tyre.
Mikieli punonte në një dhomë të vogël pranë një oborri të brendshëm.
Kopjonte letra pronash, testamente, ankesa, pajtime, borxhe, lutje.
Në mëngjes, drita hynte nga një dritare e lartë dhe binte mbi tryezë, ku boja thahej ngadalë mbi fjalët e të tjerëve.
Ai kishte dorë të bukur.
Njerëzit e thoshin këtë me atë mënyrë të pakujdesshme me të cilën lavdërohet dikush i dobishëm, jo dikush i dashur.
“Dora e Mikielit nuk gabon,” thoshin.
Nëna e tij ruante dy çelësa që nuk hapnin më asgjë.
Njëri kishte qenë i derës.
Tjetri i një arke të shitur prej vitesh.
As dera, as arka nuk ishin më.
Çelësat mbetën.
Ajo i fshinte herë pas here me cepin e përparëses.
Kur s’i mbetet dera, ruan metalin që dikur të bëri të besoje se kishe vend.
Mikieli kishte bukë, punë, një këmishë të pastër të dielave, një vend ku ta varte pallton.
Jo mjaftueshëm për jetë tjetër.
Mjaftueshëm për të mos kërkuar mëshirë.
Një ditë erdhi urdhri për shtëpinë e Katarinës.
Ajo ishte vejushë dhe jetonte me vajzën e saj, një fëmijë që nuk fliste prej një etheje të hershme.
Shtëpia ishte e vogël, e dëmtuar në njërin mur, me një oborr të ngushtë dhe një pus të cekët që, në verë, jepte ujë me durim të pakët.
Por jepte.
Në atë qytet, kur i merrje dikujt pusin, nuk i kishe marrë vetëm muret.
Dokumenti kërkonte kalimin e pronës nën administrim të ri, për arsye sigurie dhe dobie publike.
Dëmshpërblimi ishte i paqartë.
Afati i shkurtër. Gjuha e rregullt.
Asnjë fjalë nuk ishte e egër.
Prandaj dokumenti mund të bënte punën e vet.
Mikieli e mori pergamenën në mbrëmje. Qiriri ishte i ulët.
Jashtë, rruga kishte pushuar.
Në tryezë, pranë bojës, mbante një thikë të vogël për të mprehur kallamin.
Tehu kishte marrë një shkëlqim të hollë nga përdorimi.
Ai e ngriti penën dhe nisi të kopjonte.
Prona.
Kalim.
Administrim.
Siguri.
Dobi.
Sakrificë.
Te fjala “pus” u ndal.
Nuk ishte fjala më e rëndësishme në dokument.
Nuk ishte as në rreshtin e parë.
Ishte futur brenda përshkrimit të pronës, si një hollësi e patundshme, një send që vinte bashkë me muret, me pragun, me një pemë të vogël fiku që përmendej vetëm për të përcaktuar kufirin.
Në dokument, pusi nuk ishte më pusi.
Ishte pjesë e pronës.
Mikieli e pa aty, të rrethuar nga fjalë që nuk kishin pirë kurrë ujë.
E kishte parë Katarinën një mëngjes pranë oborrit.
Ajo e mbante kovën me të dyja duart, jo nga dobësia, por që të mos derdhte asnjë pikë.
Vajza rrinte te buza e pusit, me gishtat mbi gur, dhe ndiqte me sy litarin që zbriste.
Kur kova u ngrit, fëmija nuk qeshi.
Vetëm e afroi fytyrën te uji, sikur atje poshtë të kishte dëgjuar diçka që të tjerët nuk e kapnin.
Mikieli uli sytë te dokumenti.
Mjaftonte një gabim i vogël.
Jo kryengritje. Jo fjalë e madhe.
Jo diçka që do ta çonte emrin e tij në gojë burrash. Një datë e zhvendosur.
Një kufi i shkruar ndryshe.
Një shenjë që do ta kthente letrën për verifikim.
Ndoshta shtëpia nuk shpëtonte.
Ndoshta fitonte vetëm disa javë.
Por disa javë, kur një grua pritet të dalë nga dera e vet, janë ende shtëpi.
Dora iu afrua rreshtit.
Qiriri kërciti.
Ai e bëri gabimin.
Boja u ul në vendin e gabuar me një qetësi të tmerrshme. Mikieli e pa. Nuk e preku.
Nuk e fshiu. Vetëm e la të thahej.
Atë natë nuk fjeti.
Në dhomën tjetër, nëna u kollit dy herë, pastaj u qetësua.
