top of page

Ne


Ne nuk e ndërtuam këtë shtëpi për të ikur, e aq më pak për ta lënë gjithçka në mes.


Nuk e ndërtuam këtë frymë për t’u strukur në qoshen e harresës, dhe nuk e morëm mbi vete këtë peshë për ta hedhur në gjysmën e rrugës.


Ne erdhëm këtu me duar bosh, por me zemër plot.

Erdhi dita kur na hodhën baltë, dhe s’pati dorë që të na mbrojë.

Erdhi nata kur u bëmë shënjestër, pa krahë për të fluturuar dhe pa rrjetë për të rënë butë.

Por s’u përkulëm.


E mbajtëm peshën e fjalës së dhënë si një kryq, pa e ulur shpinën.


Dhe nuk pranuam të rreshtohemi me asnjë klan, me asnjë front, me asnjë lojë që nuk kishte nder.


Jo se nuk mundeshim.


Por sepse nuk duam të shpëtojmë veten duke humbur vetveten.


Unë jam këtu.


LRE është këtu.


Ne nuk jemi bërë për të qenë spektakël i radhës në një teatër me skena false.


Ne jemi bërë për të ngjizur e rrënjosur një të djathtë të re, jo thjesht si një kah politik, por si një kod nderi.


Një mënyrë e të menduarit, e të ndjerit, e të jetuarit.


Të jesh i djathtë në Shqipëri sot, e për më tepër të jesh i djathtë me vendimin tënd e zgjedhjen tënde, pa patur nevojë as për lejen, as për çertifikimin e “Të Mëdhenjve” apo të “Tjerëve” apo të “Huajve”, është më shumë se një qëndrim politik.


Është një sakrificë.


Është të qëndrosh në këmbë kur është më e lehtë të ulesh.


Është të refuzosh luksin e përlyer që vjen me kompromisin.


Është të ndërtosh ngadalë, me themel të fortë, ndërsa të tjerët ndërtojnë kështjella rëre për një stuhi më pas.


E di, në këtë rrugë jemi pak.


Keto 2 vitet e fundit madje kemi mbetur krejt krejt pak.


Por pak njerëz mjaftojnë për të ndezur dritën, në një vend ku errësira është bërë zakon.


LRE – Rinisja, nuk është vijimësi nostalgjie.


Është prova se ideja mund të jetojë edhe pa financa, edhe pa media, edhe pa lejet e ambasadave, edhe pa bekimin e oligarkëve, edhe pa pakte e ujdi me pronarë mediash, grupe kriminale, apo me ato të ashtuquajtura “grupe aktive financuesish nga vendi a Diaspora” që pastaj kërcënojnë dynjanë për ty se kanë investuar shumë në ty...


Është prova që një grup njerëzish, me duar të pastra dhe shpirt të qartë, mund të ecin përpara, edhe kur toka dridhet, edhe kur qielli nuk hapet.


Unë nuk jam këtu për të folur për veten time. Unë jam këtu për të dëshmuar që ndërgjegjja e një njeriu nuk matet me klikime, nuk matet me karrige, nuk matet me spektakël.


Matet me qetësinë që ndien kur shkon në shtrat dhe nuk ke gënjyer, nuk ka mashtruar, nuk ke lënduar, nuk ke tradhtuar, nuk ke heshtur kur duhej të flisje, por as nuk ke folur kur të tjerët bërtisnin.


Sot, Shqipëria është një vend që ka dëshpërimisht nevojë për njerëz të kthjellët, për djem dhe vajza që nuk shiten, që nuk bëhen dekor në tryeza të pista, që nuk e ndërrojnë rrugën për një premtim më të lehtë.


LRE është bërë për ta ruajtur këtë vend të gjallë.


Jo me ide të huaja, jo me kopje, jo me slogane.


Por me një të djathtë humane shqiptare, që nderon traditën, mbron familjen, beson te Perëndimi dhe shikon me sytë e ndershmërisë drejt së ardhmes.


Na thanë se nuk do të mbijetojmë.


Ne nuk mbijetuam.


Ne u përjetësuam.


Sepse kur nuk ta blejnë, shesin e as ndyjnë e implikojnë dot ndërgjegjen tënde, nuk të fshijnë dot nga historia.


Nëse je gati ta ndërtosh këtë vend nga themelet, me duar të pastra dhe me zemër të qartë, dije se ne jemi këtu.


Jemi LRE. Jemi Rinisja.


Dhe nuk kemi ardhur për t’u larguar.


Ne jemi ketu.


Unë jam, unë mundem.


Ne jemi, ne mundemi.


🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🙏

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page