top of page

Videot intime: Njeriu nuk është peng i sekretit të vetë…

Oct 2
9 min read

Nga Arian Galdini


Arkivi, porta dhe e drejta për t’u bërë tjetër


Dikur, që një sekret t’i mbijetonte njeriut, duhej kujtesa e dikujt tjetër.


Sot mjafton një skedar.


Një letër digjej. Një dëshmitar plakej.


Një kujtim humbiste skajet, ngatërrohej me vitet, vdiste bashkë me ata që e mbanin.


Edhe turpi, sado i rëndë, jetonte në një botë ku koha kishte ende pushtet mbi gjurmën.


Skedari e ndryshoi këtë marrëdhënie.


Ai mund të kopjohet pa u pakësuar, të merret pa munguar nga vendi, të ruhet pa u parë, të dërgohet pa lëvizur askush.


Mund ta fshish nga telefoni yt dhe të mos dish nëse e ke fshirë nga bota.


Njeriu vazhdon të jetojë.


Skedari vazhdon të ruajë.


Dhe midis këtyre dy foljeve ka lindur një problem i ri i lirisë.


Sepse një njeri mund të ndryshojë pasi një çast ka kaluar.


Skedari jo.


Ai e sjell të njëjtin çast sa herë thirret.


Pa pendimin që erdhi pas.


Pa faljen.


Pa borxhin e paguar.


Pa jetën që u ndërtua më vonë.


Pa njeriun që mund të jetë bërë ndërkohë.


Kështu, për herë të parë në këtë përmasë, e djeshmja jonë mund të fitojë një jetë teknologjike më të gjatë se pushteti ynë për ta lënë pas.


Dhe pikërisht këtu fillon historia që më intereson.


Shqipëria po e prek sot nga dy drejtime të ndryshme.


Në njërën anë, ish-drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni, është nën masën e arrestit në shtëpi dhe pezullimit nga detyra në një procedim ku akuzat e raportuara përfshijnë zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete dhe përkrahjen e Ergys Agasit.


Në anën tjetër, materiale intime të lidhura publikisht me kompozitorin Adrian Hila dhe persona të tjerë kanë qarkulluar në internet, e sot më 1 tetor Policia e ftoi Hilën për intervistim, ndërsa strukturat e Krimit Kibernetik kishin nisur verifikimet për burimin e materialeve.


Nuk kam nevojë t’i bashkoj këto dy histori në një dosje që nuk është provuar.


Ajo që më intereson është më e thellë se dosja.


Është pyetja që të dyja sjellin:


Çfarë mbetet nga liria ime kur dikush tjetër zotëron diçka për mua që unë kam frikë se mos zbulohet?


Nuk është seksi, çështja.


As thashethemi.


As kënaqësia e vogël e turmës kur sheh të rrëzohet dikë që dje e ngrinte mbi ekran.


Çështja fillon kur dijenia mbi njeriun kërkon të bëhet pushtet mbi njeriun.


Dhe këtu është kufiri im:


Unë nuk mbroj sekretin.


Mbroj njeriun nga pushteti që dikush kërkon të nxjerrë prej sekretit.


Të dish diçka për një njeri nuk të bën pronar të atij njeriu.


Këtë kufi e quaj Sovraniteti i Intimitetit.


Jo të drejtën për të jetuar pa përgjegjësi.


Të drejtën për të mos u bërë pronë.


Ligji njeh një pjesë të këtij kufiri.


Kodi Penal shqiptar parashikon përgjegjësi për forma të regjistrimit ose fiksimit pa pëlqim të aspekteve të jetës private dhe për publikimin apo shpërndarjen në kushtet që përcakton neni 121.


Zyra e Komisionerit, në reagimin e 30 shtatorit, theksoi se fama nuk përbën heqje dorë nga jeta private, se kurioziteti për intimitetin nuk mjafton për të krijuar interes publik dhe se fakti që një material qarkullon në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin e tij.


Edhe jurisprudenca europiane pranon se një person publik mund të ketë pritshmëri legjitime për mbrojtjen e jetës private dhe të imazhit të tij.


Kaq më duhet nga ligji.


Sepse pyetja ime fillon pikërisht aty ku neni mbaron.


Pushteti mbi njeriun nuk lind gjithmonë kur jepet një urdhër.


Edhe shantazhi nuk fillon domosdoshmërisht kur shqiptohet kërcënimi.


Mund të ketë filluar një çast më herët, kur ti kupton se dikush mban diçka me të cilën mund t’ia ndryshojë çmimin fjalës tënde jo.


