top of page

Vija e Startit!

Oct 1
7 min read

Pushteti mbi vëmendjen dhe autorësia e zgjedhjes përpara votës


Nga Arian Galdini


Demokracia ka një çast që numërohet dhe një kohë shumë më të gjatë që nuk hyn në procesverbal.


Çasti është vota.


Koha është gjithçka që ka ndodhur përpara saj.


Kur qytetari merr fletën në dorë, emrat që gjen aty janë të barabartë si shtyp mbi letër.


Por nuk kanë mbërritur deri tek ai me të njëjtën histori.


Disa vijnë me vite debatesh, intervistash, polemikash, imazhesh dhe kujtimesh.


Të tjerë mund të mbërrijnë pothuajse vetëm si emër.


Barazia e letrës nuk i barazon kushtet e mbërritjes.


Qytetari kërkon edhe vetë.


Pyet, lexon, organizohet, refuzon atë që i serviret dhe ndryshon mendim.


Nuk është spektator pa vullnet.


Por është njeri.


Koha e tij është e kufizuar.


Vëmendja e tij është e kufizuar.


Nuk mund ta rindërtojë vetë gjithë botën politike sa herë që vjen dita e zgjedhjeve.


Njeriu nuk zgjedh nga boshllëku.


Pikërisht sepse zgjedh, rëndësi ka edhe mënyra si arrin të njohë atë mes së cilës do të zgjedhë.


Përpara pushtetit që qytetari ushtron me votën, vepron një pushtet më i hershëm, fuqia për të ndikuar se cilat alternativa bëhen të pranishme në fushën e vëmendjes së tij dhe cilat mbeten në skaj të saj.


Ky pushtet nuk ka nevojë t’ia marrë lapsin nga dora.


Mund të veprojë më herët.


Mbi botën që mbërrin deri te ajo dorë.


Kjo është Vija e Startit.


Prandaj pyetja “A ishte vota e lirë?” mbetet themelore.


Por pranë saj duhet të qëndrojë edhe një tjetër:


Sa e hapur ishte rruga deri te vota?


Në Shqipërinë e sotme kjo pyetje ka përmbajtje të matshme.


AMA raporton se, në kategorinë e kohës televizive kushtuar partive politike në televizionet kombëtare, në qershor 2026 PD-ja kishte 59.93 për qind dhe PS-ja 36.68 për qind, në korrik përkatësisht 65.01 dhe 33.31 për qind, ndërsa në gusht 68.67 dhe 30.8 për qind.


ODIHR-i i përshkroi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 si konkurruese dhe profesionalisht të administruara, por konstatoi se garuesit nuk gëzuan kushte të barabarta gare.


Raporti përfundimtar evidenton gjithashtu problemet e mjedisit mediatik dhe disavantazhin e partive joparlamentare në mbulim.


Ky dallim është vendimtar.


Dy partitë kryesore mund të përplasen egërsisht.


Mund ta akuzojnë njëra-tjetrën çdo natë.


Mund ta bëjnë debatin të duket si luftë politike pa fund.


Dhe përsëri hyrja për të tretin mund të mbetet e ngushtë.


Konkurrenca brenda rrethit nuk provon hapjen e rrethit.


Pluralizmi nuk matet vetëm nga intensiteti i konfliktit mes atyre që janë tashmë brenda.


Matet edhe nga mundësia që rendit të njohur t’i hyjë dikush që ende nuk është pjesë e tij.


Pikërisht këtu shfaqet fjala, relevancë.


Të ftojnë sepse je relevant.


Mbetesh jashtë sepse nuk je.


Relevanca nuk është mashtrim në vetvete.


Një politikan mund ta ketë fituar vëmendjen me ide, punë, vota, organizim dhe histori.


Suksesi nuk bëhet i dyshimtë vetëm sepse është sukses.


Problemi fillon kur renditja e sotme fiton të drejtën ta riprodhojë vetveten nesër.


Çfarë duhet të bëjë një alternativë e panjohur që statusi i saj të ndryshojë?


Të sjellë një ide me peshë?


Të ndërtojë organizim?


Të fitojë mbështetje?


Të prodhojë veprimtari?


Apo duhet të provojë se është tashmë e njohur?


Aty qarku mbyllet.


Njohja sjell dukshmëri dhe dukshmëria shton njohjen.


Në drejtimin tjetër, padukshmëria ushqen panjohjen dhe panjohja kthehet në argument për më shumë padukshmëri.


Përjashtimi nuk mund të jetë njëkohësisht pengesa për t’u njohur dhe prova përfundimtare se nuk meriton të njihesh.


Ky është paradoksi i relevancës.


Një gjendje e prodhuar nga një histori vendimesh fillon të paraqitet si veti natyrore e atij që ndodhet jashtë.


Nuk thuhet më:


“nuk të dhamë mundësinë”.


Thuhet:


“nuk e kishe peshën”.


Dhe porta lan duart me rezultatin e vetë.


Këtu fillon problemi i vërtetë i pushtetit.


