top of page

Algoritmet kundër Demokracisë, si rreziku i ri që kërcënon liritë!

ree

Nga Arian Galdini


Në shekullin XXI, teknologjia nuk është më vetëm mjet.

Ajo po kthehet në arkitekturë pushteti.


Inteligjenca artificiale, algoritmet dhe rrjetet sociale, nuk thjesht ndërmjetësojnë jetën tonë publike, ato po rivendosin vetë rregullat e lojës politike.


Premtimi i efikasitetit, transparencës dhe modernitetit maskon një rrezik të madh, lindjen e një algokracie, pra një qeverisjeje ku kodet vendosin në vend të qytetarëve, dhe të një trollitantizmi, kontrolli të diskursit publik nga ushtri virtuale propagandistësh.


Shembujt janë tashmë para syve tanë.


Në Shqipëri, Edi Rama sapo ka emëruar “ministren” virtuale Diella, një avatar i krijuar nga inteligjenca artificiale për të menaxhuar tenderat publikë.


Në Nepal, të rinjtë e Gen Z rrëzuan qeverinë e korruptuar dhe përzgjodhën një kryeministre përmes një votimi online në Discord.


Në Kinë, regjimi po instalon sistemin e Krediteve Sociale, ku çdo qytetar vlerësohet me pikë sipas bindjes ndaj partisë.


Në Filipine, Rusi, Turqi e dhjetëra vende të tjera, trollët online deformojnë papushim opinionin publik me shkallë industriale.


Në pamje të parë, këto eksperimente mund të duken si hap drejt së ardhmes.


Por një analizë e ftohtë dhe konservatore i shfaq ato si rrezik i drejtpërdrejtë për vetë demokracinë.


Algoracia, qeverisja e kutisë së zezë.


Demokracia ekziston mbi bazën e pjesëmarrjes dhe përgjegjësisë njerëzore.


Një ministër del para parlamentit, komisioneve parlamentare, para Opozitës e deputetëve, para gjykatave, medias, qytetarëve.


Një algoritëm, jo.


Algoritmi nuk mban përgjegjësi, nuk jep llogari, nuk dënohet.


John Danaher e quan këtë “kërcënimi i algoracisë”, dmth, krijimi i proceseve vendimmarrëse që reduktojnë deri në zhdukje hapësirën e qytetarit për të marrë pjesë.


Yuval Harari, madje ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dëgjojmë përgjigjen e ftohtë: “Kompjuteri tha jo”.


Dhe askush nuk do të ketë kapacitetin ta kundërshtojë.


Vendimet politike do të shndërrohen në rezultate statistikore, të pakuptueshme e të paapelueshme.


Një sistem i tillë nuk është më demokraci, por një epistokraci e re pa fytyrë, ku ekspertët janë zëvendësuar nga algoritme të padepërtueshme.


Shembujt praktikë janë tronditës, në Holandë, një algoritëm tatimor ka shënjestruar mijëra familje të pafajshme si mashtruese, në Britaninë e Madhe, një AI e ndihmës sociale ka diskriminuar mbi bazë moshe dhe kombësie.


E kjo ndodh sepse, algoritmet jo vetëm trashëgojnë paragjykimet e programuesve, por i amplifikojnë ato.


Diella, ministrja që nuk mban përgjegjësi…


Në këtë kontekst, rasti i Diellës në Shqipëri është simptomatik.


Qeveria po e shet si revolucion anti-korrupsion, një ministre virtuale, e paprekshme nga ryshfetet.


Por realiteti është më i zymtë.


Kushtetuta kërkon ministra realë, me përgjegjësi ligjore. Diella nuk ka trup, as ndërgjegje.


Në rast abuzimi, kush do të mbahet përgjegjës? Programuesi? Kontraktori? Kryeministri? Apo askush?


Mungesa e transparencës është alarmante.


Nuk dihet kush ka shkruar kodin, çfarë të dhënash përdor, kush e auditoi.


Pa kontroll të pavarur, korrupsioni thjesht zhvendoset nga ministri te programuesi.


Në vend që të zhduket, ai fshihet pas perdes së teknologjisë.


Qytetarët e kanë kuptuar instinktivisht këtë:


“Edhe Diella do të korruptohet në Shqipëri”, ironizojnë masivisht ata në rrjete.


Dhe kanë arsye.


Shqipëria ka precedentë të errët, skandali i patronazhistëve në 2021, kur Partia Socialiste i përdori të dhënat personale të 910 mijë qytetarëve për t’i monitoruar e akaparuar zgjedhjet.


Në një vend me traditë survejimi, një ministër virtual s’mund të shihet ndryshe veçse si hap drejt një Big Brother-i të ri.


Në vend të forcimit të shtetit ligjor, ndëshkimit të të korruptuarve dhe lirisë së medias, qeveria ofroi një zgjidhje të rreme, një avatar folklorik me kostum tradicional, që i jep pushtetit një fasadë moderniteti.


