top of page

Para se ti kërkojmë Shqipërisë besim, duhet t’i tregojmë çfarë ia ndalojmë vetes…


Ka një mënyrë të vjetër për të bërë politikë në Shqipëri, secili shpjegon çfarë do të bëjë sapo të marrë pushtetin.


Premton drejtësi, zhvillim, meritë, punësim, liri, shtet më të mirë.


Pastaj vijnë zgjedhjet, vjen fitorja, vijnë njerëzit e afërt, vijnë arsyetimet, vijnë përjashtimet.


Dhe ajo që dje ishte parim, fillon të negociohet me interesin e ditës.


Unë dua të provojmë një rrugë tjetër.


Përpara se t’i themi qytetarit çfarë do të bëjmë me pushtetin, t’i tregojmë çfarë nuk do t’ia lejojmë vetes nëse do ta kemi atë.


Sepse aty fillon besueshmëria.


Nëse themi se besojmë te prona, duhet të japim fjalën se prona e kundërshtarit tonë politik do të jetë po aq e mbrojtur sa prona e mikut tonë.


Nëse besojmë te tregu i lirë, duhet të pranojmë që një qeveri e jona nuk mund ta zëvendësojë klientelën e sotme me klientelën tonë.


Nëse kërkojmë drejtësi të pavarur, duhet të jemi gati ta mbrojmë edhe kur ajo heton njeriun tonë dhe jo vetëm kur prek kundërshtarin.


Nëse mbrojmë lirinë e fjalës, gazetari duhet të mbetet i lirë edhe kur pyetjet e tij na dhembin neve.


Nëse flasim për Kombin, duhet t’ia ndalojmë vetes ta përdorim flamurin si mbulesë për paaftësinë, kritikën ta quajmë tradhti dhe patriotizmin ta kthejmë në leje për të përjashtuar shqiptarin që mendon ndryshe.


Nëse jemi properëndimorë, miqësinë me Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe rrugën europiane duhet t’i mbrojmë si zgjedhje të Shqipërisë, jo t’i përdorim si certifikatë personale për të shpallur veten të pazëvendësueshëm.


Nëse flasim për familjen dhe Prindërimin, duhet të pranojmë se fëmijët tanë kanë të drejta mbi vendimet tona edhe pse ende nuk votojnë.


Nuk kemi të drejtë t’ua dorëzojmë një vend më të varfër, institucione më të dobëta dhe një borxh më të rëndë vetëm sepse faturën nuk do ta paguajmë ne.


Dhe nëse kërkojmë që Edi Rama të largohet, duhet të jemi të gatshëm të pranojmë të njëjtin rregull mbi veten tonë, askush nuk është i përhershëm, askush nuk është mbi ligjin, askush nuk e merr Shqipërinë me vete kur i mbaron detyra.


Kjo është ajo që dua të sjellë 21 gushti.


Jo vetëm një thirrje kundër një qeverie.


Një fillim të një kulture tjetër politike.


Sepse unë nuk dua t’i kërkoj Shqipërisë një çek të bardhë në emër të ndryshimit.


Nuk dua t’i them qytetarit, më beso sot dhe pyet më vonë.


Dua të ndodhë e kundërta.


Na pyet sot.


Na kërko kufirin sot.


Na kërko fjalën sot.


Na kërko të tregojmë përpara betejës a ndoshta fitores se çfarë nuk do t’i lejojmë vetes pas saj.


Dhe ky rregull duhet të fillojë nga ai që e propozon.


Edhe nga unë.


Nëse një ditë Arian Galdini kërkon prej të tjerëve një standard që nuk pranon ta zbatojë mbi veten, atëherë ai standard nuk vlen më.


Sepse Republika nuk hapet kur ndryshon njeriu që ka çelësin.


Hapet kur çelësi nuk i përket më askujt.


Më 21 gusht nuk dua t’ju kërkoj besnikëri ndaj meje.


Dua t’ju propozoj një fjalë më të rëndë, të kufizojmë veten përpara se të kërkojmë të drejtojmë të tjerët.


Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë “Rama ikën” nuk do të jetë vetëm fundi i një cikli.


Do të mund të bëhet fillimi i një Republike ku fituesi qeveris, humbësi mbetet i sigurt dhe qytetari nuk i përket askujt.


21 gusht 2026.


Rama ikën. Republika hapet. Qytetari zgjedh.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page