21 gushti nuk ju kërkon të më besoni paraprakisht…
- Arian Galdini

- 2 days ago
- 3 min read
Besimi politik është zhvlerësuar në Shqipëri edhe sepse është kërkuar tepër shpesh përpara provës.
Na është kërkuar të besojmë emrin, pastaj të presim veprën.
Të pranojmë premtimin, pastaj të durojmë zhgënjimin.
Të zgjedhim kampin dhe vetëm më vonë të zbulojmë çfarë kemi autorizuar në emër të tij.
Unë nuk dua t’ju kërkoj këtë.
Më 21 gusht nuk keni pse të vini duke besuar se Arian Galdini ka përgjigjet për Shqipërinë.
As duke menduar se LRE Rinisja është sot më e madhe nga sa është.
Do të ishte e pandershme t’ju kërkoja një besim që ende duhet merituar.
Ejani, nëse doni, për të parë.
Për të dëgjuar.
Për të gjykuar vetë nëse ajo që kam shkruar gjatë këtyre javëve mund të qëndrojë edhe përballë njerëzve të vërtetë, mendimeve të ndryshme, pyetjeve të vështira dhe kufizimeve që ka çdo nismë e vogël kur del nga ekrani e hyn në jetë.
Për mua, këtu fillon politika që meriton përsëri respekt.
Jo te bindja e verbër ndaj drejtuesit, por te e drejta për ta vënë në provë.
Jo te kërkesa që qytetari të dëshmojë besnikërinë e tij, por te detyrimi i atij që kërkon të dëgjohet për të dëshmuar seriozitetin e vet.
Ndoshta ky është një prej zakoneve që Shqipërisë i duhet t’ia rinisë nga e para.
Ne jemi mësuar me politikën që kërkon shumë prej njeriut dhe jep pak llogari për veten.
Partia kërkon votën.
Kryetari kërkon bindjen.
Militanti kërkon rreshtimin.
Pushteti, pasi merret, fillon ta trajtojë mbështetjen e djeshme si autorizim për të nesërmen.
Unë dua të provoj një marrëdhënie tjetër, edhe nëse sot mund ta provoj vetëm në përmasën modeste të një takimi.
Ai që vjen më 21 gusht nuk më detyrohet mua.
Nuk bëhet pjesë e LRE Rinisjes vetëm sepse ndodhet aty.
Nuk humbet bindjen e vetë politike.
Nuk firmos një të ardhme që nuk e njeh.
Nuk merr mbi vete asnjë detyrim që nuk e ka zgjedhur.
Mund të vijë dhe të largohet duke menduar se nuk jam njeriu që kërkon.
Edhe kjo është një përgjigje që duhet respektuar.
Sepse qytetari nuk është lëndë e parë për ambicien e politikanit.
Ky parim është për mua pjesë e së Djathtës Humane që besoj, personi vjen përpara përdorimit që politika dëshiron t’i bëjë atij.
Liria nuk është dhuratë që ia jep drejtuesi njeriut të vet, është e drejta që ai ka edhe për t’i thënë drejtuesit jo.
Është edhe një formë Prindërimi politik, sepse nuk mund të kërkojmë një Shqipëri më të përgjegjshme për fëmijët tanë duke ua lënë atyre të trashëguar të njëjtin zakon të bindjes ndaj të fuqishmit, vetëm me emra të rinj.
Dhe është shqiptare në një kuptim që për mua ka rëndësi të thellë, ky vend nuk na është lënë që secili brez politik të vijë e ta ndajë mes njerëzve të vet.
Na është lënë që ta mbajmë të banueshëm edhe për atë që mendon ndryshe prej nesh.
Prandaj 21 gushtit nuk dua t’i jap një madhësi që ende nuk e ka.
Nuk e di sa njerëz do të vijnë.
Nuk do ta sajoj.
Nuk do ta quaj popull një grup njerëzish vetëm sepse më nderuan duke ardhur.
Di vetëm arsyen përse do të jem atje.
Pas shumë vitesh aktiviteti, pas largimeve, përplasjeve, gabimeve, punës së padukshme dhe një kohe të gjatë kur shumë shqiptarë nuk kanë pasur pothuajse asnjë mundësi të më njohin përmes medias, kam zgjedhur të dal përsëri përpara njerëzve pa ndërmjetës.
Jo për t’u kërkuar një kurorë politike.
Për t’u dhënë mundësinë të më shohin nga afër dhe të vendosin vetë çfarë peshe meriton fjala ime.
Nëse prej këtij takimi lind vetëm një njohje më e ndershme mes nesh, ajo nuk është pak.
Nëse lind dëshira për t’ia rinisur së bashku një pune, do ta mësojmë duke e bërë.
Nëse nuk lind, edhe këtë duhet të kemi karakterin ta pranojmë.
Sepse unë nuk dua një politikë ku qytetari duhet të besojë përpara se të shohë.
Dua një Shqipëri ku edhe besimi fitohet si çdo gjë tjetër që ka vlerë, duke u merituar.
21 gusht 2026 · ora 18:00
Sheshi Skënderbej · Tiranë
Arian Galdini
.png)



Comments