top of page

Tregim: Viti kur u linda për herë të fundit!

Apr 22
6 min read


Nga Arian Galdini


E mora atë vit siç merret një çelës që s’duhet humbur, jo për të çelur, por për t’i vënë shul një rruge që e njihja me sy mbyllur.


Rruga e kthimit kishte qenë gjithmonë më e lëmuara, të kthente pa të pyetur, të vendoste prapë në vendin ku njeriu s’merret në pyetje.


Çelësi ishte i zakonshëm. I thatë. Pa hijeshi. Në xhep, megjithatë, bënte punën e vet, ma priste dorën sa herë që dora kërkonte lehtësi.


Nata e ekranit e këputi ujdhinë.


Drita blu rrëshqiti në mur, me një qetësi që të bind pa dëshmitar.


Zëra të rregulluar, të sigurt, të pajisur me një lloj autoriteti që s’e kishte paguar askush me lëkurë.


Lajme që shisnin shpëtim me të njëjtin ton me të cilin shisnin frikë.


Aty e kuptova sa e hollë është vija, mes të diturit dhe të dorëzuarit.


E mbylla telefonin.


Nxora çelësin dhe e vura mbi dru, pranë filxhanit.


S’hapte asgjë.


Por ia vinte kufi kthimit, si një gur i vogël në shteg.


Të nesërmen hëngra bukë të thjeshtë.


Një gotë ujë.


Një thërrime kripë që s’e shihja, por e ndjeja si rregull.


E hëngra ngadalë, jo për shije, por për matje.


Në buzë të gotës varej një pikë uji. S’binte. Nuk e shtyva.


M’u duk se aty, në atë pezullim, jetonte një ligj që nuk e do ngutjen, gjërat më të lehta prishen kur i ngacmon.


Dola.


Te semafori një plak mbante një qese plastike, aq të lodhur sa mezi e mbante vetveten.


Drita u bë jeshile.


Ai u ngut, jo nga dëshira, por nga turpi.


Qesja u ça, portokallet u rrokullisën në asfalt, si një pasuri e vogël e turpëruar.


Një makinë i shtyu me gomë, pa keqdashje, siç shtyn qyteti gjithçka që s’ka kohë ta shohë.


U përkula. I mblodha. Ia zgjata.


Ai s’u mblodh në falënderime.


Më pa si njeri që s’do të më bëjë borxh as me fjalë.


- Mos e nxito dorën, - tha. - E bën shprehi.


Dhe iku, duke e shtrënguar qesen si të ishte amanet.


Në mbrëmje hapa sirtarin ku ruaja të vjetrat, zarfe, copëza shënimesh, fatura, një listë numrash që s’i merrja më.


Ato nuk ishin kujtesë, ishin ftesa të heshtura për t’u kthyer te njeriu që di t’i rregullojë të gjitha pa e rregulluar veten.


I mblodha. I futa në një qese të zezë.


Në fund të sirtarit gjeta një tufë çelësash të vjetër, të shtëpive ku s’kisha shkuar prej vitesh, të drynave që s’i mbaja mend.


I mora në pëllëmbë.


Kërcitën, si të qeshura të thata.


Zhurmë pa punë.


I hodha në kosh.


Tingulli i tyre mbi metal qe i shkurtër dhe i pashpirt.


Pastaj heshtje.


Jo çlirim me këngë, çlirim pa dëshmitar.


Lava duart gjatë. Jo nga papastërtia, por nga ngjitja.


Dhe u ula. Nxora çelësin e vitit, të vetmin, dhe e mbajta derisa m’u ftohën gishtat. Metal i thjeshtë. Por i ndershëm.


Ditët më çuan në një zyrë ku ajri s’kishte punë me njeriun. Radhë. Dosje.


Vula që s’të pyet, vetëm të mat.


Në sportel një laps i lidhur me fije, si të mos i besohej askujt.


Para meje një grua mbante fëmijën në krah dhe një dosje në dorë.


Fëmija flinte, ajo jo.


Sytë i rrinin te sporteli si te një derë që hapet vetëm për të të treguar se je i tepërt.


Punonjësi s’e ngriti kokën.


- Mungon një vërtetim.


Ajo iu afrua me zë të ulët, e kishte sjellë.


Me vulë.


Kishte ardhur dje, edhe pardje.


Kishte lënë punën.


Kishte lënë fëmijën me temperaturë.


Ai ngriti supet.


Jo me ligësi të madhe, me atë ftohtësi të vogël që e bën padrejtësinë punë.


Në atë çast m’u kthye në mend portokalli që rrokullisej pa faj.


I njëjti ligj i imët, bota të do të shpejtë, që të mos kesh kohë të peshosh.


Dola jashtë.


Çelësi në xhep më ra pak më poshtë, si një kunj që të thotë, mos u bëj i lehtë.


Atë muaj trupi nisi të fliste.


Jo me dramë.


Me shenja, një mpirje në duar kur pranoja diçka që s’e mbaja dot, një nyjë në qafë kur përpiqesha t’i bëja të tjerët rehat, një lodhje që s’ishte nga puna, por nga dyfytyrësia e qetë.


Një natë u zgjova dhe gjeta veten duke shtrënguar nofullën në errësirë.


Asgjë s’po më sulmonte.


Por unë po mbaja një dorë të padukshme, si të mos doja ta lija.


