Poezi: Rinisja!
- Arian Galdini

- 1 day ago
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Në dhomën ku mblidheshim
mbaja pranë këmbës një gotë ujë.
Sipërfaqja e saj dridhej
sa herë kapja rrahjen
ku tingulli qe ndërprerë.
Salla ende nuk e dinte.
Por uji e njihte këngën
para sallës.
Ia rinisim.
Burri përballë meje,
me damarët e dalë mbi duar,
mbajti ison
në tonin e poshtëm.
Nuk kërkoi të printe.
Gruaja pranë tij
solli një zanore prej larg,
e kishte ruajtur në gojë
siç ruhet shqiptimi i nënës
kur shtëpia është matanë detit.
Pastaj hyri fëmija.
Një rrahje më herët.
Askush nuk e ndali.
Kori priti një frymë,
u zhvendos pak
dhe e mori me vete.
Gabimi u bë hyrje.
Ia rinisim.
Në anën tjetër të rrethit
një zë më i hollë
priste masën e vetë.
Kur timbri im e mbuloi për një çast,
u ula një gjysmë note.
Ai u dëgjua.
Kaq duhej.
Kënga mori ajër.
Më pas askush nuk pyeti
kush e kishte nisur.
Fraza kaloi nga njëri te tjetri,
njëri e mbante pak,
tjetri e çonte më tej,
dhe asnjë gojë nuk e mori melodinë
si send që mund të mbahej.
Kur erdhi radha ime përsëri,
hyra vetëm aq
sa të dëgjohej edhe ai pranë.
Në atë masë
ne nuk kishim të njëjtin zë.
Kishim vend për njëri-tjetrin.
Të nesërmen,
në një klasë me dërrasë të zezë,
mësuesja hapi regjistrin.
Një mbiemër që zakonisht
do të kishte kërkuar shpjegim
mbeti vetëm mbiemër.
Ajo vuri shkumësin
në dorën e fëmijës.
Ai shkroi emrin e vetë
me një ë aq të madhe
sa mezi e zinte rreshti.
Askush nuk ia zvogëloi.
Në mbrëmje,
një plak dëgjoi nipin
ta shqiptonte ndryshe
një fjalë që ai vetë
e kishte marrë prej të atit.
Nuk ia korrigjoi.
Buzëqeshi.
Fjala kaloi.
Kur u mblodhëm përsëri,
gota ishte në të njëjtin vend.
Rrahja bëri rrathë në ujë.
Këtë herë
shenja nuk erdhi prej meje.
Fëmija ngriti dorën.
Burri mbajti ison.
Gruaja mori zanoren
që kishte sjellë prej larg.
Zëri më i hollë
hyri pa u fshehur.
Unë dëgjova.
Asnjë gojë nuk e mbajti melodinë
më gjatë se ç’i takonte.
Kur erdhi masa tjetër,
ai që kishte mbërritur i fundit
na dha hyrjen.
Ia rinisim.
Arian Galdini
.png)



Comments