Një demokraci nuk kërkon që të gjithë të jenë njësoj të dukshëm.


Kërkon që rendi i dukshmërisë të mbetet i sfidueshëm.


Ky është dallimi mes një rendi të hapur dhe një rendi që vetëm riprodhon vetveten.


I njohuri mund ta ruajë peshën që ka fituar.


Por i panjohuri duhet të ketë një rrugë reale për ta ndryshuar statusin e vetë.


Nëse renditja e djeshme bëhet kusht hyrjeje për të nesërmen, përparësia pushon së qeni vetëm rezultat.


Fillon të sillet si pronë.


Pushteti duhet të dijë se është pushtet. Edhe kur nuk mban vulën e shtetit.


Një redaksi ka liri.


Duhet ta ketë.


Një qeveri që u tregon gazetarëve kë duhet të ftojnë nuk e çliron sferën publike.


E pushton.


Por liria editoriale nuk e zhduk fuqinë editoriale.


Pushteti nuk jeton vetëm te urdhri.


Jeton edhe te struktura.


Kur të njëjtat hierarki riprodhohen aq gjatë sa historia e tyre fillon të duket si natyrë, statusi fillon të prodhojë status.


Atëherë pyetja nuk është vetëm kush vendosi.


Pyetja është:


A mund të sfidohet rendi që këto vendime kanë prodhuar?


Unë këtë mekanizëm nuk e njoh vetëm si ide.


E njoh nga ana tjetër e Vijës së Startit.


Dëshmia ime për historinë politike të LRE-së është e prerë, hapësira programore në median shqiptare për LRE-në si LRE ka qenë zero.


Ato pak ftesa për Arian Galdinin si “analist” nuk kanë qenë hapësirë ku LRE-ja paraqet alternativën e vetë.


Përkundërazi kanë qenë ftesa tinzare për të deformuat identitetin tim në mendjet e njerëzve.


Një emërtim poshtë fytyrës sime nuk është program, propozim apo përballje me alternativën tonë.


Hapësirë programore do të thotë që LRE-ja të hyjë në bisedë për atë që është dhe për atë që propozon, të marrë pyetje, të kundërshtohet, t’i zbulohen dobësitë, të përballet me dyshimin dhe mosbesimin.


Nuk kërkoj mbrojtje nga gjykimi.


Kërkoj hyrjen në të.


Pikërisht atë hapësirë them se nuk e kemi pasur.


Këtë e quaj dënim me harresë.


Kamera mund ta marrë fytyrën dhe biseda ta lërë jashtë arsyen politike për të cilën ajo fytyrë është aty.


Mund të kesh mikrofon dhe të mungosh si subjekt.


Ky është një përjashtim më i ndërlikuar se heshtja, personi bëhet i dukshëm, ndërsa alternativa që përfaqëson mbetet jashtë gjykimit.


Dhe këtu përvoja personale bëhet pyetje e përgjithshme:


Çfarë ndodh me demokracinë kur prania e personit përdoret si alibi për mungesën e alternativës që ai përfaqëson?


Pikërisht për këtë monitorimi politik nuk duhet të numërojë vetëm minuta.


Duhet të dijë çfarë ka ndodhur brenda tyre.


Përmendja e një subjekti, raportimi mbi të, trajtimi i programit dhe mundësia për t’u përgjigjur nuk janë e njëjta gjë.


Një reportazh kritik, por i saktë, mund ta bëjë një alternativë politikisht të njohshme.


Një dalje e gjatë mund ta lërë alternativën krejt jashtë.


Prandaj standardi që kërkoj nuk është standard për LRE-në.


Është standard për të gjithë.


Të njëjtat dimensione matjeje, prani, përfaqësim, përmbajtje programore, mundësi përgjigjeje.


Transmetuesit publik i kërkoj pluralizëm të verifikueshëm.


Medias private i kërkoj të mos e paraqesë parapëlqimin e vet si ligj të natyrës politike.


Rregullatorit i kërkoj transparencë pa u kthyer në drejtor redaksish.


Dhe shtetit i kërkoj të qëndrojë jashtë pronësisë mbi portën.


Sepse një qeveri që vendos kush duhet dëgjuar nuk e korrigjon sundimin privat.


Vetëm i zë vendin.


Interneti e ka ndryshuar terrenin.


Nuk e ka shuar pyetjen.


Sot një subjekt mund të publikojë vetë, të ndërtojë komunitet dhe të flasë drejtpërdrejt me qytetarin.


Dhe duhet ta bëjë.


Asnjë lëvizje politike serioze nuk mund t’ia delegojë medias arsyen e ekzistencës së vetë.


Por e drejta për të publikuar nuk është e njëjta gjë me fuqinë për t’u shpërndarë.


Porta mund të largohet nga studioja dhe të shfaqet te renditja, rekomandimi, kërkimi ose arkitektura e platformës.


Mund të ndahet në shumë porta, mund të anashkalohet dhe mund të ripërqendrohet.