Ai mund të heshtë.


Mund të mos të kërkojë asgjë.


Mund të mos të dërgojë asnjë mesazh.


Mjafton që ti ta dish se materiali ekziston.


Dhe ai ta dijë se ti e di.


Sepse skedari më i rrezikshëm nuk është gjithmonë ai që publikohet.


Është ai që nuk publikohet, por për të cilin të dyja palët e dinë se mund të publikohet.


Aty heshtja fillon të funksionojë si urdhër.


Nuk flet.


Nuk kundërshton.


Nuk denoncon.


Nuk largohesh.


Ndoshta nuk kandidon.


Ndoshta nuk refuzon.


Askush nuk të ka kërcënuar sot.


Por e nesërmja jote tashmë po negocion me të djeshmen që dikush tjetër mban në arkiv.


Kjo është Shoqëria e Shantazhueshme.


Jo shoqëria ku të gjithë shantazhohen.


Një rend më i heshtur, mjaft njerëz jetojnë me një dobësi të arkivuar diku, sa vetë mundësia e ekspozimit hyn në llogarinë e vendimeve të tyre.


Shantazhi klasik kërkon shantazhues.


Shantazhueshmëria mund të prodhojë bindje edhe kur shantazhuesi nuk flet.


Dhe pushteti që nuk ka nevojë të japë urdhër është ndoshta pushteti që ka hyrë më thellë.


Çdo njeri ka një të kaluar.


Por çdo njeri ka nevojë edhe për një derë drejt së ardhmes.


Një punë. Një kontratë. Një studio. Një ekran. Një universitet. Një institucion. Një parti. Një njeri që mund të hapë një mundësi ose ta mbyllë.


E kaluara jote mund të ruhet në arkiv.


E ardhmja jote mund të presë pas një porte.


Dhe pushteti bëhet veçanërisht i rrezikshëm kur arrin të prekë të dyja.


Sepse atëherë njeriu nuk kushtëzohet vetëm nga frika.


Kushtëzohet edhe nga shpresa.


Frika i thotë, kujto çfarë mund të humbasësh.


Shpresa i thotë, kujto çfarë mund të fitosh.


Dhe njeriu mbetet në mes.


Me të djeshmen që mund t’i hapet mbi kokë.


Dhe të nesërmen që mund t’i mbyllet përpara.


Këtu pyetja për pëlqimin nuk mund të mbarojë me:


“A tha po?”


Pyetja serioze është:


A mund të thuhej jo?


Sepse liria nuk matet vetëm nga ekzistenca e fjalës “jo”.


Matet nga çmimi që paguan pasi e thua.


Nëse refuzimi të kushton punën, karrierën, ekranin, familjen, reputacionin ose frikën se e djeshmja jote do të hidhet në publik, atëherë zgjedhja formale mund të mbetet në këmbë ndërsa liria reale ka filluar të përkulet.


Kush e mban arkivin?


Kush e mban portën?


Dhe sa kushton fjala “jo”?


Mjaftojnë këto tri pyetje për të parë shumë marrëdhënie pushteti që formulari, kontrata apo buzëqeshja mund t’i quajnë të lira.


Në shtet, porta quhet kompetencë.


Republika i jep një zyrtari pushtet pikërisht duke ia mohuar pronësinë mbi të.


Ti e ushtron.


Por nuk është i yti.


Sekreti shtetëror nuk është valutë për miqësi, parti, biznes, ndikim apo hakmarrje.


Informacioni që funksioni të ka besuar nuk bëhet pasuri private vetëm sepse ndodhet në duart e tua.


Kur pushteti publik fillon të përdoret si pronë, nuk është shkelur vetëm një rregull.


Është cenuar kufiri midis Republikës dhe pronarit.


Dhe një vend mund të ketë Kushtetutë, administratë, vula e flamuj, por Republika fillon të tkurret ditën kur ata që ushtrojnë pushtetin harrojnë se nuk e zotërojnë atë.


Në art, porta duket ndryshe.


Është studioja.


Produksioni.


Kontrata.


Ekrani.


Audicioni.


Emri që të fut në dhomën ku një karrierë merr drejtim tjetër.


Nuk duhet uniformë për të pasur pushtet.


Mjafton të kontrollosh mjaftueshëm mundësinë e një tjetri.


Dhe nëse, pranë mundësisë, ekziston edhe dobësia, një sekret, një imazh, një material, një frikë, atëherë pyetja nuk është më vetëm se çfarë marrëdhënieje private ka ndodhur.


