top of page

22 Gushti


Kam folur shumë për 21 gushtin.


Sonte dua t’ju flas për mëngjesin që vjen pas tij.


Sepse një shesh, sado i mbushur të jetë, mund të zbrazet brenda pak minutash.


Një fjalim mund të duartrokitet dhe të harrohet.


Edhe zemërimi më i drejtë mund të tretet, nëse të nesërmen askush nuk zgjohet me një përgjegjësi që dje nuk e kishte.


Politika shqiptare është mësuar të numërojë njerëzit që vijnë.


Unë dua të fillojmë të numërojmë njerëzit që mbeten.


Jo ata që mbeten pas një njeriu, por ata që mbeten pranë një pune, jo ata që presin të marrin diçka nga politika, por ata që janë të gatshëm t’i japin asaj një pjesë të kohës, dijes, karakterit dhe përgjegjësisë së tyre.


Prandaj, sonte nuk po ju pyes vetëm nëse do të vini më 21 gusht.


Po ju bëj një pyetje më të vështirë:


Çfarë jeni të gatshëm të merrni përsipër më 22 gusht?


Ndoshta jetoni në një qytet ku askush nuk ka marrë përsipër të mbledhë njerëzit që mendojnë si ju.


Ndoshta jeni mësues dhe e njihni nga afër një shkollë që po humbet fëmijët e saj.


Ndoshta keni një sipërmarrje të vogël dhe e dini çfarë do të thotë të kërkosh nga ligji atë që dikush tjetër e merr me një telefon.


Ndoshta jeni prind dhe nuk pranoni që fëmija juaj të trashëgojë një Shqipëri ku largimi është bërë më i besueshëm se qëndrimi.


Ndoshta jetoni jashtë vendit dhe prej vitesh e mbani Shqipërinë në shtëpi, në gjuhën e fëmijëve, në kujdesin për prindërit, në paratë që dërgoni, por askush nuk ju ka pyetur se çfarë dini të bëni për vendin përtej ditës së votimit.


Ndoshta nuk jeni dakord me mua për shumë gjëra.


Edhe kjo ka vend.


Sepse Rinisja që dua të ndërtojmë nuk mund të jetë një radhë njerëzish që presin fjalën e atij që prin.


Duhet të jetë një bashkësi njerëzish të lirë, të cilët dinë të mendojnë, të kundërshtojnë dhe, kur japin fjalën për një punë, të dalin zot për të.


Këtu fillon për mua politika që meriton të quhet qytetare.


Jo kur njeriu pyet se çfarë do të marrë nëse fiton pala e tij, por kur pyet veten se çfarë është i gatshëm të mbajë mbi supe edhe nëse askush nuk e sheh.


Kjo është edhe arsyeja pse 21 gushtin nuk dua ta mas vetëm me fotografinë e një mbrëmjeje.


Nëse do të jemi shumë, përgjegjësia jonë do të jetë më e madhe.


Nëse do të jemi më pak nga sa shpresojmë, nuk do ta gënjejmë Shqipërinë për forcën që kemi.


Në të dyja rastet, mëngjesi i 22 gushtit do të na bëjë të njëjtën pyetje:


Çfarë mbeti?


A mbeti një njeri që mori përsipër një qytet?


Një i ri që vendosi të ndërtojë një grup?


Një jurist që dha kohën e vetë për një çështje?


Një sipërmarrës që pranoi të ndihmojë pa kërkuar favor?


Një shqiptar i diasporës që nuk u mjaftua më me mallin për vendin, por mori një përgjegjësi ndaj tij?


Një qytetar që nuk kërkoi të bëhej i rëndësishëm, por i dobishëm?


Sepse një vend nuk ndryshon vetëm kur njerëzit dalin në shesh.


Ndryshon kur, pasi sheshi zbrazet, përgjegjësia nuk zbrazet bashkë me të.


Këtë unë e quaj Dalëzotësi.


Jo bindje ndaj meje.


Jo regjistrim në një listë që pastaj fle në një kompjuter.


Jo premtim për një post që nuk ekziston.


Dalëzotësi do të thotë që një njeri i lirë thotë, këtu mund të vlej, këtë barrë mund ta mbaj, për këtë punë mund të më kërkoni llogari.


Dhe pikërisht këtu takohet Rinisja me atë që kam quajtur Republika e Hapur.


Republika nuk hapet vetëm duke larguar një qeveri.


Hapet kur qytetari pushon së qenuri spektator që thirret për të mbushur sheshin dhe bëhet njeri të cilit mund t’i besohet një pjesë e së përbashkëtës.


Unë nuk dua t’ju premtoj një Shqipëri që do ta ndërtoj për ju.


Do të ishte edhe e pavërtetë, edhe e padrejtë.


Dua të provojmë nëse mund të ndërtojmë një Shqipëri ku më shumë njerëz marrin përgjegjësi për atë që është pranë tyre, ku familja nuk pret gjithçka nga shteti, qyteti nuk pret gjithçka nga Tirana, qytetari nuk pret gjithçka nga ai që prin dhe ai që prin mëson se nuk është burimi i çdo pune të mirë.


Prandaj, nëse mendoni të vini më 21 gusht, sonte mos më shkruani vetëm:


“Do të vij.”


Më shkruani diçka që vlen më shumë:


Kush jam.

Ku jetoj.

Çfarë di të bëj.

Për çfarë jam i gatshëm të dal zot.


Sepse më 21 gusht mund të takohemi në një shesh.


Por ajo që po përpiqemi të ndërtojmë do të gjykohet kur sheshi të jetë bosh, kamerat të jenë fikur dhe secili prej nesh të jetë kthyer në jetën e vet.


Atje fillon prova.


Jo sa njerëz erdhën pas Arian Galdinit.


Por sa njerëz u kthyen në shtëpi duke e ditur se Shqipëria kishte tashmë edhe një përgjegjësi të tyren.


21 gushti është takimi.

22 gushti është përgjigjja.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page