Një Republikë e mirë nuk kërkon qytetarë heroikë për gjërat e zakonshme…
- Arian Galdini

- 1 day ago
- 3 min read
Nga Arian Galdini
Nuk më duket shenjë shëndeti për një vend kur njeriu duhet të bëhet trim për të kërkuar atë që ligji ia njeh.
Të denoncosh një padrejtësi dhe pastaj të mendosh çfarë pasoje mund të ketë.
Të mos pranosh një favor dhe të pyesësh nëse kjo do të të kushtojë një mundësi.
Të thuash mendimin tënd për një qeveri, një parti, një kryetar apo një njeri me ndikim dhe, përpara se të shtypësh “publiko”, të llogarisësh se kush mund ta lexojë.
Të kërkosh një të drejtë në administratë dhe të ndjesh se vetëm ligji mund të mos mjaftojë.
Në këto çaste demokracia nuk matet më me Kushtetutën që kemi mbi tryezë.
Matet me atë që njeriu guxon të bëjë pa pasur nevojë të përgatitet për pasojën.
Kjo më intereson shumë më tepër se solemniteti i fjalëve politike.
Sepse liria nuk është vetëm mundësia juridike për të folur.
Është edhe gjendja civile në të cilën fjala nuk të shndërron në të dyshimtë, puna nuk varet nga bindja, prona nuk ka nevojë për mbrojtës politik, administrata nuk të pyet nga vjen dhe familja nuk detyrohet të mësojë artin e kujdesit me pushtetin.
Një shoqëri mund të ketë institucione demokratike dhe prapëseprapë të prodhojë njerëz që ecin me maturinë e të nënshtruarit.
Kjo ndodh kur frika nuk vjen gjithmonë si kërcënim.
Mjafton të vijë si mundësi.
“Më mirë mos e thuaj.”
“Mos u përziej.”
“Ruaje vendin e punës.”
“Mos u duk shumë.”
“Mendo për fëmijët.”
Me kalimin e viteve, këto fjali mund të bëhen më të fuqishme se një ndalim i shkruar, sepse polici i parë nuk qëndron më përpara njeriut; fillon të jetojë brenda tij.
Për mua, një prej detyrave më të mëdha të politikës është pikërisht ta zvogëlojë këtë frikë të padukshme.
Jo duke i kërkuar qytetarit të bëhet hero.
Përkundrazi.
Republika duhet të funksionojë në mënyrë të tillë që heroizmi të mos jetë kusht për një jetë normale.
Mësuesi nuk duhet të jetë trim që të mos bëhet militant.
Nëpunësi nuk duhet të rrezikojë jetesën që të zbatojë ligjin.
Sipërmarrësi nuk duhet të bëhet disident për të konkurruar ndershmërisht.
Gazetari nuk duhet të zgjedhë ndërmjet profesionit dhe qetësisë së familjes së vetë.
Qytetari nuk duhet të hyjë në një betejë personale sa herë që kërkon një shtet të paanshëm.
Këtu, për mua, takohet E Djathta Humane me idenë e Republikës së Hapur.
Liria nuk është një dhuratë që pushteti ia jep njeriut të fortë.
Është një mbrojtje që ligji ia detyrohet edhe njeriut që nuk ka forcë, miq, para, parti, ekran apo mundësi për të luftuar çdo ditë.
Prandaj nuk dua një Shqipëri ku të mbijetojë më i zoti për të gjetur rrugën mes zyrave.
Dua një vend ku rruga të jetë e drejtë edhe për atë që nuk njeh askënd.
Nuk dua që qytetari të jetë i admirueshëm sepse ia doli përballë shtetit.
Do të doja që shteti të ishte aq i drejtë sa qytetarit të mos i duhej të fitonte një betejë vetëm për të jetuar si qytetar.
Kjo lidhet edhe me atë që quaj Rinisja.
Jo me moshën.
Jo me pretendimin se një brez duhet të zëvendësojë një tjetër vetëm sepse është më i ri.
Rinisja, siç e kuptoj unë, është vendimi për t’ia nisur përsëri aty ku një zakon i keq është bërë aq i vjetër sa ne kemi filluar ta ngatërrojmë me natyrën e gjërave.
T’ia rinisim marrëdhënies së qytetarit me shtetin pa nënshtrim.
T’ia rinisim marrëdhënies së punës me meritën.
T’ia rinisim marrëdhënies së sipërmarrjes me konkurrencën.
T’ia rinisim marrëdhënies së politikës me njeriun pa kërkuar më parë besnikërinë e tij.
Unë nuk pretendoj se një takim më 21 gusht mund t’i zgjidhë këto.
Do të ishte e pavërtetë.
As nuk pretendoj se Rinisja sot ka fuqinë për t’i ndryshuar vetë.
Ajo është ende një përpjekje që duhet të provojë shumë gjëra, duke filluar nga më e thjeshta, nëse njerëzit duan ta dëgjojnë, ta shohin nga afër dhe ta gjykojnë pa ndërmjetës.
Por pikërisht sepse fuqia jonë sot është e vogël, standardi që propozojmë nuk ka pse të jetë i vogël.
Mund të fillosh me pak njerëz dhe prapë të mos kërkosh prej tyre nënshtrim.
Mund të mos kesh aparat dhe prapë të mos gënjesh për forcën tënde.
Mund të mos kesh pushtet dhe prapë të thuash qartë se çfarë pushteti nuk duhet t’i lejohet askujt.
Më 21 gusht, ndër të tjera, dua të provoj edhe këtë, nëse mund të takohemi pa pasur nevojë që askush të sillet si hero, militant apo pronë e dikujt tjetër.
Vetëm si qytetarë.
Sepse ndoshta një Republikë më e mirë fillon pikërisht kur njeriu nuk duhet të jetë më i guximshëm se shteti për të qenë i lirë.
Arian Galdini
.png)



Comments