Atë çast e kuptova, mpirja e butë është një mënyrë vdekjeje. Nuk të merr me zhurmë.


Të lë të rrish, duke të hequr ngadalë.


Pastaj erdhi telefonata për “një ndihmë të vogël”.


Zëri qe i butë, i pastër, gati miqësor, si zë që s’do të duket i keq.


- Ta mbyllim. Sa për të kaluar.


Një fjali që të kërkon të jesh i kuptueshëm, pra i përshtatshëm.


Një fjali që e kthen shkeljen në shërbim.


Thashë “jo”.


Pa ligjëratë. Pa mburrje.

Vetëm “jo”, i thjeshtë, si gur në themel.


Pastaj pashë në fytyrën e tjetrit çastin kur kupton se s’po i mohohet një favor, po i mohohet një mënyrë. Dhe u tërhoq, jo nga respekti, nga rreziku që “jo”-ja është ngjitëse.


Më pas erdhi kërkesa për shpjegim, pse? me ç’të drejtë? ç’fiton?


E ndjeva në majë të gjuhës dëshirën e vjetër për ta bërë vendimin të duket i bukur. Për ta shitur si mendim.


S’e bëra.


Nxora çelësin dhe e vura mbi tavolinë, pranë filxhanit.

Metal i huaj mes një butësie të përpunuar. S’e hapi bisedën. Ia prishi kthimin.


Tregu u kthye si provë pa podium.


Një grua e moshuar numëroi me gishta që i dridheshin.

Shitësi e ktheu kusurin shpejt, si njeri që s’pret të numërohet.

Ajo i futi paratë në çantë pa i parë.


E dija atë lëvizje, kështu hahet tjetri me grimca.


- Numërojeni, - thashë.


Ai numëroi. Nxori edhe dy monedha.

Gruaja s’tha asgjë.


Kur kaloi pranë meje, m’u afrua, si të mos donte të dëgjohej:


- Mjafton.


S’ishte falënderim. Ishte kufi.


Një mbrëmje tjetër u ula në tavolinë me njerëz të mi.


Kafe. Bisedë e butë. Pastaj një gënjeshtër e vogël për një të pranishëm që s’ishte aty.


U hodh si gur i lehtë, për ta bërë tavolinën më të bashkuar.


Kisha parë sa herë “bashkimi” blihet me një viktimë pa zë.


Më parë do të kisha qeshur.


Qeshja blen paqe të rreme.


Atë mbrëmje s’qesha. Thashë vetëm:


- S’e dimë. S’kemi të drejtë.


Heshtja ra si gotë e mbushur shumë.


Pastaj biseda u kthye te gjëra të tjera.


Disa më panë si të isha bërë i vështirë.


E dija, njeriu shitet edhe për pranueshmëri, jo vetëm për para.


Kur dola, metali m’u ftoh në pëllëmbë.


Nën dritën e rrugës dukej si copë e vogël e natës: i kthjellët, pa përkëdhelje.


Pastaj erdhi humbja.


Jo me kërcënim. Me mungesë.


Një mik më tha: “Ke ndryshuar.” S’e tha me ligësi. E tha me bosh.

Të nesërmen s’më erdhi asnjë ftesë.


Në një grup ku dikur qeshnim për gjithçka, u shkrua gjatë.


Unë i pashë. Askush s’më përmendi.


Më parë do ta kisha kthyer atë mungesë në ankesë. Do ta kisha bërë histori për të mos e duruar.


Atë mbrëmje dola vetëm.


Një kafene e vogël qe gjysmë bosh. Televizori pa zë rrëshqiste fytyra të rregulluara.


U ula anash, sikur të isha bërë i padukshëm. Isha.


Dhe në atë padukshmëri, për herë të parë pas shumë kohësh, ndjeva një liri që s’kishte këngë.


Nxora çelësin dhe e vura mbi tavolinë, pranë filxhanit.


Metal i huaj mes gjithë asaj butësie të prodhuar.


S’më dha shoqëri. S’më dha dritë.


S’më dha asnjë privilegj.


Atë natë e mora vesh: humbet disa duar pikërisht kur pushon së qenë i përshtatshëm.


Dhe ajo humbje s’ishte dënim. Ishte provë.


Dimër.


Pemë pa gjethe. Pa stoli. Vetëm trung e rrënjë.


U ula pranë një peme të zhveshur dhe pashë rrugën e vitit si një vijë ku një qenie kishte mbaruar brenda meje, ai që jetonte si mënyrë.


Ai që dinte t’i blinte ditët me pak përkulje, t’i zbutte gjërat me një buzëqeshje të rreme, t’u linte të tjerëve rehatinë që t’i linin atij heshtjen.


S’kisha marrë atë vit për të përgatitur vdekjen.


E kisha marrë për ta mbyllur lindjen.


S’mbajta ditar. S’bëra premtime. S’u ktheva te ujdia e vjetër.


Metalin e mora në pëllëmbë.


E pashë si send të vogël, pa të drejtë mbi botën.


Çelësi s’pati asnjë të drejtë mbi botën time.

Por pati të drejtë mbi kthimin tim.


E futa në xhep dhe u ngrita.


Me dy këmbë në tokë.

Me një zemër që s’e këmben tjetrin për rehati.

Me një fjali që s’e shes.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page