top of page

Poezi: Jam!


Nga Arian Galdini


Në tryezë

kishte mbetur një fletë

me gjysmën e fjalisë së shkruar.


Boja ishte tharë.


Dora ime, jo.


E mora.


Përtej dritares

dita kishte vazhduar prej kohësh

pa pyetur kush hynte,

kush mbetej jashtë.


Edhe unë kisha vazhduar.


Jam.


Kishte pasur dyer.


Druri më mbeti në pëllëmbë,

hekuri i ftohtë nën gishta,

zhurma e çelësit në vesh

teksa kthehej nga ana tjetër.


Pas një kohe

pushova së provuari bravën.


Në tryezë

më priste fjalia.


Fjala e parë nuk erdhi.


As e dyta.


Lëviza llambën pak më pranë

dhe ndenja aty

derisa nata humbi një orë.


Pastaj shkrova.


Në mëngjes

fleta kishte edhe një rresht.


Pastaj një tjetër.


Dora më dhembte.


Vazhdoi.


Jam.


Vitet nuk i pyeta

çfarë kishin marrë.


Mjaftonte t’i shihja

te puna e mbetur përgjysmë,

te letra që do të ishte zverdhur

mbi një fjali tjetër.


Njëherë

u afrova përsëri

te ajo derë.


Jo për të hyrë.


Doja vetëm të dija nëse druri më dukej ende aq i madh.


Nuk më dukej.


Preka vendin

ku kisha trokitur

dhe dëgjova nga brenda

të njëjtin metal.


Këtë herë

nuk prita kthimin e çelësit.


U largova

me hapin tim të plotë.


Asgjë nuk më ndiqte.


Asgjë nuk duhej mundur.


Në tryezë

puna kishte mbetur hapur.


Aty u ktheva.


U ula.


Vura dorën

te fjala ku dikur

isha ndalur.


Dhe shkrova përtej saj.


Kaq.


Një dorë

që kishte ende çfarë të bënte.


Ka punë që do të kishin

një tjetër moshë sot.


E di.


Dhe vazhdoj.


Një ditë

dora do të pushojë mbi tryezë

pa kërkuar më fjalën tjetër.


Deri atëherë,


marr fletën.


Shkruaj.


Ia rinis.


Jam.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page