Pyetja bëhet çfarë pushteti mund të prodhonte ajo marrëdhënie.


Përsëri:


A mund të thuhej jo?


Nëse një ditë provohet se mundësia profesionale, dobësia private dhe frika nga ekspozimi janë lidhur për të prodhuar bindje, nuk do të kemi zbuluar një skandal rozë.


Do të kemi zbuluar një regjim varësie.


Por pushteti nuk luftohet duke shpikur fajin.


Sepse në çastin kur e bëjmë këtë, fillojmë t’i ngjajmë atij.


Këtu qytetari i vërtetë duhet të jetë më i kthjellët se moralisti.


Unë nuk besoj se njeriu është engjëll.


Pikërisht për këtë jam qytetar me parime, thjeshtësi, nder e vlerë.


Njeriu tundohet. Gabon. Tradhton. Gënjen. Lëndon.


Ka detyrime ndaj familjes, ndaj tjetrit, ndaj ndërgjegjes, ndaj Zotit.


Liria pa përgjegjësi nuk bëhet virtyt vetëm pse mban emrin liri.


Por nga kjo e vërtetë për njeriun nuk më del se vetëm i panjollosuri meriton dinjitet.


Më del e kundërta.


Nëse dinjiteti u takon vetëm njerëzve pa mëkat, atëherë dinjiteti nuk është më e drejtë njerëzore.


Është dekoratë për një specie që nuk ekziston.


Përgjegjësia kërkon që njeriu t’i përgjigjet së keqes që ka bërë.


Poshtërimi kërkon që njeriu të bëhet vetë e keqja që ka bërë.


Këtu ndahet drejtësia nga mizoria.


Sepse faji dhe turpi nuk janë e njëjta gjë.


Faji pyet:


Çfarë bëra?


Turpi që pushton gjithë qenien përgjigjet:


Kjo është çfarë je.


Drejtësia mund të punojë me fajin.


Faji ka një veprim, një viktimë, një përgjegjësi dhe, kur është e mundur, një riparim.


Shantazhi ushqehet me diçka tjetër.


Me frikën se një veprim do të bëhet identitet.


Nuk i mjafton që ti të kesh bërë një gabim.


Ka nevojë që ti të besosh se, po të dalë ai gabim në dritë, nuk do të humbasësh vetëm reputacionin.


Do të humbasësh të drejtën për të qenë dikush tjetër.


Prandaj drejtësia dhe shantazhi lëvizin në drejtime të kundërta.


Drejtësia të kërkon llogari për atë që ke bërë.


Shantazhi kërkon të të bindë se ajo që ke bërë është gjithçka që je.


Dhe pikërisht këtu epoka digjitale hap një plagë filozofike që është shumë më e madhe se privatësia.


Njeriu vazhdon të jetojë pasi çasti ka mbaruar.


Mund të mësojë.


Mund të pendohet.


Mund të riparojë.


Mund të kërkojë falje.


Mund të bëhet një njeri që, po ta takonte veten e dhjetë viteve më parë, do të turpërohej prej saj.


Arkivi nuk e di këtë.


Arkivi ka një kompetencë dhe vetëm një, të dëshmojë atë që ka ruajtur.


Nuk ka kompetencë të vendosë se kush je bërë.


E shkuara ka të drejtë të dëshmojë.


Nuk ka të drejtë të qeverisë.


Kjo është arsyeja pse pyetja më e madhe e kohës sonë nuk është vetëm nëse kemi të drejtë për privatësi.


Është një tjetër:


A kemi të drejtë të bëhemi dikush tjetër nga versioni ynë që ruhet në një arkiv?


Nuk flas për të drejtën për të fshirë krimin.


As për të zhdukur provën.


As për ta bërë pushtetarin të papërgjegjshëm ndaj së kaluarës.


Flas për diçka pa të cilën morali vetë bëhet absurd, mundësinë e ndryshimit.


Nëse njeriu nuk mund të bëhet tjetër, pendimi është vetëm torturë.


Falja është vetëm ceremoni.


Rehabilitimi është vetëm fjalë.


Dhe përgjegjësia pushon së gjykuari veprën për të dënuar përgjithmonë qenien.


Një qytetërim që fiton kujtesë teknologjike pothuaj të pakufishme do të ketë nevojë për një urtësi morale që asnjë server nuk mund ta prodhojë, aftësinë për të dalluar atë që duhet të mbahet mend nga ajo që nuk duhet lejuar të sundojë përgjithmonë.