Teknologjia nuk e heq problemin.


Vetëm ia ndryshon adresën.


Prandaj pyetja mbetet:


Kush ndikon në mbërritjen e alternativave te qytetari dhe sa e sfidueshme është kjo fuqi?


Këtu ndahen tri gjëra që demokracia nuk duhet t’i ngatërrojë, hyrja ligjore në garë, mundësia për t’u njohur, dhe rezultati zgjedhor.


Një subjekt mund të humbasë.


Humbja regjistrohet dhe pranohet.


Por prej saj nuk del se çdo ide u njoh, çdo propozim u shqyrtua dhe çdo pengesë që e parapriu rezultatin ishte e drejtë.


Rezultati nuk është amnisti për kushtet e garës.


Qytetari dha votën e vetë.


Nuk nënshkroi kriteret e çdo redaksie.


Nuk ratifikoi vendimet e çdo platforme.


Nuk i dha askujt të drejtën ta përdorë verdiktin e tij si certifikatë pafajësie për arkitekturën që i parapriu.


Demokracia duhet të jetë mjaftueshëm e fortë për t’i bërë të dyja, të njohë rezultatin dhe të gjykojë kushtet.


Këtu parimi prek themelin e vetë.


Njeriu është autor pa qenë autori i vetëm.


Nuk e krijon botën ku zgjedh.


E gjen.


E trashëgon.


Por nuk lind pronë e saj.


Prandaj liria nuk është vetëm e drejta për të vepruar brenda rendit të trashëguar.


Është edhe mundësia reale për ta sfiduar atë.


Kjo vlen edhe për hapësirën publike.


Brezi që vjen pas nesh nuk duhet të trashëgojë vetëm kutinë e votimit dhe të drejtën për të kandiduar.


Duhet të trashëgojë edhe një rend që nuk e ka mbyllur hyrjen pas vetes.


Një hapësirë ku një emër i panjohur sot mund të bëhet politikisht i dëgjueshëm nesër, ku një ide pa histori televizive mund të arrijë deri te gjykimi, ku një alternativë e papritur nuk ka nevojë të marrë lejen e hierarkisë që ka ardhur të sfidojë.


Liria nuk trashëgohet vetëm duke ruajtur votën.


Trashëgohet edhe duke ruajtur mundësinë e së resë për të mbërritur deri tek ajo.


Jo trashëgimia e fituesit.


Trashëgimia e mundësisë për ta sfiduar.


Prandaj problemi përfundimtar nuk është media.


Është pronësia mbi mundësinë.


Jo pronësi juridike.


As çdo ndikim nuk është pronësi.


Ajo lind kur një rend fiton fuqi kaq të madhe mbi hyrjen, sa alternativa e re varet prej tij edhe për të prodhuar statusin që ai rend kërkon si kusht hyrjeje, dhe kur rrugët reale për ta sfiduar këtë varësi janë mbyllur ose bërë të parëndësishme.


Nëse hyrja kërkon relevancë dhe relevanca kërkon hyrje, ndërsa sfiduesi nuk ka rrugë funksionale rreth këtij qarku, përparësia nuk është më vetëm avantazh.


Bëhet varësi.


Mund të bëhet dominim.


Aty historia e djeshme fillon të vendosë kush ka mundësi të fitojë histori nesër.


Këtu Vija e Startit merr kuptimin e saj të plotë.


Një rend demokratik nuk ka nevojë që të gjithë të jenë njësoj të dukshëm.


Ka nevojë që dukshmëria të mos bëhet pronë.


Që emri i panjohur të mund ta ndryshojë statusin e vetë.


Që ideja e re të hyjë në gjykim.


Që humbësi i sotëm të mos humbasë bashkë me zgjedhjet edhe mundësinë e konkurrimit të nesërm.


Që avantazhi i djeshëm të mos bëhet kusht i pakapërcyeshëm për hyrjen e së nesërmes.


Kjo është Vija e Startit.


Jo privilegj për të voglin.


Jo ndëshkim për të madhin.


Jo e drejtë për audiencë.


Kusht legjitimiteti për një rend që pretendon se mbetet i hapur ndaj sfidës.


Unë i përgjigjem qytetarit për atë që propozoj.


Media për kriteret me të cilat ndërmjetëson.


Shteti për rregullat që ndërton.


Platformat për fuqinë që ushtrojnë mbi shpërndarjen.


Dhe qytetari për verdiktin e vetë.


Asnjëra prej këtyre përgjegjësive nuk mund të fshihet pas tjetrës.


Demokracia nuk i detyrohet Arian Galdinit fitoren.


Nuk i detyrohet LRE-së votën e askujt.


Por as humbja jonë nuk i jep askujt pronësi mbi konkurrimin e së nesërmes.


Dhe atij që administron hyrjen nuk i takon ta paraqesë heshtjen që vetë ka ndihmuar të prodhojë si zërin e qytetarit.


Sepse finishin duhet ta vendosë vota.


Jo porta përpara startit.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page