Ky nuk është anti-korrupsion.


Është propagandë teknologjike.


Nepali, kur demokracia bëhet karikaturë online…


Në anën tjetër të globit, rinia nepaleze u ngrit kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Turmat dogjën parlamentin, kryeministri dha dorëheqje.


Por zgjidhja që ata shpallën, pra përzgjedhja e një kryeministreje përmes Discord-it, është një precedent i rrezikshëm.


Në atë forum virtual morën pjesë vetëm rreth 10 mijë të rinj urbanë dhe të lidhur online.


Shumica e popullit mbeti jashtë.


Rezultati, emërimi i një gjyqtareje të ndershme, Sushila Karki, ishte fatlum.


Por procesi ishte i brishtë, i manipuluar lehtë nga llogari të rreme, i mbështetur në dhunë dhe zjarr.


Ky nuk ishte triumf i demokracisë liberale, por një karikaturë e saj.


Demokracia nuk është një sondazh spontan online.


Ajo kërkon institucione, mbrojtje të pakicave, deliberim racional.


Përndryshe rrezikon të kthehet në mobokraci (turmakraci) digjitale, sundim i atyre që bërtasin më fort në rrjet.


Trollitantizmi, zëri i popullit i mbytur nga zhurma


Një tjetër rrezik është trollitantizmi, përdorimi sistematik i ushtrive online për të manipuluar opinionin.


Nga Rusia në Filipine, nga Turqia në Indi, partitë dhe regjimet kanë kuptuar se më mirë se të mbyllësh gojët, është t’i mbytesh ato me zhurmë.


Raportet e Oksfordit tregojnë se në 81 vende operojnë “trupa kibernetike” që prodhojnë propagandë masive, shpesh me kontrata private milionëshe.


Në Filipine, një e treta e profileve që janë përfshirë onlinë në debatin për arrestimin e Dutertes nga ICC ishin false.


Në Rusi, trollët e famshëm të Shën Petersburgut kanë ndikuar zgjedhje në SHBA e Europë.


Në Shqipëri, akuza për rrjete trollësh pro-qeveritarë janë bërë pjesë e klimës politike.


Efekti është gjithnjë i njëjtë, e vërteta humbet.


Publiku lodhet, bëhet cinik, s’beson më asgjë.


Një demokraci pa të vërtetë është një demokraci e vdekur.


Kina, laboratori i diktaturës digjitale…


Në Kinë shohim versionin ekstrem të këtij trendi.

Sistemi i Krediteve Sociale pikëzon çdo qytetar bazuar në sjellje, blerje, komente online.

Miliona kamera me njohje fytyre, algoritme që parashikojnë “rrezikun”, penalitete për ata me pikë të ulëta.


Është realizimi modern i “Vëllait të Madh”. Një Leviatan dixhital që nuk ka nevojë për torturë, qytetarët vetëdisiplinohen nga frika e humbjes së pikëve.

Dhe ky model po eksportohet në Azi, Afrikë e Amerikë Latine, e ku i dihet, ndoshta Diella na e sjell edhe në Shqipëri...


Ky është paralajmërimi më i fortë, pa mbrojtje demokratike, teknologjia bëhet infrastrukturë totalitare.


Shqipëria në udhëkryq


Shqipëria është vend i vogël, por rreziku i madh. Diella tregon tundimin për të ndjekur rrugën e gabuar, të shfaqesh modern, duke shmangur reformën reale.


Patronazhistët kanë treguar se pushteti nuk heziton të përdorë teknologjinë për survejim.


Pyetja është, a do ndjekë Shqipëria modelin europian të privatësisë, transparencës dhe ligjit, apo do rrëshqasë drejt një versioni ballkanik të diktaturës digjitale?


Demokracia nuk është Kod


Demokracia është marrëveshje morale, kontratë mes brezash, vullnet i lirë i qytetarëve.

Ajo nuk mund të zëvendësohet nga algoritme të mbyllura, nga trolle me pagesë apo nga votime spontane në rrjete sociale.


Nëse i dorëzojmë këto procese teknologjisë pa kontroll, do të zgjohemi në një botë ku liria ekziston vetëm në fasadë.

Një botë ku qytetari është thjesht përdorues, jo sovran.


Historia na ka mësuar se liria vdes kur njerëzit pranojnë iluzione në vend të realitetit.


Diella është një iluzion.


Discord-i i Nepalit është një iluzion.


Trollët janë një iluzion.


Vetëm demokracia reale, me institucione, me llogaridhënie, me të vërtetë, është themeli i lirisë.


Dhe ky themel duhet mbrojtur sot, para se të mbulohet nga një kod i ftohtë që nuk pyet askënd.


Fjala e fundit është e qartë, ose zgjedhim të jemi qytetarë të lirë që mbajnë përgjegjësi, ose pranojmë të jemi përdorues online të bindur të një demokracie të rreme.

Dhe kjo zgjedhje është binare.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page