top of page

Diaspora nuk është numër gushti…

Updated: 1 hour ago


Nga Arian Galdini


Çdo verë, portet, aeroportet dhe rrugët tona sjellin për disa javë një Shqipëri që jeton larg kufijve të vet.


Në makinat me targa të huaja udhëtojnë vite pune, kursime, mall, lodhje, fëmijë që e kuptojnë gjuhën e gjyshërve më mirë sesa e flasin, prindër që kanë ruajtur ende çelësin e një shtëpie ku kalojnë vetëm pak ditë në vit.


Politika i sheh. Pastaj kujtohet t’u flasë.


Herë u kërkon para për familjen, herë votën, herë praninë në një tubim, herë një fotografi patriotike që zgjat sa stina.


Kur gushti mbaron, shumë prej tyre kthehen në vendet ku punojnë, ndërsa fjalimet që i shpallën “zemra e kombit” mbeten pa një marrëdhënie të vërtetë me jetën e tyre.


Një vend që kujtohet për shqiptarët jashtë tij vetëm kur i duhen vota, remitanca ose njerëz në shesh, nuk ka ndërtuar ende politikë për diasporën. Ka krijuar një nevojë sezonale.


Kjo duhet të ndryshojë.


Mërgata shqiptare nuk është moralisht më e mirë vetëm sepse jeton jashtë vendit.


Ajo ka ndarjet, zhgënjimet, gabimet dhe kundërshtitë e veta.


Por mbart një përvojë që Shqipëria nuk duhet ta shpërdorojë, përvojën e institucioneve të zakonshme që kryejnë detyrën pa kërkuar ndërmjetës.


Shumë shqiptarë jashtë kanë parë se një bashki mund të ndërrojë drejtues dhe të hapet të nesërmen në të njëjtën orë, se një kontratë nuk ka nevojë për mikun e duhur që të zbatohet, se një kryetar partie mund të humbasë pa marrë me vete administratën, se taksa paguhet për një shërbim dhe jo për të blerë të drejtën për t’u dëgjuar.


Vendet ku jetojnë nuk janë të përsosura. Asnjë shoqëri nuk është.


Por pikërisht për këtë përvoja e tyre ka vlerë.


Ata e dinë se një demokraci nuk matet me mungesën e problemeve, por me mënyrën si institucionet i trajtojnë ato pa e detyruar njeriun të kërkojë mbrojtje personale.


Ky është një prej kuptimeve më të vërteta të përkatësisë sonë perëndimore.


Perëndimi nuk është një fotografi me një diplomat, një deklaratë nga një kancelari apo një vulë që qeveria e përdor kundër kundërshtarit.


Për shumë shqiptarë, ai është jeta e përditshme ku fëmija hyn në shkollë pa pyetur kë njeh prindi, ku sipërmarrësi mund të kundërshtojë administratën pa humbur të ardhmen dhe ku rotacioni politik nuk paraqitet si kërcënim ndaj vetë shtetit.


Prandaj shqiptarët jashtë vendit nuk duhet të thirren vetëm që të na sjellin kapitalin e fituar diku tjetër.


Duhet të kenë mundësi të sjellin edhe standardin që kanë parë të funksionojë.


Jo për të na dhënë mësime nga larg dhe as për ta trajtuar Shqipërinë me përçmimin e atij që iku.


Përkundrazi, për t’i kërkuar vendit të vetë atë dinjitet të zakonshëm që shqiptari dëshmon çdo ditë se është plotësisht i aftë ta ndërtojë sapo gjendet brenda institucioneve që e respektojnë.


Shumë prindër nuk u larguan sepse nuk e donin Shqipërinë.


U larguan sepse i deshën fëmijët më shumë sesa mundësinë për të qëndruar.


Kjo është një prej dramave më të thella të kohës sonë.


Një nënë që punon larg, një baba që e sheh familjen përmes ekranit, një gjyshe që rrit nipërit ndërsa prindërit e tyre mbajnë dy shtëpi me një rrogë, nuk duhen romantizuar si histori suksesi kombëtar.