Nga rruga nuk erdhi asnjë zë.
Në errësirë, ai pa disa herë dorën e vet sikur të mos ishte më krejt e tija.
Në mëngjes dorëzoi kopjen.
Kreu i zyrës, një burrë i lëmuar që mbante unazë të madhe dhe nuk ngrinte kurrë zërin pa pasur nevojë, e lexoi gjatë.
Mikieli qëndroi përballë tij.
Në mur varej një kryq i vogël.
Poshtë kryqit, një raft me dosje të lidhura me spango.
Burri ndali te rreshti.
Pastaj ngriti sytë.
“Dora jote nuk gabon,” tha.
Mikieli nuk foli.
Jashtë, në oborr, dikush po tërhiqte një kovë.
Litari fërkoi gurin.
Zëri i tij hyri në dhomë, u këput dhe humbi.
Burri e mbajti dokumentin edhe pak.
“Do ta rishkruash.”
Mikieli uli kokën.
“Këtë herë pa lodhje.”
Nuk pati qortim. Nuk pati kërcënim.
Dokumenti iu kthye sikur të kishte vetëm një njollë.
Ai u kthye në dhomën e vet. Pena ishte aty. Boja priste.
Thika e vogël pranë saj kishte mbetur me majë nga mbrëmja.
Mikieli e mori kallamin, e mprehu pak, e pastroi mbi një leckë dhe vendosi letrën e re përpara.
Kësaj here nuk bëri gabim.
Fjalët dolën të sakta.
Harku i shkronjave ishte i qetë.
Rreshtat rrinin drejt.
Dokumenti mund të lexohej pa pengesë.
Fjala “pus” hyri në të pa pengesë.
Nuk kundërshtoi. Nuk nxori zë.
Vetëm u bë pronë bashkë me gjithçka tjetër.
Në kopjen tjetër, pusi nuk doli më me emër. U përfshi te kufiri jugor.
Kur mbaroi, ai e mbajti penën në ajër edhe një çast.
Një pikë boje ra mbi leckë, jo mbi letër.
Ajo njollë e vogël, pa vlerë, ishte e vetmja gjë që prishi diçka atë ditë.
Pas tri javësh, Katarina doli nga shtëpia.
Nuk kishte shumë sende.
Një arkë e ngushtë. Dy batanije.
Një karrige me këmbë të çalë.
Një qese me enë.
Vajza mbante në dorë një filxhan të bardhë pa vesh, të cilin e kishte zgjedhur vetë.
Nuk dihej pse. Katarina nuk e kundërshtoi.
Para se të dilte, ajo zbriti kovën për herë të fundit.
Litari lëshoi atë fërkim të vjetër mbi buzën e gurit.
Uji doli pak i turbullt. Katarina nuk piu.
E derdhi pranë rrënjës së fikut.
Vajza e uli filxhanin pranë pusit.
Nuk e mbushi.
Katarina e pa, por nuk i tha ta merrte.
Vajza vuri pëllëmbën mbi buzën e gurit.
Pastaj e hoqi shpejt, sikur guri të kishte qenë i nxehtë.
Dy ditë më vonë, dikush vuri mbi pus një dërrasë të ngushtë dhe një shenjë me bojë të kuqe. Nuk e mbyllën ende.
Vetëm e matën.
Kur mbyllën portën, Katarina nuk e puthi pragun.
Nuk bëri asnjë gjest për t’u mbajtur mend.
Vetëm preku murin anash derës me dy gishta, aty ku llaçi ishte çarë.
Prekja zgjati më pak se një frymëmarrje.
Mikieli e pa nga larg.
Ai kishte dalë me një dosje nën sqetull, sa për të pasur një arsye në rrugë.
Kur Katarina kaloi, uli sytë te këpucët e saj. Ishin të pastruara.
Kjo e goditi më fort se po të kishin qenë të shqyera.
Në mbrëmje u kthye në shtëpi dhe u ul pranë dritares. Nëna i vuri përpara pak supë.
Ai nuk e preku menjëherë.
Ajo nuk e pyeti.
Pas pak, shkoi te rafti, mori dy çelësat dhe i vendosi mbi tryezë. Metali dha një tingull të ulët.
“Njëri nuk hap më,” tha ajo. “Tjetri as ai.”
Mikieli e pa.
“Pse i mban?”
Nëna i shtyu pak me gisht.
“Po t’i hedh, nuk mbetet as dera.”
Ai nuk tha asgjë.
Këtë fjali Mikieli nuk e shkroi kurrë.
