top of page

Shteti nuk duhet të dijë kë ke votuar…


Nga Arian Galdini


Një nga pyetjet më të rënda që mund t’i bëjmë demokracisë sonë nuk është se kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.


Është shumë më e thjeshtë:


Sa gjëra duhet të dijë shteti për mua që të më japë atë që më takon me ligj?


Në një Republikë të denjë, përgjigjja duhet të jetë, shumë pak.


Duhet të dijë nëse plotësoj kushtet.


Nëse kam paguar detyrimet.


Nëse dokumenti im është i rregullt.


Nëse kërkesa ime mbështetet në ligj.


Nuk duhet t’i interesojë kë njoh, me kë pi kafe, në cilin miting kam qenë, cilin kryetar admiroj, cilën parti kam votuar, çfarë kam shkruar në Facebook apo nëse emri im gjendet në telefonin e një njeriu me pushtet.


Sepse shteti fillon të prishet shumë përpara se të shembet ndonjë institucion.


Prishet kur qytetari kupton se ekziston një informacion i dytë për të, përveç atij që kërkon ligji.


Një biografi politike e padukshme.


Një hartë marrëdhëniesh.


Një hamendësim mbi besnikërinë.


Një shënim i pashkruar që mund të ndikojë mbi mënyrën si trajtohet.


Atëherë barazia përpara ligjit mbetet në Kushtetutë, ndërsa në jetën e zakonshme lind një pyetje tjetër:


I kujt është ky?


Mua kjo pyetje më duket e papajtueshme me Republikën.


Njeriu nuk duhet të jetë “i dikujt” që të ketë të drejtën e vetë.


Administrata nuk është pronare e vendit të punës së nëpunësit.


Partia nuk është pronare e familjes që përfiton një shërbim publik.


Kryetari i bashkisë nuk është bamirësi kur zbaton një detyrim ligjor.


Ministri nuk të bën nder kur institucioni i tij të trajton njësoj si qytetarin tjetër.


Dhe opozita do të kishte mësuar shumë pak nga padrejtësia, nëse një ditë do të kërkonte vetëm të ndryshonte emrat në të njëjtën skemë.


Këtu qëndron një prej provave që unë do t’i kërkoja çdo alternative politike, përfshirë atë ku mund të bëj pjesë vetë, jo vetëm çfarë premton për njerëzit e saj, por çfarë sigurie u jep njerëzve që nuk do ta votojnë kurrë.


Sepse demokracia bëhet serioze pikërisht atje.


Te socialisti që nuk duhet të humbasë asgjë të ligjshme ngaqë fitoi e djathta.


Te demokrati që nuk duhet të kërkojë mbrojtje partiake ngaqë fitoi e majta.


Te qytetari pa parti, i cili nuk duhet të shpikë një përkatësi vetëm që të mos mbetet i pambrojtur.


Te sipërmarrësi që nuk duhet të financojë miqësinë e duhur për të marrë pjesë në një garë të drejtë.


Te nëpunësi që nuk duhet të ketë dy jetë, një profesionale në zyrë dhe një politike për mbijetesë.


Kjo është një nga arsyet pse unë jam i djathtë.


Jo sepse besoj se njeriu i fuqishëm duhet lënë i lirë të bëjë çfarë të dojë.


Por sepse besoj se personi duhet të ketë një hapësirë të vetën, ku pushteti politik nuk hyn dot për t’i kërkuar dëshmi bindjeje.


Prona është pjesë e kësaj hapësire.


Familja po ashtu.


Ndërgjegjja.


Fjala.


Puna.


Besimi.


Sipërmarrja.


Bashkësia ku njeriu jeton.


Një shtet që përpiqet t’i kthejë të gjitha këto në degë të marrëdhënies së vetë me qytetarin nuk është bërë më i fortë.


Është bërë tepër i pranishëm atje ku duhet të kishte mësuar të përmbahej.


Dhe këtu E Djathta Humane merr për mua kuptim shumë konkret.


Nuk mjafton të mbrojmë individin nga një qeveri që nuk na pëlqen.


Duhet të jemi të gatshëm ta mbrojmë edhe nga qeveria që na pëlqen.


Madje edhe nga ajo që mund të kemi votuar vetë.


Përndryshe nuk kemi mbrojtur një parim, kemi kërkuar vetëm ndërrimin e kujdestarit.


Kjo është edhe një prej arsyeve pse flas për Rinisjen.


Rinisja nuk është rinia.


Nuk është mosha e njerëzve që duhet të marrin vendin e njerëzve të tjerë.


Është mundësia për t’ia nisur përsëri një marrëdhënieje që është deformuar gjatë, marrëdhënies ndërmjet qytetarit dhe autoritetit publik.


Ta provojmë nga një pikë shumë elementare, qytetari nuk ka pse t’i tregojë pushtetit kujt i përket, sepse nuk i përket pushtetit.


Më 21 gusht unë nuk mund të premtoj se kjo marrëdhënie do të ndryshojë.


Nuk kam as forcën dhe as të drejtën ta pretendoj.


Mund të bëj diçka shumë më të ndershme, ta vendos këtë parim përpara atyre që duan të vijnë, ta pranoj për veten dhe ta propozoj si një prej matjeve me të cilat duhet të gjykohet çdo politikë që kërkon besimin tonë.


Edhe e imja.


Sepse një ditë mund të ndryshojë qeveria.


Mund të ndryshojnë emrat në dyert e ministrive.


Mund të ndërrojnë kryetarët, drejtorët, njerëzit që telefonohen dhe ata që u përgjigjen telefonave.


Por Shqipëria do të ketë ndryshuar vërtet vetëm kur një qytetari të zakonshëm të mos i duhet më asnjë prej atyre numrave.


T’i mjaftojë e drejta e vet.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page