Pas çdo sakrifice të tillë qëndron edhe një pyetje për shtetin shqiptar, përse puna, aftësia dhe ndershmëria e tyre gjetën më shumë vend diku tjetër?


Atdhedashuria nuk mund të përdoret për t’u kërkuar njerëzve të kthehen në të njëjtat kushte që i detyruan të largohen.


Shqipëria duhet ta meritojë kthimin e tyre.


Kjo do të thotë siguri juridike, shkollë serioze, shërbime të denja, konkurrencë të hapur, administratë të paanshme dhe një jetë publike ku njeriu nuk ndëshkohet për mendimin e vetë.


Pa këto, thirrja “kthehuni” mbetet një apel emocional që kërkon prej mërgimtarit të paguajë edhe një herë për dështimin e politikës.


Këtu merr kuptim edhe emri Rinisja.


Rinisja nuk është rinia dhe nuk matet me moshën e atij që afrohet.


Ajo është gatishmëria për të mos e quajtur të përjetshëm një zakon që mund të ndreqet.


Një burrë shtatëdhjetëvjeçar që, pas dekadash mërgimi, vendos t’i japë përsëri kohë vendit të vet mund ta mishërojë Rinisjen më thellë se një njëzetvjeçar që përsërit të njëjtën bindje të verbër partiake.


Rinisja e marrëdhënies me diasporën do të thotë që shqiptari jashtë të mos trajtohet më si portofol, turist sezonal, trup elektoral apo zbukurim kombëtar.


Ai është bashkëqytetar, me të drejtë të pyesë, të kundërshtojë, të propozojë dhe të mos rreshtohet me askënd.


Kjo është edhe mënyra si e shoh 21 gushtin.


Nuk u kërkoj shqiptarëve që jetojnë jashtë të ndryshojnë planet, të blejnë bileta apo të bëjnë kilometra për ta zmadhuar pamjen time.


Nuk kam aparat që t’i organizojë, mjete që t’ua paguajnë udhëtimin apo ndonjë të drejtë morale për t’ua matur dashurinë ndaj Shqipërisë me praninë në një takim.


Kush ndodhet këtu dhe dëshiron të vijë, është i mirëpritur.


Vjen me historinë e vetë, me dyshimin e vetë, me përvojën e vetë dhe me të drejtën për t’u larguar po aq i lirë sa erdhi.


Nuk ka pse të bëhet njeri i Arian Galdinit, anëtar i Rinisjes apo dëshmitar i një madhësie që ende nuk ekziston.


Edhe një njeri që thotë: “Nuk të njoh mirë, por dua të të dëgjoj pa ndërmjetës”, ka më shumë vlerë se një prani e sajuar për fotografi.


Kush nuk vjen, nuk më ka asnjë borxh.


Borxhin e kemi ne ndaj tij, të ndërtojmë një vend ku shqiptari jashtë të mos kërkohet vetëm për atë që dërgon, por të respektohet për atë që është, ku kthimi të mos nënkuptojë humbje të meritës, pasiguri për pronën apo rifillim të jetës nën mbrojtjen e një partie.


Dhurata më e madhe që diaspora mund t’i sjellë Shqipërisë nuk është as paraja, as turma.


Është mospranimi i idesë se shqiptarët duhet të kënaqen me më pak ligj, më pak drejtësi dhe më pak dinjitet nga sa provojnë vetë se janë të aftë të ndërtojnë në vendet ku jetojnë.


Më 21 gusht mund të bëjmë vetëm një fillim modest, të takohemi, të dëgjohemi dhe të shohim nëse ekziston një mundësi për t’ia nisur përsëri pa mashtruar veten për përmasën që kemi.


Kaq mund të premtoj me ndershmëri.


Por ky fillim do të kishte vlerë, nëse marrëdhënia me shqiptarët jashtë nuk do të mbaronte bashkë me verën dhe nëse ata nuk do të kujtoheshin sërish vetëm kur dikujt i duhen vota, para ose njerëz në një shesh.


Malli mund t’i sjellë në Shqipëri për disa ditë, vetëm besimi mund t’i rikthejë në jetën e saj.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page