Vitet që erdhën nuk e bënë hero.
Ai nuk u ngrit në shesh. Nuk prishi urdhra.
Nuk shpëtoi askënd në mënyrë të plotë. Vazhdoi të kopjonte dokumente.
Disa të drejta, disa të dyshimta, disa aq të rregullta sa faji nuk dukej.
Në qytet njerëzit ende thoshin se dora e tij ishte e bukur.
Por ajo dorë nuk ishte më e pafajshme.
Kur një emër shkruhej keq dhe mund të humbte në arkiv, ai e ndalte penën dhe e saktësonte.
Kur një afat mund të lexohej në dy mënyra, ai e linte më të dobëtin të fitonte një ditë.
Kur një dokument vinte pa kopje për palën që duhej ta shihte, ai bënte një kopje më shumë dhe e harronte aty ku dikush mund ta gjente. Nuk e prishi rendin.
Vetëm i futi vonesa të vogla në vende ku rendi donte të kalonte pa fytyrë.
Një pasdite, shumë vite më vonë, nipi e shoqëroi te muri prej nga shihej ishulli.
Djali ishte i hollë, i paduruar dhe donte të shkonte në Valletta.
Atje kishte anije, zyra, gjuhë të reja, burra që ecnin shpejt dhe nuk dinin çfarë kishte bërë gjyshi i askujt.
“Pse thonë se ky qytet ka qenë zemër?” pyeti djali. “Zemra duhet të rrahë. Këtu çdo gjë rri.”
Mikieli qeshi pak.
“Nuk rri.”
“Po çfarë bën?”
“Mban.”
Djali pa poshtë, nga dritat.
Nuk pyeti më.
Mikieli vdiq në një dhomë të ngushtë, me dritaren pak të hapur.
Nëna kishte kohë që kishte ikur.
Dy çelësat mbetën në shtëpi, të lidhur me një fije të errët.
Nën njërin prej tyre, për shumë vite, kishte qëndruar një copë letre ku Mikieli kishte shkruar diçka natën pas dokumentit të Katarinës.
Nuk dihet fjalia.
Ndoshta u hodh kur pastruan.
Ndoshta u lag nga çatia.
Ndoshta u dogj bashkë me letra që askush nuk pati durim t’i lexonte.
Guri mbeti.
Dhe unë isha aty, shumë vonë, me pëllëmbën mbi të.
Mbrëmja kishte zbritur.
Turistët ishin rralluar.
Një çift kaloi duke folur ulët në një gjuhë që nuk e njoha.
Diku një derë u hap dhe u mbyll.
Nga larg, Malta moderne lëvizte me dritat e saj. Motorë. Hotele. Apartamente. Lokale. Njerëz që kërkonin darkë, pushim, fotografi.
E mendova Mikielin pa zemërim të madh.
Ai e kishte bërë një gabim të drejtë.
Pastaj e kishte rishkruar padrejtësinë saktë.
Më erdhi ndër mend vendi im.
Jo me emër të madh. Jo me flamur.
Një korridor.
Një vulë e lagur mbi letër.
Një zë që thoshte: “mungon edhe kjo”, dhe ai që priste uli sytë, sikur mungesa të ishte e tij.
Nuk e solla Shqipërinë në Mdina.
Ajo ishte sjellë vetë.
Në rrugicë, një vajzë e vogël ecte me të atin. Mbante në dorë një akullore që po i shkrinte shpejt.
I ati u përkul, ia fshiu gishtat me një letër, pastaj e la të shkonte përpara.
Vajza u ndal pranë një dritareje të mbyllur dhe pa brenda.
Pastaj qeshi pa arsye.
Për një çast, qeshja e saj nuk e prishi heshtjen. E provoi.
U ngrita nga guri.
I lashë muret pas meje, sheshin, dritaret, pragjet, atë ngrohtësi të ulët që po largohej nga pllaka. Kur arrita te porta, ktheva kokën.
Mdina rrinte aty, e mbyllur dhe e hapur njëkohësisht.
Jashtë mureve, zhurma e Maltës u kthye pak nga pak. Makina. Zëra. Një motor.
Era solli lagështinë e largët të detit.
Në xhep nuk kisha as çelës, as letër, as provë.
Vetëm pëllëmbën ku ngrohtësia e gurit po ikte ngadalë.
Nuk e mbajta dot.
Por për pak kohë, më mbajti ajo.
Fund
Valetta, 20 maj 2026
Arian Galdini
.png)



Comments