Unë dua largimin demokratik të Edi Ramës..

Kjo nuk ndryshon nga një vezë e hedhur, nga një shtyrje apo nga një incident para Kuvendit.
Qëndrimi im ndaj qeverisjes së tij nuk varet nga sjellja e një protestuesi.
Kush godet një polic, cenon një njeri apo shkel ligjin, përgjigjet për atë që ka bërë.
Kundërshtimi ndaj qeverisë nuk shenjtëron dhunën.
Shkelja ka autor.
Faji i saj nuk u kalon të tjerëve.
Gabimi i një protestuesi nuk e bën fajtor protestuesin paqësor, nuk kriminalizon kundërshtimin dhe nuk prodhon pafajësi politike për qeverinë.
Por pushteti mban një përgjegjësi tjetër.
Qytetari përgjigjet për veprimin e vetë.
Shteti përgjigjet edhe për forcën që ushtron mbi qytetarin.
Policia ka detyrë të mbrojë Kuvendin, njerëzit dhe rendin publik.
Kur ndërhyn, duhet ta bëjë mbi bazën e ligjit dhe me forcë në përpjesëtim me sjelljen konkrete që kërkon ndërhyrjen.
Policia e Shtetit nuk është policia e Edi Ramës.
Është institucion i Republikës.
Uniforma, prangat dhe forca publike nuk janë pronë politike e qeverisë së ditës.
Republika ia beson shtetit dhe ligji ia kufizon përdorimin.
Pikërisht këtu ndahet rendi nga nënshtrimi.
Rendi nuk është bindje ndaj qeverisë.
Liria nuk është përjashtim nga ligji.
Ligji e ndjek shkeljen deri tek autori i saj.
Nuk e shpërndan fajin mbi njerëz që nuk e kanë kryer.
Dhe shteti, sepse zotëron forcën e ligjshme, nuk fiton prej një shkeljeje asnjë të drejtë që nuk e kishte përpara saj.
Një vezë e hedhur nuk fshin arsyet pse qytetarët e kundërshtojnë qeverinë e Edi Ramës.
Një incident nuk e bën qeverinë viktimë politike.
Dhe shkelja e një individi nuk mund të bëhet leje për të rënduar dorën mbi të tjerët, për t’i ngjitur faj një proteste të tërë apo për ta zhvendosur gjykimin nga qeverisja te kronika policore.
Unë dua që Edi Rama të mundet politikisht dhe të largohet demokratikisht.
Nuk kam nevojë për dhunën e askujt për ta kërkuar këtë.
Kundërshtari politik mbetet qytetar.
Edhe kur ndalohet.
Dinjiteti i tij nuk shuhet.
Bindja e tij nuk kërkon lejen e Kryeministrit.
Ndërgjegjja politike e shqiptarit nuk është territor administrativ i Policisë së Shtetit.
Ky është kufiri që një Republikë duhet të dijë ta ruajë sidomos kur pushteti ndihet i sfiduar.
Sepse qeveritë kalojnë.
Policia, ligji dhe institucionet nuk mund të ndryshojnë pronar sa herë ndryshon shumica.
Shkeljen e qytetarit e gjykon ligji.
Forcën e shtetit e kufizon Republika.
Edi Rama është Kryeministri i Shqipërisë.
Edi Rama nuk është Republika.
Arian Galdini





Comments