Këtu qëndron për mua një nga arritjet më të mëdha të qytetërimit perëndimor të lirisë, dijenia nuk është juridiksion.


Shteti mund të dijë dhe të ketë përsëri nevojë për ligj që të veprojë.


Media mund të dijë dhe të ketë përsëri nevojë për interes publik.


Shumica mund të dijë dhe të ketë përsëri një kufi.


Sepse e vërteta për një njeri nuk është vetvetiu leje për ta përdorur njeriun.


Nëse çdo dije mbi ty do të prodhonte juridiksion mbi ty, ai që do të dinte më shumë për jetën tënde do të fitonte, bashkë me dijen, edhe më shumë të drejtë për të të sunduar.


Shoqëria e informacionit do të bëhej ngadalë shoqëri e nënshtrimit.


Një pushtet mund ta blejë qytetarin.


Mund ta frikësojë.


Epoka digjitale i jep edhe një tundim tjetër, ta mbajë të shantazhueshëm.


Prandaj Republika e njerëzve të lirë nuk ka nevojë vetëm për qytetarin që nuk shitet.


Ka nevojë edhe për qytetarin që nuk mund të mbahet peng nga një copë e së kaluarës së vetë.


Jo njeriun pa sekrete.


Jo njeriun pa gabime.


Jo njeriun mbi ligjin.


Por njeriun që mund të ketë një të kaluar pa ia dorëzuar askujt të ardhmen.


Këtu fillon për mua edhe vizioni për një Shqipëri ndryshe.


Njeriu lind trashëgimtar, por jo pronë e trashëgimisë.


Merr një emër që nuk e zgjodhi, një gjuhë që e gjeti këtu, një familje, një histori, plagë dhe fitore që nuk i ka bërë vetë.


Pastaj jeton.


Bëhet autor i një pjese të jetës së vetë.


Dhe një ditë largohet si paraardhës.


Prandaj ne nuk u lëmë fëmijëve vetëm prona, institucione, borxhe dhe flamuj.


U lëmë edhe mënyrën si kemi mësuar të përdorim fuqinë që teknologjia na jep mbi njëri-tjetrin.


Ata do të jetojnë në një botë që do të mbajë mend më shumë sesa bota jonë.


Do të fotografojë më shumë.


Do të regjistrojë më shumë.


Do të ruajë më gjatë.


Do të lidhë më lehtë një emër të sotëm me një gabim të djeshëm.


Prandaj pyetja që ua lëmë trashëgim nuk është vetëm, çfarë do të jetë në gjendje të bëjë teknologjia?


Është, çfarë do të konsiderojë të denjë njeriu të bëjë me atë fuqi?


Vajza ime mund të gabojë në të njëzetat dhe ta gjejë atë gabim duke e pritur në të dyzetat.


Djali im mund të marrë në dorë dobësinë e një njeriu tjetër dhe të tundohet ta ngatërrojë besimin me pushtetin.


Prandaj dua t’u lë dy detyrime.


Vajzës:


Nëse gabon, mos ik nga përgjegjësia. Mbaje. Por mos prano kurrë se gabimi yt është akt pronësie mbi ty.


Djalit:


Nëse dobësia e një njeriu bie në dorën tënde, nuk ke marrë një armë.


Ke marrë një provë për karakterin tënd.


Sepse arkivi mund të thotë, ja kush ke qenë.


Por porta e së ardhmes nuk duhet të përgjigjet, atëherë vetëm kaq ke të drejtë të jesh.


Në mes qëndron njeriu.


Jo gjithmonë i pafajshëm.


Jo i panjollosur.


Jo pa përgjegjësi.


Por ende i aftë të bëhet.


Dhe liria e tij varet nga fakti nëse do të mbetet autor i së ardhmes së vetë apo do t’ia dorëzojë atë atij që mban në dorë një copë nga e kaluara.


Ky është, për mua, Sovraniteti i Intimitetit.


Jo mbrojtja e sekretit nga e vërteta.


Mbrojtja e së ardhmes së njeriut nga pushteti që kërkon të blejë bindjen e tij me të djeshmen.


Sepse një shoqëri nuk është plotësisht e lirë nëse qytetari i saj duhet ta blejë të nesërmen me heshtjen për të djeshmen.


Dhe prova e qytetërimit në shekullin që vjen mund të mos jetë sa shumë do të arrijmë të dimë për njëri-tjetrin.


Mund të jetë çfarë do të refuzojmë të bëjmë me atë që dimë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page