top of page

21 gushti nuk ju kërkon të më besoni…


Nga Arian Galdini


Besimi politik është kërkuar aq shpesh përpara provës, sa qytetari shqiptar ka arsye të jetë dyshues edhe kur përballë i del një njeri me qëllimin më të mirë.


Unë nuk dua t’ju kërkoj një përjashtim për veten.


Më 21 gusht nuk ju ftoj të vini sepse duhet të besoni se Arian Galdini ka të drejtë.


Nuk ju kërkoj të besoni se LRE Rinisja është sot më e madhe nga sa është.


Nuk ju premtoj një shesh të mbushur.


Nuk ju tregoj një organizatë që ende duhet të rindërtohet.


Dhe nuk do ta përdor madhështinë e një ideje për t’ju bindur se pas saj ekziston një forcë që realiteti ende nuk e ka provuar.


Do të ishte mënyra më e keqe për të kërkuar një politikë tjetër, të filloja duke ju kërkuar të besoni një pamje më të madhe se e vërteta.


Kam zgjedhur diçka më të vështirë.


Ejani dhe gjykoni vetë.


Mund të vini më 21 gusht pa qenë pjesë e LRE Rinisjes.


Mund të vini pa pasur ndër mend të bëheni pjesë e saj.


Mund të vini duke mos qenë dakord me mua.


Mund të vini vetëm sepse doni të kuptoni se çfarë po përpiqemi të bëjmë.


Madje mund të vini me dyshim.


Dyshimi i një qytetari të lirë më duket shumë më i shëndetshëm se entuziazmi i një njeriu që ia ka dorëzuar gjykimin dikujt tjetër.


Sepse unë nuk dua të ndërtoj një tjetër radhë njerëzish që presin fjalën nga kryetari.


Dua të provoj nëse mund të ndërtojmë një marrëdhënie tjetër ndërmjet njeriut dhe politikës.


Një marrëdhënie ku drejtuesi nuk kërkon adhurim për të marrë përgjegjësi.


Ku qytetari nuk humbet emrin e vetë kur bashkohet me të tjerët.


Ku kundërshtimi nuk quhet tradhti.


Ku pjesëmarrja nuk shndërrohet në pronësi.


Ku fjala që i kërkojmë tjetrit të respektojë na detyron më parë ne.


Këtu bashkohen, për mua, Pakti Kombëtar i Urtisë dhe Shqipëria Mendonjëse.


Urtia politike nuk është butësi përballë padrejtësisë.


Është aftësia për të mos ia dorëzuar zemërimit të çastit vendimin që duhet ta marrë ndërgjegjja.


Dhe një Shqipëri që mendon nuk është një Shqipëri që pret pafundësisht.


Është një vend ku veprimi nuk ndahet nga pyetja për pasojën e tij.


Prandaj më 21 gusht dua që rregulli të ekzistojë përpara emocionit.


Dua që njeriu që vjen të dijë se nuk po hyn në një hapësirë ku më i zëshmi fiton të drejtën mbi të tjerët.


Dua që demokrati, socialisti, qytetari pa parti, besimtari, jobesimtari, i riu, pensionisti, sipërmarrësi, i papuni, njeriu që më njeh dhe ai që nuk më ka parë kurrë më parë, të kenë të njëjtin dinjitet qytetar.


Kjo nuk është ndonjë arritje që po e shpall sot.


Është standardi që dua të provojmë.


Dhe prova fillon nga ne.


Nëse kërkojmë liri fjale, duhet të durojmë fjalën që na kundërshton.


Nëse kërkojmë drejtësi, nuk mund ta duam vetëm kur prek njeriun e palës tjetër.


Nëse flasim për pronën, nuk mund të pranojmë privilegjin e mikut tonë.


Nëse flasim për Kombin, nuk mund ta përdorim flamurin për të heshtur shqiptarin që mendon ndryshe.


Nëse jemi properëndimorë, duhet të duam institucione të forta, jo shqiptarë të vegjël që presin një certifikatë personale nga jashtë.


Nëse flasim për Prindërimin, nuk mund të sillemi sikur koha pas nesh nuk ka pronarë të ligjshëm, fëmijët që do të jetojnë me pasojat e vendimeve tona.


Dhe nëse flasim për Rinisjen, duhet të pranojmë që ajo nuk mund të jetë një emër tjetër për Arian Galdinin.


Përndryshe fjalët tona do të ishin vetëm një mënyrë më elegante për të përsëritur zakonet që kritikojmë.


Kjo është edhe arsyeja pse Dalëzotësinë nuk e kuptoj si bindje ndaj një udhëheqësi.


Dalëzotësia fillon kur njeriu nuk pyet vetëm se kush duhet ta rregullojë Shqipërinë, por zbulon se ekziston diçka, sado e vogël, për të cilën mund të dalë vetë zot.


Askush nuk ka pse ta vendosë këtë më 21 gusht.


Ejani së pari.


Shihni.


Dëgjoni.


Pyesni.


Gjykoni.


Dhe vetëm nëse gjeni diçka që meriton kohën, mendjen ose mundin tuaj, atëherë vendosni vetë nëse doni të ktheheni.


Edhe kjo është pjesë e lirisë që pretendojmë se mbrojmë.


Unë e di se nga çfarë pozite po ju flas.


Nuk kam një aparat të madh që t’ju sjellë me autobusë.


Nuk kam ekrane që ta përsërisin ftesën time çdo mbrëmje.


Nuk kam ndër mend ta zëvendësoj këtë mungesë duke sajuar madhësi.


Kam fjalën time, historinë time, bindjet e mia, disa njerëz që ende besojnë se kjo përpjekje ia vlen dhe një datë ku dua t’i nënshtroj të gjitha këto gjykimit të realitetit.


Kaq mund të them me siguri sot.


Pjesën tjetër nuk e vendos unë.


E vendos ajo që do të ndodhë.


Prandaj 21 gushti ka vlerë për mua edhe përpara se të di sa njerëz do të vijnë.


Sepse më detyron të bëj diçka që politika e bën rrallë, të dal përpara qytetarit pa e ditur paraprakisht përgjigjen e tij.


Dhe ta pranoj atë përgjigje pa e falsifikuar.


Nëse do të jemi pak, do ta dimë se jemi pak.


Nëse do të jemi më shumë, përgjegjësia do të jetë më e madhe.


Por as njëri rezultat, as tjetri, nuk i jep askujt pronësi mbi njerëzit që do të jenë aty.


Kjo është Besa që mund të jap unë përpara 21 gushtit.


Jo se do të fitojmë.


Jo se do të bëhemi shumë.


Jo se historia do të fillojë patjetër atë mbrëmje.


Vetëm këtë, nuk do t’ju kërkoj një besim që realiteti nuk e ka merituar ende.


Do t’ju kërkoj vetëm të shihni me sytë tuaj.


Dhe pastaj të vendosni me mendjen tuaj.


Sepse Republika nuk hapet kur qytetari gjen njeriun të cilit duhet t’ia dorëzojë veten.


Hapet kur qytetari e kupton se, përballë kujtdo që kërkon përgjegjësi publike, veten duhet ta mbajë gjithmonë me vete.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page